BFI investon në arsimimin e femrës muslimane. Të shtunën më datë 31
Tetor 2009, pas një punë pesë vjeçare të Paraleles së Shtrirë të
vajzave të Medreses Isa Beu në Tetovë, u lëshua në përdorim godina e
re, e cila gjeneratave të reja do tu mundëson kushte më të volitshme
për ndjekjen e procesit edukativo-arsimor. Ashtu siç theksoi Kreu i
Bashkësisë Fetare Islame të RM, H. Sulejman ef. Rexhepi, kjo ndërtesë
në vitet në vijim do të shërbejë për arsimimin e nënave të ardhshme të
Kombit.
Në praninë e mysafirëve të shumtë, si nga vendi, ashtu edhe nga
jashtë dhe prezencën e shumtë të mediumeve, nxënëset e kësaj Paraleleje
kishin përgatitur një program të begatë. Të pranishëm ishin përfaqësues
të Kishës Ortodokse Maqedonase, përfaqësues të Mbretërisë së Arabisë
Saudite, përfaqësues të përfaqësive diplomatike në vend, të Komunës së
Tetovës, muftij nga gjitha muftinitë e Bashkësisë Fetare Islame,
hoxhallarë, prindër, nxënës, e dashamirë të shumtë të Islamit.
Fillimisht programi u hap me leximin e asheres, e më pas profesor
Bahri Aliu mbajti një fjalim mbi ecurinë e punës së Medreses –
Paraleles në Tetovë. Më pas fjalën e rastit e mori Drejtori i Medreses
Isa Beu, profesor Ibrahim Idrizi, i cili foli për sfidat e kësaj
medrese dhe për planet që ka kjo medrese në të ardhmen.
Muftiu i Muftinisë së Tetovës, pasi i përshëndeti të pranishmit, u
falënderua tek të gjithë që kanë dhënë kontributin për hapjen e kësaj
paraleleje. Ai nga zemra falënderoi Reis ul Ulemanë H. Sulejman ef.
Rexhepi për gjithë përkrahje që e ka dhënë gjatë formimit të Medreses,
si dhe investitorin z. Ozkan Goksal, i cili ekskluzivisht ka bërë të
mundur që me mjete financiare të bëhet ndërtimi i godinës së re. Mufti
Alifikri Esati, gjithashtu Falënderoi edhe ish-Kryetarin e Komunës së
Tetovës, z. Hazbi Lika, për gjithë ndihmën që ia ka dhënë Muftinisë së
Tetovës gjatë kohës kur ai ishte kryetar, si dhe Kryetarin aktual të
Komunës së Tetovës, z. Sadi Bexheti, për ndihmën dhe përkrahjen e tij
ndaj këtij institucioni.
Më tej fjalën e rastit e mori investitori-donatori, z. Oskan Goksal,
i me emocione të mëdha shpjegoi se si lindi ideja për ta ndihmuar
ndërtimin e një shkolle të tillë. Ai gjithashtu shprehu kënaqësinë që
ndodhej në mesin e një ambienti, ku ishin të pranishëm përfaqësues të
gjitha gjeneratave. Z. Oskan gjithashtu Falënderoi Reis ul Ulemanë dhe
Muftiun e tTetovës të cilët ia mundësuan atij që të kontribuon me një
vepër të tillë, për krijim dhe pasurimin e Vakëfit në Rumeli – Maqedoni.
Më pas, fjalën e rastit e mori Reis ul Ulema H. Sulejman ef.
Rexhepi, i cili të pranishmëve iu drejtua në tre gjuhë, shqip,
maqedonisht dhe arabisht. Ai i përshëndeti mysafirët e pranishëm, nga
gjitha viset e vendit, përfaqësuesit e KOM-it, dhe përfaqësuesit e
Mbretërisë së Arabisë Saudite, të cilët në këtë manifestim erdhën si
mysafirë të Reis ul Ulemasë. Kreu i BFI-së foli rreth rëndësisë së
arsimimit të gjeneratave të reja dhe posaçërisht rëndësisë së arsimimit
të femrës myslimane në vend.
