Mjekimi i karakterit të keq
Një njeri që fati e ka sprovuar me ndjenjën e mendjemadhësisë, le të mendojë për mangësitë e veta! Nëse është krenar për virtytet e veta, le të kërkojë pikat e dobëta të karakterit.
Nëse nuk arrin ti shohë fare mangësitë e veta, duke menduar se nuk ka asnjë të metë, le ta dijë se kjo do të jetë fatkeqësia e tij përgjithmonë, se ai është njeri më i mbushur me të meta, se ai është njeri me të metat më të mëdha dhe me perceptimin më të dobët. Pikësëpari, ai ka mendje të dobët dhe është injorant.
Nuk ka mangësi të më rëndë sesa këto të dyja, sepse i mençuri është ai njeri që arrin ti dallojë të metat e veta, lufton kundër tyre dhe përpiqet ti mposhtë ato. Kurse idiot është ai që nuk i di të metat e vetvetes, ose për shkak se ka dije e mprehtësi të mangët dhe mendim të dobët, ose ngaqë mendon se të metat e tij janë cilësi të mira. Kjo është e meta më e keqe në faqe të dheut. Ka shumë njerëz që lavdërohen se bëjnë kurvëri, se janë homoseksualë, se vjedhin, shtypin etj., dhe krenohet me këto akte të turpshme e me mundësinë që kanë për ti kryer ato.
Dije mire se nuk ka njeri pa të meta, përveç profetëve. Allahu i bekoftë. Kush nuk i sheh të metat e vetvetes, mund të arrijë në një shkallë të tillë marrëzie, poshtërsie, fëlliqësie, e dobësie të mprehtësisë, mendjes dhe intelektit, aq sa të mos dallohet prej njerëzve të ulët dhe të mos ketë pozitë më të degraduar se ajo e tija. Një njeri i tillë duhet ta shpëtojë veten duke kërkuar të metat e saj dhe të merret me to e jo me mangësitë e të tjerëve, të cilat nuk e dëmtojnë atë as në këtë jetë e as në jetën e përtejme.
Nuk di ndonjë të mirë nga dëgjimi i të metave të njerëzve, përveç faktit se kush i dëgjon ato, mund të nxjerrë mësime për ti shmangur ose për ti hequr ato nga vetja, me ndihmën dhe fuqinë e Allahut. Megjithatë, të përflasësh të metat e të tjerëve, është një turp i madh që nuk mund të përligjet. Është detyrë të largohesh prej këti vesi, përjashto rastin kur duhet të këshillosh dikë që ke frikë se mos ndikohet nga ai të cilin po kritikon; ose kur duhet të qortosh një njeri mburravec, por këtë gjë t’ia thuash në fytyrë, jo pas krahëve. Pastaj duhet ti thuash atij që ti hedhë një vështrim vetes, dhe që nëse i dallon të metat e saj, atëherë ka gjetur ilaçin për krenarinë e tij.
Mos e krahaso veten me dikë që ka më shumë faje se ty, sepse kështu do ta kesh më të lehtë të bësh mëkate dhe do të jesh imitues i njerëzve të këqij. Nëse imitimi i verbër i njerëzve të mirë është i ndaluar, ç’mund të thuhet për imitimin e njerëzve të këqij?!
Por veten duhet ta krahasosh me atë që është më i mirë se ty, dhe atëherë krenaria jote do të zhduket e ti do të çlirohesh nga kjo sëmundje e shëmtuar, e cila të bën ti nënçmosh njerëzit, ndërkohë që midis tyre, pa dyshim, ka njerëz më të mirë se ty. Nëse i nënçmon pa të drejtë njerëzit, ata do të të përçmojnë ty me të drejtë, sepse Allahu i Madhërishëm thotë: ‘’ Shpërblimi i një të keqeje është një e keqe si ajo ‘’ (Kuran, 42:40). Prandaj mësoje veten me faktin se mund të jesh i tillë që ta meritosh nënçmimin, madje përveç tij edhe zemërimin e Allahut të Plotfuqishëm, së bashku me fshirjen e çdo gjurme të virtytit në shpirtin tënd.
Nëse ndihesh krenar për intelektin tënd, mendo për çdo ide të keqe që ka kaluar mendjen tënde dhe për iluzionet që ke krijuar, sepse atëherë ke për ta kuptuar mangësinë e intelektit tënd.
Nëse ndihesh krenar për idetë e tua, kujtoji gabimet, mbaji mend dhe mos i harro ato! Mendo për të gjitha ato herë kur ke kujtuar se gjykimi yt është i drejtë, pastaj ke dalë ndryshe nga çe mendoje, kur të tjerët kishin të drejtë, kurse ti e kishe gabim.
Nëse e bën këtë, do të vësh re se, më së paku, idetë e tua të drejta do të jenë të barabarta me idetë e tua të gabuara, dhe kështu do të dalësh as i fituar e as i humbur.
Porse më shumti do të vësh re se idetë e tua të gabuara do të jenë më shumë se idetë e tua të drejta, gjë që është e vërtetë për çdo njeri poshtë profetëve, Allahu u dhëntë paqe!
Nëse ndihesh krenar për punët e tua të mira, mendo për mëkatet, për mangësitë e tua dhe për jetën tënde në të gjitha aspektet e saj! Për Zotin, atëherë do të shohësh se ato ua kalojnë të mirave të tua dhe do ti fshijnë ato! Prandaj duhet të shqetësohesh gjatë për këtë dhe ta zëvendësosh krenarinë për veten me nënçmimin.
Nëse ndihesh krenar për diturin tënde, dije se ti nuk ke asnjë meritë për të, ngaqë ajo është një dhuratë e pastër që Zoti yt i Lavdishëm ta ka falur! Prandaj mos e këmbe atë me diçka që shkakton zemërimin e Tij, sepse Ai mund ta fshijë atë nga mendja jote, duke të të sprovuar me ndonjë sëmundje që do të të bëjë të harrosh gjithçka që ke mësuarapo ke nxënë.
Një histori e tillë i ka ndodhur Abdurrahman Ibn Tarifit, një dijetar intelegjent, i moderuar dhe i saktë në kërkimet e tij. Ai më ka treguar se i kishte rënë fati të zotëronte një kujtesë të jashtëzakonshme, aq sa pothuajse çdo gjë që i kalonte ndër vesh, nuk kishte nevojë t’ia përsërisnin.
