Prizreni vazhdon të jetë qytet i veçantë në përjetimin e ditëve dhe netëve të Ramazanit. Aktivitetet kulturore dhe fetare nuk mungojnë për asnjë ditë dhe asnjë natë.
Risia kryesore e Ramazanit të këtij viti është iftari i organizuar nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Prof. Dr. Ramadan Muja. Me propozim të Partisë së Drejtësisë, e cila është partnere e koalicionit të pushtetit lokal në Prizren, Kryetari i Komunës, Ramadan Muja po organizon iftare të përbashkëta për 200 persona për çdo natë në njërën nga restorantet private të qytetit. I tërë ky aktivitet financohet nga Komuna, aty ku derdhen shumica e taksave tona që i paguajmë si qytetarë të Republikës së Kosovës.
Për iftaret e përbashkëta është përkujdesur edhe KFOR-i Turk, i cili mirëpret për çdo natë nga 150 persona në ambientin e hapur te ish parkingu në qendër.
Disa orë para iftarit rrugët e Prizrenit janë shumë aktive. Disa nga puna kthehen në shtëpi, të tjerët shkojnë për iftar tek të afërmit e disa të tjerë kthehen nga pazari me perime për ta përgatitur sallatën e iftarit.
Nga furrat e vogla dalin njerëz me tepsi në dorë të mbushura me “pitajka me vo”, ndërsa era e këndshme e “pitajkave” dhe e “toplive” mbush rrugët e qytetit.
Ezani i akshamit i boshatis të gjitha rrugët e qytetit. Për ata që agjërojnë dhe ata që nuk agjërojnë, respekti ndaj sofrës së iftarit mbetet ende i gjallë.
Nëse planifikoni që ndonjë natë të Ramazanit ta kaloni në Prizren, atëherë ju preferojmë që namazin e teravisë ta falni në oborrin e xhamisë së Emin Pashës. Namazi në ambient të hapur i përcjellur me flladin e mbrëmjes dhe nën zërin shumë të bukur të Hafëz Dautit, imamit të xhamisë, do t’ju japin një përjetim të këndshëm dhe të paharruar nga vizita në Prizren gjatë Ramazanit.
Pas namazit të teravisë mund ta vizitoni Panairin Kulturor që organizohet përball xhamisë së Emin Pashës, në oborrin e Hamamit. Organizatori i këtij panairi është OJQ AKEA ndërsa ky është Ramazani i katërt që AKEA organizon këtë Panair.
Muret e lashta dhe kalldrëmi i Hamamit, muzika orientale, kamerierët me veshje tradicionale, çaj dhe kafe turke, boza, bakllava, sytliaç, minaret përreth, do t’ju bëjnë të ndihem sikur jeni kthyer prapa në kohë.
Panairi Kulturor është një ndër atraksionet më të mëdha të netëve të Ramazanit. Qindra vizitorë vërshojnë për çdo natë hapësirën e vogël të oborrit të hamamit për t’i shijuar ëmbëlsirat e vjetra të cilëve assesi nuk i kalon ‘moda’ në Prizren.
Në Panairin Kulturor marrin pjesë edhe tregtarë lokal të cilët bën shitjen e librave, stolive dhe të veshjeve kombëtare.
Një panair i ngjashëm është organizuar edhe përball Lidhjes së Prizrenit, tek “gjashtë qeshmet”, nga ana e OJQ-ës së të diplomuarve në Turqi.
Aktivitetet e OJQ-ës AKEA në Prizren kanë marrë hov gjatë muajit të Ramazanit.
Forumi i femrës i OJQ-ës AKEA, çdo vikend ka planifikuar shitjen e ëmbëlsirave në Panairin Kulturor me moton: “Blej një ëmbëlsirë, ndihmo një skamnor”. Të gjitha ëmbëlsirat përgatiten nga vetë anëtaret e organizatës, ndërsa i tërë fitim shkon për rastet sociale.
Nga aktivitetet e tjera të AKEA-s, të organizuara enkas për muajin e Ramazanit, veçojmë Turnirin në futboll të vogël dhe aksionin e madh humanitar “Shporta e Ramazanit”.
Edhe kanalet televizive, që operojnë nga Prizreni, “Besa” dhe “Ballkan”, kanë përgatitur programe të ndryshme speciale për nder të muajit të Ramazanit.
Në disa xhami të qytetit, në kohëra të ndryshme të ditës, vazhdon tradita e leximit të përbashkët të Kuranit, me qëllim të kryerjes së hatmes.
Nostalgjia për Ramazanet e vjetra mbetet ende tek më të moshuarit. Por, edhe kjo që po ndodh këto vitet e fundit sikur po jep shenjë se diçka ka filluar të lëviz nga vendi dhe t’i kthehet traditës, asaj të cilës i takojmë.