Pas përfundimit të fjalimit (i cili vijon më poshtë), të pranishmit
u drejtuan kah hyrja e godinës, me ç’rast Reis ul Ulema H. Sulejman ef.
Rexhepi bashkë me donatorin z. Oskan Goklsal prenë shiritin e hapjes së
kësaj godine, me ç’rast e shpallën të hapur këtë objekt në të cilin do
të arsimohen “Nënat e ardhshme të Kombit”, ashtu siç theksoi
H.Sulejmani, në fillim të fjalimit të tij.
Pasi mysafirët vizituan ambientet e godinës dhe njoftuan më nga afër me
kushtet e krijuara në këtë Paralele, bënë faljen e Namazit në xhaminë e
Abarati Teqesë, ku edhe u shtrua një drekë për të gjithë të pranishmit.
Në vazhdim vijon fjalimi që e mbajti Reis ul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi para të pranishmëve.
Përshëndetje të nderuar mysafirë, të respektuar Muftij dhe punëtorë
e bashkëpunëtorë të Bashkësisë Fetare Islame, Drejtor i Medreses Isa
Beu dhe profesorë e nxënës të këtij institucioni..
Më lejoni që fillimisht në emrin tim personal dhe në emrin e Bashkësisë
Fetare Islame të Maqedonisë tu përshëndes me përshëndetjen absolute
Islame Eselamu Alejkum...
Vërtetë është një kënaqësi e veçantë që sot ndodhemi në këtë objekt, të
përfunduar të Medreses – Paraleles së Shtrirë për vajza, ku në vitet në
vijim do të arsimohen nënat e ardhshme të Kombit
Për shumë nga ju, janë të njohura sakrificat me të cilat janë përballur
punëtorët e Bashkësisë Fetare Islame bashkë me besimtarët tanë nga
vendi e nga jashtë, për të vendosur themelet e diturisë nën këtë
nënqiell. Investimi në diturinë është edhe investim për ardhmërinë.
Ashtu siç na mëson Kur’ani i Pavdekshëm, Islami të gjithëve na fton
në dituri, se vetëm të ditur mund tu bëjmë ballë sfidave të këtij
shekulli.
Në këtë relacion jo-rastësisht Allahu Fuqiplotë Muhamedin a.s. ia rekomandoi një dua parimore:
Thuaj (o Muhamed) O zot ma shto diturinë.
Dhe jorastësisht ajejtet e para Kuranore ishin:
“ Lexo, me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi, Krijoi njeriun prej një
gjaku të ngjizur ! Lexo, se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi
(njeriun) të shkruaj me penë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.”(
El- Alek: 1-5)
Kërkimi i diturisë është detyrë e çdo muslimani. Prandaj falë besimit
të palëkundur në Allahun Fuqiplotë dhe sakrificave e angazhimeve të
brezave tanë, ne po krijojmë hapësirë dhe mundësi që kjo dituri të
përçohet nga brezi në brez. Islami është feja përmes së cilës njerëzimi
pranon udhëzimet përfundimtare nga Krijuesi i gjithësisë, duke e
aftësuar për mëkëmbës të tij në tokë. Kur’ani i Pavdekshëm vlerëson
lartë jetën njerëzore dhe insiston në civilizimin duke bërë thirrje në
dituri.
Jo rastësisht fjala dituri dhe të tillat që kanë të bëjnë me të, në
Kur’anin e Pavdekshëm hasen mbi 780 herë. Ajetet e para me të cilat
filloi shpallja e Kur’anit ishin pikërisht mbi rëndësinë e leximit,
penës dhe diturisë:
Kur’ani i Pavdekshëm thotë se ata që dinë, nuk janë njëlloj me ata që nuk dinë:
“...Thuaj:”A janë njëlloj ata që dinë me ata që nuk dinë...?”( Ez- Zumer:9)
Në këtë drejtim kemi edhe hadithe të shumta, ndër të cilat është edhe kjo:
“ Kërkojeni diturinë nga djepi deri në varr.”