Mirëpo njëherë, ndërmori një udhëtim me anije dhe përjetoi një situatë aq të tmerrshme në det, saqë harroi pjesën më të madhe të asaj që dinte. Aftësia e tij për të nxënë përmendësh iu dëmtua shumë dhe ai nuk e përtëriu më intelegjencën e vet. Edhe unë kam kaluar një sëmundje të tillë që, pasi u shërova, kisha humbur gjithçka që dija, përveç diçkaje të papërfillshme. Dijen arrita ta përtërij vetëm pas disa vitesh.
Dije se shumë njerëz që lakmojnë diturinë, i përkushtohen leximit, studimit dhe kërkimit, por nuk përfitojnë ndonjë gjë prej kësaj. Prandaj dijetari duhet ta dijë se, nëse dituria do të varej vetëm nga kërkimi i saj, shumë të tjerë do të ishin më lart se ai. Prandaj është e vërtetë se dituria është dhunti prej Allahut të Lartësuar; kësisoj, ku ka vend këtu për të qenë krenar?! Në të tilla rrethana, njeriu duhet vetëm që të jetë modest, të falënderojë Allahun dhe ti lutet Atij t’ia shtojë dhuntitë e jo t’ia heqë ato.
Gjithashtu, kujto se gjithçka që mbetet e fshehtë për ty, çdo gjë që ti nuk di prej degëve të ndryshme të shkencës dhe aspekteve të dijes ku ti je specializuar, pra, dituria në të cilën ti kujton se je futur, është shumë herë më e madhe nga ajo që ti di realisht. Prandaj, në vend që të krenohesh, duhet ta nënçmosh veten dhe ta shohësh atë si të mangët në fushën e dijes, sepse kështu do të ishte më mirë. Duhet të sjellësh ndër mend edhe ata që janë më të ditur se ty, dhe do të shohësh se ata janë shumë. Atëherë ule pak vlerësimin për veten!
Mendo pak edhe për mënyrën se si e keqpërdor diturinë, duke mos vënë në zbatim atë që ke mësuar! Atëherë dituria jote do të jetë si argument kundër teje, dhe do të ishte më mirë për ty sikur të kishe qenë i paditur. Dije se një situatë të tillë injoranti është më i mençur se ty, në një pozitë më të mirë dhe më i shfajësuar. Prandaj le të bjerë tërësisht krenaria jote!
Për më tepër, dituria me të cilën ti krenohesh se e ke zotëruar, mund të jetë një nga dijet e fundit në rradhë, të cilat nuk kanë ndonjë vlerë të madhe, si p.sh. poezia apo të tjera si ajo. Atëherë shiko dijen e të tjerëve që është më e lartë se dija jote në gradët e kësaj bote dhe të botës tjetër, dhe do të të ulet vlerësimi për veten.
Nëse ndihesh krenar për trimërinë tënde, mendo për ata që janë më trima se ty! Pastaj shiko se si eke përdorur guximin që të ka falur Allahu! Nëse e ke përdorur atë për mëkate, atëherë je budalla, sepse i ke harxhuar forcat e tua për gjëra të pavlera. Nëse e ke përdorur guximin në bindje të Zotit, dije se je duke e prishur atë nëpërmjet krenarisë. Gjithashtu duhet të t’kujtoj se një ditë trimëria ka për të lënë për shkak të pleqërisë dhe se, po jetove gjatë, do të hysh në rradhën e të dobëtëve, si fëmijët e vegjël! Por duhet të them gjithashtu se nuk kam parë më pak krenari sesa në radhët e trimave. Kjo më bën të mendoj se ata kanë shpirt të pastër, të lartë dhe fisnik.
Nëse ndihesh krenar për pushtetin tënd, mendo për kundërshtarët, rivalët dhe homologët e tu, njerëz që mund të jenë të mbrapshtë, të dobët dhe të ulët. Duhet ta kuptosh se ata janë njerëz të barabartë me ty në pozitë, edhe pse mund të të vijë turp nga ngjashmëria që ke me ta, për shkak të poshtërsisë së tyre të skajshme dhe të ultësisë së shpirtrave, sjelljeve dhe prejardhjes së tyre.
Prandaj nënçmo çdo pozitë të cilën e ndajnë me ty njerëz nga ata që sapo të përshkrova, edhe sikur të ishe pronari i të gjithë botës e nuk do të kishe kundërshtarë, gjë që s’ka mundësi të ndodhë, sepse nuk dimë asnjë që të ketë zotëruar gjithë tokën e banuar, sado e pakët dhe e vogël është sipërfaqja e saj në krahasim me pjesën e pabanuar.
Mendo sa e vogël do të ishte sikur të krahasohej me sferën qiellore që e rrethon! Kujto atë që i tha Ibn Semmaku Harun Rashidit, kur ky i fundit kishte kërkuar ti jepej një gotë ujë: ‘’ O Prijësi i besimtarëve! Nëse kjo pije do të të refuzohej, sa do të jepje për ta blerë?’’. Ai tha: ‘’ Të gjithë mbretërinë time!’’ Ibn Semmaku vazhdoi: ‘’ O prijësi i besimtarëve! Nëse diçka do të ta bllokonte këtë ujë për të dalë nga trupi, çfarë do të flijoje për ta zhbllokuar atë?’’. – ‘’Të gjithë mbretërinë time!’’- u përgjigj Rashidi. Atëherë ai i tha: ‘’ O Prijësi i besimtarëve! Si mund të mburresh me një mbretëri që nuk vlen as sa një gllënjkë ujë apo një urinim?!’’ Ibn Semmaku kishte të drejtë, Allahu e mëshiroftë!
Sikur të ishte mbreti i të gjithë muslimanëve, dije se mbreti i Sudanit, një njeri i zi, i poshtër dhe injorant që nuk i mbulon pjesët e turpshme të trupit, ka një mbretëri më të madhe se tënden.
Nëse thua se e ke fituar pushtetin me të drejtë, jo për jetën time, nuk e ke fituar atë me të drejtë nëse e përdor atë me arrogancë dhe nëse vendos drejtësinë! Prandaj turp të kesh nga gjendja jote, sepse ajo është një pozitë e ulët, një pozitë që nuk e do krenarinë!
Nëse ndihesh krenar për pasurinë tënde, kjo është një nga gradat më të ulëta të krenarisë. Shikoji të gjithë njerëzit e ulët e të poshtër, se ata jnë më të pasur se ty.
