Kancelaria gjermane, e “hapur” ndaj islamit: Jemi pro integrimit të myslimanëve
“Xhamitë do të jenë pjesë e peizazhit tonë urban, madje do të zënë një pjesë më të rëndësishme se më parë”. Mesazhi në favor të integrimit të myslimanëve në Europë nuk vjen nga e majta, por nga Angela Merkel, Kancelarja konservatore që udhëheq shtetin më të fuqishëm të Europës. Me pak fjalë, jo vetëm kishat baroke të Mynihut, ato të Këlnit dhe Dresdës, por edhe xhamitë dhe minaret do të plotësojnë imazhin në vend. Në një intervistë të dhënë në një të përditshme në vend, Merkel tregon për linjën e saj të re të mendimit. Emigrantët duhet të integrohen, të mësojnë gjermanishten, të identifikohen me vlerat e demokracisë e Kushtetutës dhe kush prej tyre nuk e bën do të ketë pasoja të mëdha. Por që prej vitit 1949, forca e demokracisë gjermane ka qenë të jesh një vend që u ofron mundësi të gjithëve dhe jo klasifikimit të grupeve të ndryshme”. Edhe një herë tjetër, Angela Merkel tregohet e vendosur t’i japë partisë së saj një profil konservator modern, të përshtatshëm me epokën globale ku jetojmë. Për më tepër, ajo mban një linjë thuajse të kundërt ndaj asaj të qendrës së djathtë italiane apo mazhorancës së Sarkozisë në Francë dhe replikon ndaj rrymave nacional-konservatore, të forcuara së fundmi nga rasti Sarrazin, anëtar i “Bundesbank” i detyruar të japë dorëheqjen, pasi u shpreh se emigracioni islamik e bën Gjermaninë më të varfër dhe më “idiote”
“Ne dhe CSU-ja bavareze kemi vendosur të shkojmë përtej pozicioneve naive shumëkulturore të SPD dhe të gjelbërve; ne kërkojmë që kush vjen këtu të mësojë gjuhën gjermane”, shpjegon Angela Merkel. Sipas Kancelares, është gjithashtu e qartë se “vendi ynë do të vazhdojë të ndryshojë dhe integrimi është edhe detyrë e shoqërisë që pret emigrantët. Për shembull, xhamitë do të jenë më shumë se më parë pjesë e peizazhit tonë urban. Duhet të kërkojmë që të formohen këtu imamët që pranojnë vlerat demokratike dhe kushtetuese të shtetit tonë”. Linja e ndjekur nga Merkel duket si një shkëputje nga Partitë Popullore Europiane dhe ato të qendrës së djathtë në përgjithësi në Bashkimin Europian: si ajo e Sarkozisë, e neopopulistëve holandezë apo të së djathtës zvicerane, fituese e referendumit që ka ndaluar ndërtimin e minareve. “E kam thënë se xhamitë do të jenë pjesa më e rëndësishme e peizazhit tonë urban. Kushtetuta jonë garanton lirinë e fesë. Ligjet këtu janë të barabarta dhe të respektueshme nga të gjithë dhe ne duhet të përulemi para asaj që thuhet në Kushtetutë. Nuk mund të pranojmë shoqëri paralele, ku të drejtat tona themelore, si për shembull barazia mes burrave dhe grave nuk ekziston. Vetëm duke u bazuar në Kushtetutë mund të jetojmë në tolerancë dhe me respektin reciprok. Ata që duan të jetojnë këtu duhet ta pranojnë”, shton ajo, duke sulmuar rrymat integraliste dhe konservatorët e islamit. Të qenët konservator, shton Kancelarja, “do të thotë të ruash atë që na ka bërë të fortë dhe na ka ndryshuar atë që sot nuk funksionon më. Nuk do të thotë që gjithçka të mbetet si është, por të ndryshojë në mënyrën e duhur”. Kancelarja Angela Merkel pranoi gabime në politikën gjermane të imigrimit. Shumë gjëra nuk kanë pasur sukses deri tani, i tha ajo gazetës "Frankfurter Allgemeine Zeitung". Kryetarja e qeverisë theksoi se nuk do të toleronte shoqëri paralele, në të cilat nuk vlejnë të drejtat themelore, si për shembull barazia e burrit me gruan. Emigrantët që refuzojnë kurset e gjuhës, duhet të llogarisin shkurtimin e përfitimeve sociale, tha ajo. Diskutimi mbi dështimet në politikën e integrimit u rindez prej tezave të diskutueshme të anëtarit tashmë të pushuar të kryesisë së Bankës Qendrore Gjermane, Thilo Sarrazin. Merkel tha se nuk e ka lexuar librin e Sarrazinit.