Sekretari i përgjithshëm i Konferencës Islamike, dr. Ekmeleddin Ihsanoglu, i ka dërguar përgjigje letrës së Myftiut Tërnava që i pati dërguar pas vendimit këshillëdhënës të GJND-së.
Në letrën e z. Ihsanoglu që transmeton Tv 21, ndër të tjera, thuhet:
“Ky mendim i rëndësishëm historik na gëzoi pa masë dhe na dha më shumë optimizëm për ta parë Kosovën duke arritur njohje nga e tërë bota për pavarësinë e saj të meritueshme. OKI është angazhuar që herët për të përgatitur rrethanat për pavarësinë e Kosovës, patëm vënë kontakte të shumta me zyrtarët të lartë dhe kryetarë të shteteve e qeverive për ta mbështetur këtë pavarësi. Falënderojmë Allahun që shumë nga këto vende i janë përgjigjur këtyre angazhimeve dhe zyrtarisht e kanë njohur Kosovën. Sigurisht që juve ju kujtohet deklarata jonë më 18/07/2008 në të cilën ne patëm shfaqur solidarizimin dhe përkrahjen tonë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kjo deklaratë pati bërë jehonë të madhe në përkrahjen e pavarësisë. Dua t’iu rikonfirmoj se mendimi këshillëdhënës i GJND-së do të na mundësojë që t’i realizojmë përpjekjet tona në marrjen e përkrahjes zyrtare për pavarësinë e Kosovës e cila do të arrihet përmes aktiviteteve të sekretariat të përgjithshëm të OKI-së dhe përmes kontakteve me zyrtarët e lartë dhe kryetarët e shteteve dhe qeverive anëtare të organizatës”, thuhet në përgjigjen e Sekretarit të përgjithshëm të Konferencës Islamike, dr. Ekmeleddin Ihsanoglu . /Kosova Info/