Prandaj mos u mburr me diçka ku ta kalojnë ata që përmenda. Dijse se mburrja me pasurinë është budallallëk, sepse ajo përbëhet nga gurë që nuk sjellin asnjë përfitim, përveçse kur i shpenzon në mënyrën e duhur. Pasuria shkon dhe vjen: ndoshta të shpëton nga duart dhe e sheh në duart e të tjerëve, ndoshta në duart e armikut tënd. Prandaj të mburresh me pasurinë është absurditet, dhe të mbështetesh tek ajo është kurth dhe dobësi.
Nëse ndihesh krenar për bukurinë tënde, mendo se çfarë do të shkaktojë tek ty ajo kur të ikë me kalimin e moshës: gjëra që kemi turp ti përmendim dhe ti ke turp ti dëgjosh!
Nëse ndihesh krenar për lëvdatat e shokëve për ty, kujto sharjet e armiqve, dhe atëherë krenaria do të të ikë. Nëse nuk ke armiq, atëherë ti nuk ke asnjë të mirë. Nuk ka pozitë më të ulët sesa ajo e të mos pasurit armiq. Ajo i rezervohet vetëm një njeriu, të cilit Zoti nuk i ka falur asnjë begati për tu pasur zili. Allahu na ruajttë!
Nëse mendon se fajet e tua janë të vogla, mendo sikur ato tu paraqiteshin njerëzve, imagjino sikur ata të të shihnin kështu, dhe atëherë do të të zërë turpi e do ta kuptosh masën e fajit tënd, në qoftë se ke pak mend!
Nëse do të mësoje mënyrën sesi formohet natyra njerëzore dhe si mbruhen karakteret nga përzierja e elementeve që janë të rrënjosura në shpirt, atëherë do të ishe plotësisht i bindur se për virtytet që zotëron, ti nuk ke asnjë meritë e se ato janë dhuratë prej Allahut, i Cili, nëse do t’ia falte ato dikujt tjetër, edhe ai njeriu do të ishte njësoj si ty; do të kuptojë se, nëse Ai do të të kishte lënë në varësi të forcave të tua, atëherë do të dështoje dhe do të shkatërroheshe. Prandaj, krenarinë për virtytet e tua zëvendësoje me falënderimin për Atë që ti ka dhuruar ato dhe me frikën se mos i humbësh ato, sepse sjelljet e mira mund të ndryshojnë për shkak të sëmundjeve, varfërisë, frikës apo inatit të pleqërisë.
Trego dhembshuri për atë që është privuar nga dhuratat që të janë bërë ty, dhe mos i lër tëtë humbasin begatitë që të janë dhënë për shkak të mosbindjes ndaj Atij që ti ka dhuruar, duke besuar se i ke marrë me meritë a me të drejtë, ose duke menduar se nuk ke nevojë për mbrojtjen e Tij. Po mendove kështu, herët a vonë do të shkatërrohesh. Unë për shembull, kam kaluar një sëmundje të rëndë, e cila me shkaktoi fryerje të shpretkës.
Nga kjo u bëra i mërzitshëm, grindavec, i paduruar dhe i rrëmbyer, gjë që më bëri të qortoja veten, sepse s’më pëlqeu ndryshimi i karakterit tim. U habita shumë nga fakti që kisha humbur natyrën time, dhe u binda se shpretka është qendra e temperamentit të mirë dhe se, po u sëmur, ajo prodhon temperament të keq.
Nëse ndihesh krenar për prejardhjen tënde, atëherë kjo është edhe më e keqe se gjithçka që kemi përmendur, sepse objekti i krenarisë tënde nuk ka asnjë lloj përfitimi, as në këtë jetë e as në jetën e përtejme. Mendo pak, a mund të të mbrojë prejardhja jote nga uria apo çnderimi, a mund të të bëjë dobi në jetën tjetër?! Më pas vëreji ata që kanë prejardhje të një grade me tënden, madje shih edhe më lart, ata që rrjedhin nga profetët (paqja qoftë me ta), nga kalifët, nga shokët e virtytshëm të Profetit Muhamed (a.s) joarabë, nga perandorët persë e romakë, nga mbretërit e Jemenit dhe mbretërit e tjerë të Islamit!!
Shih ç’kanë qenë dhe ç’ka mbetur prej tyre! Do të shohësh se shumica e atyre që krenohen me atë që krenohesh ti, janë po aq të ulët sa qentë. Ata kanë rënë aq poshtë, kanë ndryshuar aq shumë, kanë përvetësuar aq vese, saqë nuk duhet të kënaqesh me diçka, ku këta njerëz janë si ty apo më lart se ty!
Për më tepër, ndoshta këta paraardhës me të cilët ti krenohesh, kanë qenë njerëz të pabindur, pijanecë, të shthurur, mendjelehtë dhe budallenj, që fati i ka lejuar të sillen me tirani dhe despotizëm, duke prodhuar vetëm padrejtësi dhe gjurmë të shëmtuara, turpi i të cilave do të mbetet përjetë.
Mëkati i tyre do të jetë shumë i madh në Ditën e Gjykimit dhe pendimi për të po aq. Nëse është kështu, atëherë dije se objekti i krenarisë tënde është diçka që të bën të ndiesh turp, poshtërim, faj e çnderim dhe jo krenari.
Në qoftë se ndihesh krenar për paraardhësit e tuë që kanë qenë njerëz të virtytshëm, dije se do të mbesësh duarbosh nga virtyti i tyre, nëse vetë nuk je i atillë. Ata nuk kanë aspak nevojë për ty, as në këtë jetë e as në tjetrën, nëse nuk vepron mirë. Të gjithë njerëzit janë bij të Ademit, të cilin Allahu e krijoi me Dorën e Vet, i dha Parajsën për vendbanim dhe i urdhëroi engjëjt ti përulen atij. Por kjo do tu vlejë atyre fare pak, përderisa midis tyre ka shumë njerëz me moral të mangët, njerëz të shthurur e mosbesimtarë.
Nëse njeriu i mençur e sheh se meritat e paraardhësve të tij nuk e afrojnë atë me Zotin e tij Fuqiplotë dhe nuk bënë që të fitojë as prestigj e as pasuri, që ai nuk mund ti arrinte me fatin apo meritën e vet, atëherë ç’kuptim ka të krenohesh me diçka të padobishme?!
