SHANSA E FUNDIT
Që nga fëmijëria i kam urryer hapësirat e ngushta... sepse ndjeja frymënxënie... andaj gjithmonë ikja nga këto... por gjithnjë me frikë duke u dridhur nga ngushtësia...
Kur u rrita kuptova se kjo ishte sëmundje psikike, por nuk kam mundur të shërohem dhe të lirohem nga kjo.
Tani hyra në një vend të ngushtë, por me forcë... pa dëshirën time. Më vendosën në një arkë të ngushtë... por zërat mirë i dëgjoja rreth meje... sytë i kisha të mbyllur, por disa shikoja... bërtitnin.
"Oh, ah i mjeri ky... vdiq në moshën e rinisë...kishte shumë shpresa dhe punë të cilat nuk i kishte kryer!"
Dhe vërtetë kisha shumë punë të pa përfunduara, si p.sh. nuk arrita t'ia hapë një lokal birit tim... nuk i kisha paguar këstet e fundit të kredisë për veturë dhe televizor plazma... ndërsa shpresa ime që të formoj një ndërmarrje të madhe ku do të punësoja miqtë e mi ishte një iluzion i largët... nuk kisha blerë dru dhe thëngjill për dimër, dhe nuk kisha bërë disa meremetime në shtëpi.
Derisa këto mendime silleshin në kokën time, për t'i përfunduar këto gjëra, papritmas një zë tronditi veshin tim... zë nga i cili u frikësua shpirti im... vinte nga thellësia e trurit tim, ku edhe fillonte jehona e tij... dëgjohej sikurse të ishte nga megafoni.
"Fund, koha jote kaloi!"
Me keqardhje i thashë vetes: "Ah, sikur mos t'ishte fundi dhe koha mos të kalonte!"
Nuk di si më ndodhi fatkeqësia... kur unë jam shofer i mirë... dhe derisa po mundohesha të lëvizë, ndjeva që miqtë që më rrethonin më mbuluan me çarçaf të bardhë... U mundova të bërtas me sa fuqi që kisha dhe të ngrihem nga vendi që t'i ndaloi... por nuk pata sukses... nuk mund të bëja asnjë lëvizje dhe as të flas asnjë fjalë.
Nuk kaloi shumë kohë dhe u gjeta në një vend të errët... dhe nëpër vrima shikoja një dritë të zbehtë... me frikë e cila nuk mund të përshkruhej, thashë me vete:
"O Zoti im! Çfarë do bëhet me mua? Çfarë të bëj?"
Nga frika as nuk mund të mendoja.
Pastaj më bartën në tabut... Jashtë binte shi i madh. Më vendosën në gurin e xhenazes para xhamisë. Kur vërejta xhaminë, më ra ndërmend sa afër shtëpisë e kam pasur, dhe asnjëherë nuk kisha hyrë në te sepse nuk gjeja kohë... por me vete gjithmonë thosha, do të vendos të falem kur t'i mbushë të pesëdhjetat... këtë gjithkush e dinte. Edhe miqve u thosha, posa t'i mbushë të pesëdhjetat do t'i lë gjërat e këqija dhe do të falem rregullisht.
Po,... po..., ah mos të ndodhte kjo fatkeqësi... do të bëhesha njeri i mirë në të ardhmen.
Edhe për herë të dytë deri te veshi im arriti zëri i njohur, që nuk e dija nga vinte:
"Fund, koha jote kaloi!"
Kaloi pak kohë dhe përsëri më bartën mbi supe... me siguri me kishin falë xhenazen.
Kur kalova pranë kafenesë, dëgjova shokët duke qeshur, me ata që për çdo ditë lozja me letra... pa dyshim nuk kishin dëgjuar lajmin e vdekjes sime. Duke më bartur dëgjoja njerëzit, miqtë e mi duke thënë... nuk po ec tregtia... disa tjerë flisnin për sport... ndërsa të tjerët pëshpëritnin: "Shih çfarë dite miku ynë e zgjodhi të vdes!"... edhe jetën e ka pasur kësisoj, vërtetë është ters, u lagëm prej kokës deri te këmbët.
Mos është ky ndoshta një gabim... ndoshta kjo që dëgjoj nuk është e vërtetë... a është e mundur të flasin kështu shokët e mi, për të cilët sa herë jam sakrifikuar?
Arritëm në varreza... më lëshuan në varr.
"O Zot, thash me vete.... çfarë bëj unë këtu? A nuk është ky varr?"
Përse deri më sot nuk më ra asnjë herë në mend që do të hyj këtu? Përse në këtë nuk kam menduar kurrë?... askush nuk i dëgjonte klithmat e mia, askush...
Miqtë e mi filluan ta hedhin dheun mbi mua... sikur dëshironin të garonin... dhe unë përsëri mbeta i vetmuar në errësirën e pafund...
Nga dobësia që ndjeja ... nga thellësia e zemrës sime fillova të lutesha:
"O Zot! O Zot, a ekziston edhe një shans për mua... do të bëhem i dëgjueshëm në urdhrat e Tu... do të jem rob i Yti, ashtu si dëshiron Ti... do të jem ashtu që Ti do të jesh i kënaqur me mua dhe këtë varr të ma bësh prej kopshteve të xhenetit... o Zot!"
Ai zë i fuqishëm përsëri jehoi në veshët e mi:
"Fund, koha jote kaloi!"
Dëgjoja zërin e dheut i cili binte mbi dërrasat e varrit... secila goditje jehonte si bubullimë... tërë trupi im dridhej nga frika dhe pritja.
I dëshpëruar me lëvizje të fundit u mundova të lëvizë nga vendi... hapa sytë... isha në krevat, në spital... pranë meje ishte mjeku i cili mundohej të më zgjojë nga kjo ëndërr e vështirë... thoshte ja tani, kaloi kjo... ishte vërtetë makth i rëndë.
Ngadalë u ngrita në krevatin tim... tërë trupi im ishte mbuluar me djersë të ftohta... ndërsa jashtë binte shi rrëke, i përcjellur me zërin tronditës të bubullimës.
Duke mbledhur veten pëshpërita në vete me zë të heshtur...
"O Zot, të faleminderit Ty! Të falënderoj sa qeliza ka në trupin tim... që më dhe shansin e fundit që të pendohem sinqerisht, që të bëhem rob i mirë... të falënderoj o Zoti im!"