Lavdia i takon Allahut.
Salavatet dhe selamet qofshin mbi Muhammedin (Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të).
Xheneti
është vendbanim i të devotshmëve. Vendbanim me kopshte nën të cilët
rrjedhin lumenj, vendbanim në të cilin pallatet janë me tulla të arta e
të argjendta dhe balta e tij është misk.
Në xhenet gjithashtu ka
njerëz, të cilët qeshin e nuk qajnë, ka fytyra të shndritura e të
gëzuara. Begatitë e tij janë të përhershme. Në të mund të shihet Allahu i
Lartësuar.
Në xhenet ka gjëra, të cilat nuk i ka parë syri, nuk i ka
dëgjuar veshi e as nuk i ka paramenduar mendja e njeriut. Të bëjmë një
shëtitje me fjalët e Allahut në xhenet:
"Dhe përgëzoji ata që besojnë
dhe punojnë mirësi e drejtësi (sipas këtij besimi), se për ta do të
ketë kopshte të begatë (të xhenetit) nën të cilët rrjedhin lumenj. Çdo
herë që do t’u shërbehet me fruta të tij, ata do të thonë: "Këta janë
nga ç’na është shërbyer më parë”, e atyre do t’u jepen gjëra të ngjashme
(në formë, por me shije të ndryshme); atje do të kenë bashkëshorte të
pastra (pa të përmuajshme, pa nevoja) dhe atje do të qëndrojnë
përgjithmonë.” (Bekare, 25).
"Por ata që besojnë (në njëshmërinë e
Allahut dhe në gjithçka që përmban Islami) dhe bëjnë vepra të njerëzve
të drejtë, Ne do t’i pranojmë ata në Kopshtet (e xhenetit) poshtë të
cilëve rrjedhin lumenj, për të banuar atje përgjithmonë. Atje do të kenë
për bashkëshorte vasha të dëlira. Do t’i pranojmë edhe nën hije të
gjera e gjithnjë e më të thella.” (Nisaë, 57).
"Allahu u ka premtuar
besimtarëve dhe besimtareve kopshte të begat të xhenetit nën të cilët
rrjedhin lumenj për të banuar ndër ta ngaherë dhe në vilat mahnitëse në
kopshtet e xhenetit të Adnit. Por lumturia më e madhe është Kënaqësia e
Allahut. Ky është ai ngadhënjimi më i madh.” (Tevbe, 72).
"Ndërsa ata
që besuan (në Allahun, në të Dërguarin e Tij, në Islam) dhe punuan
mirësi e drejtësi, do të futen në kopshtet e xhenetit nën të cilët
rrjedhin lumenj për të banuar atje përgjithmonë, me lejen dhe vullnetin e
Zotit të tyre. Përshëndetja e tyre atje do të jetë: Selam (paqe!)"
(Ibrahim, 23).
"Me të vërtetë që muttekunët (të përkushtuarit në
besimin e pastër islam) do të jenë ndër kopshte të begatë dhe lumenj (të
xhenetit). Në Kuvendin e së Vërtetës (në xhenet) pranë Mbisunduesit
Fuqiplotë (Allahut, i Gjithëlavdëruari,më i Larti, Zotëruesi i
Madhështisë dhe Nderimeve).” (Kamer, 54-55).
"Përveç robërve të
zgjedhur të Allahut (njerëzit me besim të plotë, të bindur, besimtarë të
vërtetë në Fenë e Allahut, në Islam). Për këta do të ketë dhuratë të
njohur (në kopshtet e xhenetit), Fruta; dhe do të nderohen, Në Kopshtet e
lumturisë, Në frone të nderit përballë njëri-tjetrit. Rrotull do t’u
sillen kupa me pije të kulluar, E bardhë, e shijshme për ata që e pinë.
Nuk ka në të as gaul (dhembje, shqetësime ose gjynahe) që të vijnë prej
saj dhe as nuk do të helmohen a dehen prej saj. Dhe me ta do të jenë gra
të dëlira me sy të mëdhenj me bukuri e mrekulli që i ndalojnë shikimet e
tyre (duke mos dëshiruar askënd veç bashkëshortëve të tyre). (Të
brishta, të pastra) si të ishin vezë (të fshehura) të ruajtura mirë.”
(Safatë, 40-49).
”Sigurisht që muttekunët (të përkushtuarit në
besimin e pastër islam) do të jenë në vendin e sigurisë (xhenet). Ndër
kopshte e burime, veshur në mëndafsh të butë e mëndafsh të trashë
përballë njëri-tjetrit, Kështu (do të jetë) dhe do t’i martojmë ata me
hyritë (bukuroshet e brishta) me sy të mëdhenj të mrekullueshëm. Ata do
të kërkojnë aty nga çdo lloj frute në paqe e siguri; Kurrë më nuk do të
shijojnë atje vdekjen, përveç vdekjes së parë (në dynja) dhe Ai (Allahu)
do t’i ruajë ata prej ndëshkimit të zjarrit flakërues, si Mirësi nga
Zoti yt! Mu kjo do të jetë vërtet arritja më e lartë!” (Duhanë, 51-57).
Të nderuar agjërues!
Kjo është vetëm një shëtitje e vogël në xhenet.
Allahu im! Mos më privo nga këto të mira