Njeri që krenohet me diçka të tillë është njëlloj si ai që krenohet me pasurinë e fqinjit apo me pozitën e të tjerëve, ose si ai që krenohet me kalin e huaj, sepse një herë ky kalë ka vënë frerët që ishin pronë e tij! Siç thotë një fjalë e urtë, popullore: Si budallai që mburret me zgjuarsinë e të atit!
Në qoftë se krenaria të shtyn në mburrje, atëherë rëni jotë përkeqësohet edhe më tej, sepse intelekti yt nuk është në gjendje të kontrollojë krenarinë që ndien. Kjo është e vërtetë nëse mburresh me diçka të vërtetë; po kur mburresh me diçka të rreme?!
I biri i Nuhut, babai i Ibrahimit dhe Ebu Lehebi- xhaxhai i profetit Muhamed (Allahu i dhëntë bekim dhe paqe), ishin nga njerëzit më të afërt për këta profetë, këta krijesa më të mira të Allahut. I gjithë nderi dhe virtyti qëndron në ndjekjen e gjurmëve të tyre, por këta të afërm nuk përfituan nga kjo gjë. Nga ana tjetër, ka pasur njerëz që kanë lindur të jashtëligjshëm, por që kanë arritur pozitat më të larta në qeverisjen e punëve të kësaj bote, si Zijad Ibn Ebih (v.53h/ 672e.s.) dhe Ebu Muslim Horasani (v.129h / 764 e.s), ashtu siç kanë arritur majat në virtyt njerëz si ata që ne i respektojmë shumë, për ti përmendur në këtë kontekst. T’i duash këta njerëz dhe të ecësh në gjurmët e tyre të lavdishme është vepër që të afron me Allahun e Lartësuar.
Nëse ndihesh krenar për fuqinë tënde fizike, kujto se mushka, gomari dhe kau janë më të fortë se ty mbajnë më shumë pesha.
Nëse ndihesh krenar për zhdërvjelltësinë tënde, dije se qeni dhe lepuri ta kalojnë ty në këtë disiplinë! Është shumë e habitshme që një qenie inteligjente të krenohet me një cilësi, në të cilën ia kalojnë kafshët pa intelekt.
Dije se një njeri që ka brenda vetes krenari, apo mendon se është më i mirë se të tjerët, duhet të shohë veten se sa do të durojë kur zihet në befasi nga ndonjë anksh, katastrofë, dhimbje, mundim apo fatkeqësi!
Nëse e sheh se duron pak, atëherë ta dijë se të gjithë njerëzit që u ka rënë për pjesë të vuajnë, si p.sh. lebrosët e të tjerë durues vuajtjesh, janë më të virtytshëm se ai, edhe pse mund të jenë më poshtë në intelekt. Por, nëse e sheh se ai është i durueshëm, le ta dijë se nuk ka bërë ndonjë gjë të re, që se kanë bërë ata që përmendëm më lart.
Madje ai mund të jetë më ulët se ata në këtë pikë, ose i barabartë me ta. Më pas, le të shohë sjelljen e vet: a vepron me drejtësi apo me padrejtësi në çka i ka dhënë Allahu në përdorim, si p.sh. dhuntitë, paranë, shërbëtorët, skllevërit, shëndetin etj.? Nëse e sheh veten se nuk është treguar mirënjohës sa duhet kundrejt Dhuruesit të tij të Plotfuqishëm, dhe se ka qenë i padrejtë, atëherë le ta dijë se njerëzit e drejtë, mirënjohës e të ndershëm, që kanë pasur favore edhe më të shumta, janë më të virtytshëm se ai.
Nëse e sheh veten se ka vepruar me drejtësi, atëherë duhet ta kuptojë se njeriu i drejtë nuk e do aspak ndjenjën e krenarisë, sepse ai e njeh mirë peshën e vërtetë të gjërave dhe vlerat e vetive morale, dhe sepse ai i përmbahet rrugës së mesme, e cila është pika e ekuilibrit midis dy ekstemeve të dënueshme. Kështu, nëse do të ndiente krenari, nuk do të ishte i drejtë; përkundrazi, do të anonte drejt njërit prej dy skajeve të dënueshme.
Duhet ta dish se nëpërkëmbja dhe keqtrajtimi i njerëzve mbi të cilët Zoti të ka dhënë pushtet, si skllevërit apo nënshtetasit, janë tregues të poshtërsisë së shpirtit, të ultësisë së ambicies dhe të dobësisë së intelektit. Vërtet, një njeri i zgjuar,me shpirt fisnik dhe ambicie të lartë, lufton vetëm me ata që janë të barabartë me të në forcë dhe pushtet.
Ndërsa të veprosh kundër dikujt që nuk mund të mbrojë veten, kjo tregon një natyrë të poshtër, një shpirt dhe karakter të ulët, tregon dobësi dhe pandershmëri. Kush vepron kështu është njëlloj si dikush që krekoset se ka vrarë një mi a plesht, apo se ka shtypur një morr. Kaq mjafton për të qenë i ulët dhe i poshtër!
Dije se edukimi i vetes është më i vështirë se zbutja e luanit!
Nëse luanët mbyllen në kafazet që i kanë caktuar mbretërit për ta, nuk mund të të bëjnë keq, ndërsa vetja, edhe po u burgos, sërish mundë të të dëmtojë.
Ndjenja e krenarisë është si një trung, degët e të cilit janë krekosja, vetëkënaqësia, mendjemadhësia, arroganca dhe fodullëku. Këto sinonime kanë kuptime të përafërta, prandaj shumica e njerëzve e kanë të vështirë të bëjnë dallim midis tyre. Krenaria mund të vijë si pasojëe një virtyti të dukshëm te personi që ndihet krenar.
Kështu p.sh. dikush ndihet krenar për diturinë që zotëron, dhe i shikon të tjerët vrenjtur e me përbuzje. Dikush ndihet krenar për veprat e tij, dhe i sheh të tjerët nga lart. Dikush mahnitet nga mendimi i vet, dhe shfaqet i vetëkënaqur para njerëzve. Dikush ndihet krenar me prejardhjen e vet, dhe krekoset. Dikush ndihet krenar me reputacionin dhe pozitën e lartë që zotëron, prandaj sillet me mendjemadhësi dhe arrogancë.