Apo “ Ngjyra e pendës së dijetarit do të peshohet me gjakun e
dëshmorëve në Ditën e Ringjalljes; dhe pastaj, ngjyra e pendës së
dijetarëve do të parapëlqehet më shumë se gjaku i dëshmorëve.”
Sipas fesë islame, respektivisht Kur’anit dhe Sunetit të Muhamedit a.s.
rëndësia e shkencës dhe diturisë është e përhershme. Duhet theksuar se
me gjithë rëndësinë që ka mësimi i shkencës dhe i teknologjisë, ato nuk
konsiderohen të mjaftueshme në vetvete dhe muslimanët duhet, përveç se
të ngrënë standardin e tyre në fushat materiale dhe shkencore, të kenë
besim të fortë dhe të ndjekin parimet fetare për të përmbushur qëllimet
e tyre.
Muslimanët duhet të përgatiten dhe të pajisen në çdo drejtim dhe
meqë sot, shkencat eksperimentuese luajnë një rol themelor në çdo
aspekt të jetës materiale, fuqizimi i kësaj përmase të politikës islame
është domosdoshmëri. Prandaj Bashkësia Fetare Islame, me gjitha
mundësitë e saja që i ka, po përpiqet të krijon qendra për të edukuar
dhe arsimuar brezat e rinj.
Për këtë u jemi mirënjohës të gjithë njerëzve dhe besimtarëve me
vullnet të mirë. E sidomos për këtë objekt në të cilin po e inaugurojmë
sot, i jam mirënjohës dhe falënderuar në emrin ti personal dhe në emrin
e Bashkësisë Fetare Islame, bamirësit - donatorit OSKAN GOKSAL, i cili
me investimin e tij ekskluziv, ka kontributin në ndërtimin e kësaj
ndërtese.
Sipas parimeve Islame, Ky është investimi më i çmueshëm që mund ta bëjë
një njeri dhe vetëm Zoti mund ta shpërblen një vepër të tillë me
shpërblimet e tij më të çmuara që i ka Madhëria e Tij... Ndërsa ne i
lutemi Allahut të plotfuqishëm, ta rruan donatorin OSKAN GOKSAl, ti jep
shëndet atij dhe familjes së tij dhe dhëntë Zoti që edhe në të ardhmen
të jep kontribut në investime të ngjashme të cilat njëherit janë edhe
më të çmueshmet. Në jetën e amshueshme allahu e shpërbleftë me xhenet
Dhe kur jemi te rëndësia e diturisë, dua të theksoj se në këtë
përpjekje, edhe Medreseja Isa Beu, me hapjen e kësaj paraleleje, po
vendos themelet e njohurive themelore të Islamit dhe e përgatit femrën
muslimane për edukimin superior.
Më lejoni që me këtë rast tu përkujtoj një fjalë të urtë të
popullit, e cila thotë: “Dora që e përkund djepin, e edukon edhe
Kombin”.
Në këtë solemnitet nuk duhet ti harrojmë as mësimet e Muhammedit a.s. i cili ka thënë:
“Dituria është pasuria e humbur e një besimtari; prandaj, kërkojeni atë edhe po të jetë në duart e politeistëve.”
“Besimtari është gjithmonë në kërkim të urtësisë, kudo që ta gjejë atë,
ajo është e tij, sepse ai e meriton ta ketë atë me shumë se kushdo
tjetër.”
Më lejoni që krejt në fund ta shpalli të hapur këtë Paralele të re të
Medresesë dhe në emrin e të gjithëve të pranishmëve këtu, nxënëseve që
do të marrin diturinë nga këto banka, tu dëshiroj sa më tepër suksese,
në mësime, në hulumtime të mirëfillta, me qëllim që të pajisen me sa më
tepër dituri që në të ardhmen të bëhen shtyllë e fortë e familjeve
tona. Gjithashtu i lus edhe profesoreshat e nderuara që njohuritë e
tyre ti ndajnë bashkë me nxënëset dhe gjithmonë të jenë pranë tyre kur
të kenë nevojë, me qëllim që ky vit shkollor të jetë sa më i suksesshëm
dhe i bereqetshëm.
Zoti ju shpërbleftë dhe qofshi të bekuar.