Grada më e poshtme e të ndierit krenar është kur njeriu kursehet nga e qeshura, atëherë kur ka vend për të qeshur, si dhe kur i ka me kursim lëvizjet apo përgjigjet e shkathëta, përveçse atëherë kur këto janë të pashmangshme në jetën e përditshme.
Sigurisht që ky nuk është ndonjë faj i madh. Megjithatë, sikur këto veprime ti kishte bërë me qëllimin për të qenë serioz dhe për të mos humbur kohë me gjëra të tepërta, kjo sjellje e tij do të ishte virtyt i denjë për tu lavdëruar. Mirëpo ai vepron kështu për të nënçmuar njerëzit dhe për tu ndier krenar me veten, prandaj meriton të dënohet, sepse ‘’ veprat vlerësohen sipas qëllimeve dhe çdo njeri do të shpërblehet sipas qëllimit që ka pasur’’.
Më tej, në qoftë se njeriu nuk është aq i zgjuar dhe i fortë sa ta mbajë krenarinë brenda kufijve të saj të drejtë, tek ai do të shfaqen përbuzja dhe përçmimi i njerëzve me fjalë dhe vepra.
Sa më tepër të rritet dobësia e mprehtësisë dhe intelektit të njeriut, aq më shumë ai do ta shprehë fodullëkun e tij ndaj njerëzve me fyerje, me ngritje dore, me urdhra, me shtypje dhe tirani, që ti mbajë të bindur dhe të nënshtruar, nëse do ta ketë këtë mundësi. Në qoftë se do ta ketë të pamundur të veprojë kështu, njeriu fodull do të lavdërojë veten dhe do të mjaftohet me sharjen dhe talljen e të tjerëve.
Krenaria mund të lindë edhe për shkaqe të pakuptimta, ose që nuk kanë të bëjnë me ndonjë virtyt të personit që ndihet krenar; kjo është një nga çuditë e saj. Kësaj dukurie populli i thotë: ‘’ Edhe qeros, edhe fodull !’’ Më së shumti atë e vërejmë te gratë, apo te burrat që kanë mendje femre.
Ajo është krenaria e atij që nuk ka asnjë cilësi të mirë: as dituri, as trimëri, as pozitë të lartë, as prejardhje fisnike e as pasuri që mund ta bëjë autoritar. Për më tepër, një njeri i tillë e di që nuk zotëron asgjë prej asaj që përmendëm, sepse ato janë çështje të cilat nuk i ngatërrojnë as fëmijët që luajnë me gurë. Por në kësi rastesh mund të mashtrojë veten vetëm një njeri që zotëron pak cilësi të mira dhe, për shkak se ka pak mend, mund të kujtojë se ka arritur kulmin në këtë se ka pak mend, mund të kujtojë se ka arritur kulmin në këtë cilësi. Kështu për shembull, një njeri me pak dije mund të kujtojë se është ekspert i përkryer, ose një njeri me prejardhje tiranësh jo fort të mëdhenj mburret me ta, edhe më shumë seç mund të mburrej i biri i Faraonit, njeriut të hunjve.
Një njeri i tillë, nëse do të zotëronte pak cilësi kalorësiake, do të mendonte se mund të mposhtte Ali Ibn Ebi Talibin dhe Jasir El- Zubejrin, apo të vriste Halid Ibn Velidin! Nëse do të zotëronte pak pushtet, ai nuk do të pyeste fare për Aleksandrin e Madh. Nëse do të kishte fuqi për të fituar ca para, pak më shum se çi nevojitet për tu ushqyer, ai do të ndihej krenar sikur të kishte kapur diellin për brirësh.
Megjithatë, krenaria ndër njerëz të tillë, edhe pse janë të çuditshëm, nuk është e zakonshme. Çka të bën më shumë përshtypje është se krenarinë e gjejmë më së shumti tek ata që nuk kanë asnjë grimë diturie, fisnikërie, pasurie, pozite apo trimërie. Madje njerëz të tillë mund ti shohësh që, edhe pse nën kujdestarinë e të tjerëve, i fyejnë ata që kanë nën vete. Megjithëse e dinë se nuk kanë gjë prej gjëje, përsëri fryhen dhe mbahen me të madh.
Njëherë pata rastin të pyes urtë e butë njërin prej tyre se cili ishte shkaku i skrutës së tij dhe përse i nënçmonte të tjerët. Përgjigjja e vetme që munda të marr prej tij, ishte: ‘’ Unë jam i lirë, nuk jam robi i askujt’’. Atëherëi thashë: ‘’ Shumica e njerëzve që shikon, ndajnë me ty këtë viryt. Edhe ata janë të lirë si ty, përveç disa skllevërve, të cilët janë më bujarë se ty dhe të japin urdhra ty e shumë njerëzve të lirë’’. Nuk munda të marr më përgjigje nga ai.
Më pas iu ktheva shqyrtimit me hollësi të rastit të kësaj kategorie njerëzish. Mendova gjatë rreth tij, për disa vite radhazi, që të gjeja motivin e kësaj krenarie të pajustifikuar.
Në vazhdimësi hulumtova brendinë e shpirtrave të tyre, që reflektohej në situatën e tyre të jashtme dhe në qëllimet e fjalëve të tyre.
Atëherë arrita në përfundimin se ata kujtonin se kishin një intelekt të lartë dhe mprehtësi gjykimi origjinale, të cilët, nëse rrethanat do t’ua bënin të drejtonin mbretëri të fuqishme dhe do të shfaqeshin meritat e tyre mbi njerëzit e tjerë; nëse do të kishin pasuri, do të dinin si ta shfrytëzonin mirë atë. Prej këtij mendimi kanë zhbiruar në shpirtin e tyre fodullëku dhe ndjenja e krenarisë.
Në këtë pikë, diskutimi mund të bëjë një devijim të çuditshëm dhe të nxjerrë në pah një paradoks. Ai është fakti se asnjë virtyt, përveç intelektit dhe mprehtësisë, është i tillë që, sa më pak zotërojë njeriu prej tij, aq më tepër beson ai se e ka përvetësuar atë dhe aq më shumë bindet se ka arritur përsosmërinë në këtë cilësi. Gjendja ka arritur deri aty se njeriu mund të shohë një të çmendur të plotë apo një të dehur tapë të tallet me një njeri normal; një injorant me të meta të tallet me njerëzit e urtë dhe dijetarët e nderuar; djemtë e vegjël të tallen me pleqtë; budallenjtë e pacipë të tallen me njerëzit e mençur e të përmbajtur; gratë më të dobëta ti quajnë të mangëta mendjet dhe mendimet e burrave të mëdhenj. Me pak fjalë, sa më i mangët të jetë intelekti i një njeriu, aq më shumë e kujton veten ai se është njeriu me inteligjent e më i mprehtë! Ky fakt nuk është i vërtetë edhe për për virtytet e tjera, sepse ai që nuk zotëron asgjë prej tyre, e di këtë gjë dhe nuk krenohet. Por në këtë pikë ngatërrohet vetëm ai që zotëron pak nga ato virtyte, sado pak, sepse nëse ka mprehtësi të dobët, ai e imagjinon veten sikur zotëron grada të larta të virtytit.
Për të mjekuar krenarinë e njerëzve të tillë, kura: varfëria dhe mosnjohja. Nuk ka kurë më efektive se kjo, përndryshe haraçi dhe dëmi që i shkaktojnë ata njerëzve është shumë i madh. I sheh ata të mos bëjnë punë tjetër, përveçse të përbaltin njerëzit, të cenojnë nderin e tyre e të tallen me të gjithë, duke iu shmangur fakteve të vërteta dhe duke u marrë me gjëra që su takojnë. Për shkak të këtyre sjelljeve ata mund ta fusin veten në sharje e zënka, madje mund të kërkojnë edhe rrahje e grushte, me pretekstin më të vogël që gjejnë.
Mund të ndodhë që krenaria të fshihet brenda shpirtit të njeriut dhe të shfaqet sapo ai të arrijë pak para apo sukses, në qoftë se arsyeja e tij nuk e mposht apo nuk e fsheh këtë ndjenjë.
Diçka interesante që kam vënë re te një nga njerëzit mendjelehtë, është se dashuria që fshihte për djalin e tij të vogël dhe për gruan e vet e kishte mbizotëruar aq shumë, saqë ai i përshkruante ata në publik sikur ishin tepër të zgjuar. Madje thoshte për të shoqen: ‘’ Ajo është më e zgjuar se unë. Unë q quaj bekim këshillën e saj’’. Ka shumë njerëz mendjelehtë që i lavdërojnë gratë e veta në publik për bukurinë, hijeshinë dhe gjallërinë e tyre, aq sa sikur të ishin shkesët e tyre, nuk do të thoshin ndonjë gjë më shumë për ti bërë të tjerët të dëshirojnë martesën me to. Sjellje e tilla vijnë vetëm nga njerëz me intelekt të dobët dhe pa vetëvlerësim.
Ruaju nga mburrja, sepse kush të dëgjon, nuk të beson, edhe nëse thua të vërtetën ! Madje ai mund ta konsiderojë atë që dëgjon prej teje si të metën tënde të parë!
Asnjëherë mos lavdëro askënd në fytyrë, sepse kjo është sjellje e servilëve të ulët!
Asnjëherë mos kritiko askënd, as në fytyrë e as prapa shpine, sepse ka shumë punë për të rregulluar vetveten.
Ki kujdes që të mos shtiresh si i varfër, sepse s’ke për të arritur gjë, përveç akuzës se gënjen apo përçmimit nga ana e atij që të dëgjon. Për më tepër, nga kjo sjellje nuk ke asnjë përfitim, përveçse mohon begatitë që të ka falur Zoti yt i Madh dhe i ankohesh atij që nuk të mëshiron.
Gjithashtu, ki kujdes që të mos e përshkruash veten si i pasur, sepse me këtë vetëm sa do të shtosh lakminë e atij që të dëgjon! Mos bëj më shumë sesa të falënderosh Allahun e Madhërishëm, të kujtosh nevojën që ke për Të dhe mospasjen nevojë për të tjerët poshtë Tij! Në këtë mënyrë ke për të mbajtur dinjitetin tënd, kurse ata që lakmojnë gjënë tënde do të të lënë të qetë.
I mençur është ai që nuk i lë pas dore detyrat që ia dikton intelekti i tij.
Ai që i tundon njerëzit me pasuritë e veta, nuk ka se ç’të bëjë tjetër, përveçse ti ndajë ato me ta – dhe kjo s’do të ketë fund – ose ti refuzojë, gjë që do të shkaktojë sharje dhe armiqësi tek ata. Prandaj nëse dëshiron që ti japësh dikujt diçka, bëje këtë para se ai të ta kërkojë. Kjo është më fisnike, më e pastër dhe më e denjë për tu lavdëruar.
Diçka e veçantë e zilisë ështl se ziliqari, kur dëgjon dikë që të ketë sjellë diçka të paparë në ndonjë fushë të dijes, thotë: ‘’ Kjo është diçka që s’të ngroh. Askush nuk e ka zbuluar dhe askushnuk ek a thënë këtë më parë’’.
Por, nëse i njëjti person dëgjon dikë të shpjegojë diçka jo të re, ai thotë: ‘’ Kjo është diçka që s’të ngroh, nuk është ndonjë gjë e re’’. Ky është soj i lig njerëzish, sepse i kanë vënë vetes detyrën për tu ulur në rrugën e diturisë dhe për ti penguar njerëzit prej saj, me qëllim që të shtohen injorantët si ata.
Njeriu me natyrë të prishur mendon se urtësia nuk i bën dobi njeriut të urtë, sepse ai i pandeh të gjithë njerëzit të ligj si vetja.
Kështu, kam parë njerëz me karakter të poshtër, të cilët mendonin në veten e tyre të ligë se të gjithë njerëzit kishin të njëjtin karakter si ata, dhe në asnjë mënyrë nuk besonin se mund të kishte njeri të dëlirë nga veset e tyre. Ky është shembulli më i keq i karakterit të shprishur dhe më të largët nga çdo virtyt e mirësi. Prej çdokujt që ka këtë karakter, nuk pritet që të shërohet ndonjëherë. Allahu i Plotfuqishëm na ndihmoftë!
Drejtësia është kështjellë në të cilën strehohen të gjithë ata që janë të frikësuar. Në fakt, edhe tirani, edhe jotirani, që të dy kërkojnë drejtësi kur shohin se dikush kërkon tu bëjë padrejtësi, dhe e dënojnë padrejtësinë. Por asnjëherë nuk mund të shohësh dikë të dënojë drejtësinë. Pra, ai që ka drejtësinë në natyrën e vet, jeton i qetë në kështjellën e tij të fortifikuar.
Përbuzja është një nga llojet e tradhtisë, sepse dikush mund të të tradhtojë pa të përbuzur, ndërsa ai që të përbuz, ka tradhtuar paanësinë që duhet të tregojë kundrejt teje. Prandaj, çdo përbuzës është tradhtar, dhe jo çdo tradhtar është përbuzës.
Të përbuzësh një send prej të cilit mund të përfitosh, do të thotë të përbuzësh të zotin e atij sendi.
Dy janë ato situata, ku është mirë të bësh diçka, që në rrethana të tjera do të ishte e keqe: kur qorton dhe kur shfajësohesh. Në këto dy situata është mirë që të numërosh nderet dhe të kujtosh të mirat që ke bërë në të kaluarën. Në rrethana të tjera, ky veprim do të ishte shumë i shëmtuar.
Nuk është turp që dikush të ndiejë prirje natyrore drejt disa veseve, qofshin ato fajet më të këqija dhe veset më të mëdha, për sa kohë që nuk i shfaq ato në fjalët apo veprat e veta.
Madje një njeri i tillë mund të meritojë më shumë lëvdata se dikush që ka prirje natyrore drejt virtyteve, sepse ai ka arritur që të mbajë nën kontroll natyrën e vet të shprishur, gjë që arrihet vetëm me një mendje të fortë e të virtytshme.
Tradhtia që cenon nderin bashkëshortor është më e rëndë se tradhtia që cenon jetën.
Nderi është më i shtrenjtë për një njeri fisnik, sesa pasuria.
Njeriu fisnik e shfrytëzon pasurinë për të ruajtur trupin e vet, e shfrytëzon trupin për të ruajtur shpirtin e vet, e shfrytëzon shpirtin për të ruajtur nderin e vet, dhe e shfrytëzon nderin për të ruajtur fenë e vet. Por asnjëherë nuk duhet ta flijojë fenë për të ruajtur ndonjë gjë tjetër.
Tradhtia që cenon nderin është më serioze se tradhtia që cenon pasurinë. Argument për këtë është fakti se pothuajse çdo kush, edhe njerëzit e virtytshëm, kanë cenuar ndonjëherë nderin e dikujt. Ndërsa vjedhja pasurisë, e rrallë apo e shpeshtë qoftë, vjen vetëm nga një njeri i ulët, që është larg virtytit.
Analogjia midis situatave të ndryshme është mashtruese dhe e pavërtetë në shumicën e herëve. Të përdorësh një metodë të tillë në fe, është e palejushme.
Një njeri që imiton verbërisht të tjerët, pranon që të mashtrohet në intelektin e tij, megjithëse ndoshta do ta quante diçka shumë të rëndë sikur të mashtrohej në pasurinë e vet. Në të dyja rastet ai është i gabuar. Në fakt, një njeri që urren t’ia hedhin me paratë e veta, dhe e quan këtë krimin më të rëndë, ka natyrë koprraci, ambicie të ulët dhe shpirt të poshtër.
Kush nuk i njeh virtytet, le të mbështetet tek urdhrat e Allahut dhe të Profetit të Tij (Zoti i dhëntë paqe dhe bekim), sepse ato përmbajnë të gjitha virtytet.
Ka rreziqe që ndodhin për shkak të përpjekjes së tepruar për tu ruajtur nga ato. Ka sekrete që dalin në shesh për shkak të përpjekjes së tepruar për ti fshehur ato. Ndonjëherë, të kthesh kokën nga diçka, sjell më dyshime sesa të ngulësh vështrimin tek ajo gjë. Shkaku i efektit të kundërt në gjithë sa përmendëm, është teprimi që kapërcen kufijtë e sjelljes së ekuilibruar.
Virtyti është e mesmja që ndodhet midis dy skajeve: teprimit dhe indiferencës. Të dyja ekstremet janë të dënueshme, përveç intelektit, për të cilin nuk ka ‘’teprim’’, ndërsa virtyti që ndodhet midis tyre, është i lavdërueshëm.
Është për tu habitur se virtytet shihen si të bukura, por edhe të vështira, kurse veset shihen si të shëmtuara, por edhe të lehta.
Kush kërkon të jetë i drejtë, le ta imagjinojë veten në vend të armikut të tij, sepse kështu do të dallojë se ku tregohet i padrejtë.
Përkufizimi i maturisë është të dallosh mikun nga armiku.
Ndërsa kulmi i budallallëkut dhe i dobësisë është të mos dallosh armikun nga miku.
Armikun tënd mos e nxirr zbuluar para padrejtësisë dhe mos i bëj atij padrejtësi, por në këtë pikë trajtoje atë sikur të trajtoje një mik, gjithnjë duke u ruajtur nga ai.
Ki kujdes, të mos e afrosh atë pranë vetes, dhe të mos ia rrisësh autoritein, sepse kështë veprojnë budallenjtë.
Kush barazon midis mikut dhe armikut të vet në afërsi dhe në ngritjen e autoritetit, vetëm sa do ti bëjë njerëzit ti largohen miqësisë dhe ti afrohen armiqësis me të.
Me këtë veprim ai do të fitojë vetëm mosrespektin e armikut të tij, duke vënë në dorë të atij pikat e veta të dobëta, dhe do të humbasë mikun e vet, i cili do ti bashkëngjitet tufës së armiqve të tij.
Më e mira që mund ti bësh një armiku, është që ai të jetë i sigurt se ti nuk do ti bësh padrejtësi dhenuk do ta lësh në duart e një tirani. Ndërsa ta mbash atë afër, është cilësi e budallenjve që u është afruar fundi.
Më e keqja që mund ti bësh një miku, është që ai të mos jetë i sigurt se ti nuk do ti bësh padrejtësi. Ndërsa ta largosh atë, është veprimi i njerëzve që n uk kanë mend dhe që është shkruar të jenë fatkëqij.
Nuk është zemërgjerësi ta mbash armikun afër, por të paqësohesh me të, duke u ruajtur nga ai.
Sa njerëz kemi parë që krenoheshin me çka zotëronin, dhe kjo të bëhej shkak për rrënimin e tyre! Prandaj ruaju këtij qëndrimi, sepse ai është tërësisht i dëmshëm, aspak i dobishëm!
Sa njerëz kemi parë që janë rrënuar nga fjalët e veta, por nuk kemi parë e as kemi dëgjuar për ndonjë që të rrënohet nga heshtja e vet! Prandaj flit vetëm gjëra që të afrojnë te Krijuesi yt!
Nëse ke frikë nga ndonjë tiran, atëherë hesht!
Rrallë kam parë që një mundësi e humbur të rikthehet edhe një herë.
Sprovat që kalon njeriu gjatë jetës së tij, janë të shumta, por më të rëndat janë ato që kalon me qeniet e sërës së vet, njerëzit. Dëmi që i shkakton njeriu njeriut është më i madh se dëmi që i shkaktojnë bishat dhe gjarpërinjtë helmues, sepse ti mund të ruhesh prej tyre, por nuk mundë të ruhesh nga i gjithë njerëzimi.
Hipokrizia është një nga dukuritë më të përhapura ndër njerëz, dhe është e habitshme se si këta pëlqejnë vetëm njerëzit që sillen me hipokrizi me ta.
Nëse dikush do të thoshte se në natyrat e njerëzve ka diçka sferike, sepse skajet e dy të kundërtave takohen në një pikë, nuk do të ishte larg së vërtetës.
Kështu p.sh. si ai që gëzohet shumë, ashtu edhe ai që dëshpërohet shumë, qajnë që të dy.
Dashuria e tepruar mund të bëjë njeriun të gaboj vazhdimisht, ashtu siç bën dhe urrejtja e tepruar dhe njëlloj si ajo, mund të shkaktojë ndarje, nëse personi i dashur nuk tregohet i duruar dhe i drejtë.
Një njeri që zotërohet prej një pasioni natyral, edhe sikur të arrijë kulmin e qëndrueshmërisë dhe të kujdesit, do të jetë sërish i mundur, nëse sulmohet tek ajo pikë e dobët.
Një mendje dyshuese e tepruar e mëson të zotin e saj të gënjejë, sepse atij do ti duhet të shfajësohet shpesh nëpërmjet gënjeshtrave, dhe kështu do të mësohet e do ti duket më e lehtë të gënjejë.
Dëshmitari më i ndershëm kundër një njeriu që ka natyrë të sinqertë është fytyra e tij, e cila skuqet kur ai gënjen apo bëhet gati të gënjejë. Dëshmitari më i ndershëm kundër një gënjeshtari është gjuha e tij, sepse ajo i ngatërrohet dhe kundërshton vetveten.
Të kesh një mik të pabesë është fatkeqësi më e madhe sesa ta humbësh atë.
Ai që duket më i tmerruar, kur flet me zë për veprat e turpshme, është më i prirë për ti bërë këto vepra.
Kjo duket qartë kur shahen e shamatohen midis tyre gra e burra vulgarë dhe të ulët që jetojnë në llum, duke praktikuar profesionet e tyre të ulëta.
Të tillë janë për shembull ata që e fitojnë jetesën nëpërmjet fyellit, nëpërmjet pastrimit të oborreve të fermave, shërbëtorët nëpër thertore, shtresat e ulëta që banojnë me qira në bujtina, grazhdarët etj.
Të gjithë këta që përmendëm janë njerëzit që e akuzojnë më shumë njëri – tjetrin për sjellje të shëmtuara e të turpshme, ndërkohë që vetë janë njerëzit më të zhyturit e më të përlyerit në këto sjellje.
Takimi e largon mërinë. Duket se shikimi sy më sy e paqëson zemrën, prandaj mos të të vijë keq kur miku yt takohet me armikun tënd, sepse kjo mmund ta zvogëlojë mërinë e këtij të fundit ndaj teje.
Gjërat më të rënda për njerëzit janë frika, ankthi, sëmundja dhe varfëria.
Por ajo që i shkakton më shumë vuajtje shpirtit, është ankthi i humbjes së një njeriu të dashur dhe i pritjes së ndodhisë së diçkaje të urryer.
Pastaj vijnë me radhë sëmundja, frika dhe varfëria.
Argumentet për këtë është fakti se njeriu do të pranonte varfërinë për të shmangur frikën, dhe do të shpenzonte të gjith pasurinë e vet për të qenë i sigurt.
Pastaj do të pranonte varfërinë dhe frikën vetëm që të shmangte dhimbjet e sëmundjes.
Pra, njeriu është tepër i dhënë pas shëndetit, dhe është gati të shpenzojë të gjithë pasurinë e vet për ta rimarrë atë, kur i trembet vdekjes.
Edhe kur është i bindur se do të vdesë, sërish ai dëshiron të japë të gjithë pasurinë që zotëron, për të shpëtuar e për tu shëruar.
Frika konsiderohet e lehtë, kur shërben për të larguar ankthin, prandaj njeri dëshiron me gjith shpirt që ta heqë ankthin. Sëmundja më e rëndë është ajo që shkakton dhimbje të vazhdueshme në një organ të caktuar.
Por shpirtrat fisnikë e kanë më të lehtë të pranojnë gjithçka që përmendëm, sesa të pranojnë poshtërimin, të cilit shpirtrat e ulët i frikësohen më pak. Ja disa vargje të miat për sjelljet morale:
Vërtet, intelekti është një themel,
mbi të cilin ngrihet muri moral.
Intelektin zbukuroje me dituri,
përndryshe mbetet djerrë, pa dobi.
Injoranti është i verbër, nuk sheh,
atëherë si mundet që sillet përreth?!
Dituria përsoset me drejtësi,
përndryshe është pavërtetësi.
Freri i drejtësisë është bujaria,
që ajo të mos anoj nga tirania.
Bujaria zotërohet me guxim,
kurse frika është një mashtrim.
Nëse je xheloz, i dëlirë qëndro,
se xhelozi kurrë nuk tradhton.
Devotshmëria i plotëson të gjitha,
nga thënia e së vërtetës vjen drita.
Pikërisht këto janë rrënjët e virtytit
e fjalët e mia le të jenë fara e ftytit.
Ja edhe disa vargja të tjera:
Rrënjët e thella të çdo virtyti quhen:
Drejtësi, mençuri, bujari dhe fuqi.
Prej tyre përbëhen të gjitha të mirat tok.
Kush i ka ato, ndër njerëz është kok’.
Kështu dhe koka, brenda ca gjëra mban,
që me forcën e tyre mjegullën e çan.
Marë nga libri: El-Akhlan we el-sijar
Autori: Ibn Hazem el Andaluzi