]Kjo nuk është hera e parë, e sigurisht as e fundit, të flitet për mbulesën islame e tema të huqet. I nxitur nga kjo do të flas për këtë çështje sa për të treguar se çka është huqur e për të treguar se për çka duan të flasin shqiptarët e çka në fakt thonë, sepse megjithatë mendja duhet të jetë para gojës.
Zekerija Ibrahimi
Para së gjithash mbulesa (mbulimi i trupit) është liri natyrore e secilit njeri. Pos kësaj ajo është intencë e njeriut që mëton kah përsosuria. Nëse të gjithë jemi në ujdi se nudizmi nuk paraqet progres, por një regres nga më të ultit, ngase ashtu njeriu kthehet t’i imitojë paraardhësit e tij më të hershëm, logjikisht do të përfundonim se mbulesa është mëtim kah progresi. Sido që ta marrim, pra edhe në teorinë kreacioniste e edhe në atë të evolucionit, kuptohet se njeriu i parë, qoftë ai Ademi apo ndonjë homosapiens tjetër, ka jetuar i zhveshur tërësisht ose vetëm me nja dy lecka para organeve gjenitale. Por, duke u vetëdijësuar, njerëzit krijuan norma morale, apo për besimtarët - u erdhi shpallje hyjnore, që kështu ato me veshjen e tyre të dallohen nga kafshët. Pra veshja u paraqit nga dëshira e njeriut për përkyerje dhe për respektim të disa kodeve morale. Dhe tani vijmë aty ku duam ta hedhim topin. Nëse rruga e njeriut për humanizimin e tij kalon përmes mbulimit të trupit, cili është kufiri që thotë se mjafton kjo veshje dhe s’ka nevojë më tepër. Meqë e dimë se askush nuk është i denjë për një përgjigje të tillë, mund të përfundojmë se së paku logjikisht del se ata që janë më të mbuluar për shkaqe morale, janë më të humanizuar.
Nëse e përmbledhim tërë këtë me dy-tri fjalë do të thonim se nudizmi dhe rrugët që shpiejnë kah ai janë tendenca kah bota e egër e animale e njeriut, ndërsa secila rrugë e kundërt kudo që e ka përfundimin (pra qoftë edhe në ferexhe) duhet të jetë progres.
Pastaj!
Pastaj në konteks të kësaj vjen çështja e lirisë natyrore të secilit që ta bëjë atë që e do ai me kusht që mos t’i pengojë askujt (kështu më duket se ka thënë edhe Konica). Nisur nga kjo, nëse sot në botë lejohen, zyrtarizohen e madje edhe sanksionohen me ligj fushata homoseksualësh e madje edhe martesa homoseksuale, e për nudizmin as të mos flasim se ai është bërë pjesë e pandarë e artit modern dhe plazheve anekënd botës, nuk di a mbetet vend të flitet se a ka të drejtë njeriu (femra) ta mbulojë trupin e tij/saj. Ai njeri nuk e dëmton askë me sjelljen e vet. E nëse dikush thirret në të drejtën se qytetërimi i tij është më i miri dhe se ai ka të drejtë që edhe të tjerët t’i ftojë në qytetërimin e tij, madje edhe t’i detyrojë me dhunë (rasti me talebanët), kjo është çështje relative, ngase askush nuk mban në dorë aparat për matjen e asaj se cila ideologji dhe cili qytetërim është më i miri. Thënë shkurt, nëse një ideologji nuk i pengon askujt në jetën e tij, askush nuk ka të drejtë ta pengojë atë ideologji me preteksin “ideologjia ime është më e mira”.
Me tej!
Nëse disa njerëz në botë janë përcaktuar të besojnë në Hyjni (Zot) dhe në fjalën e Tij hyjnore, mendoj se është ofendim vetë diskutimi pro et contra për një rit të tyre fetar, njësoj sikur të flasim pse murgeshat vishen me shami apo ndonjë pyetje tjetër e këtij tipi pa lidhje. Ata njerëz besojnë në atë urdhër hyjnor, i cili nuk e pengon lirinë e të tjerëve dhe nuk e prish rendin publik, andaj nuk është korrekte që bindja e tyre të bëhet objekt diskutimi. Kështu nëse ne ia pranojmë të drejtën edhe disa sekteve që të bëjnë vetëvrasje e të vrasin fëmijë, është tepër e çuditshme, madje e turpshme, që të diskutohet në këtë temë. Ose, nëse njerëzit nuk kanë guxim të flasin kundër paradave të homoseksualëve, nudistëve e narkomanëve, nuk di si nuk kanë turp të ngrejnë dorë kundër një riti fetar të fesë së dytë me numër më të madh të besimtarëve në botë, i cili, përsëris, me asgjë nuk e pengon jetën e të tjerëve.
Dhe, krejt në fund, ku dua ta rrahi telin? Diskutimet shqiptarçe për mbulesën islame janë fare pa shije e pa lezet. Janë tejet ofenduese e aspak bëshkëkohore. Për këtë merrni shembull amerikanët e evropianët me qëndrimin e tyre përkitazi me këtë çështje, pas të cilëve dikujt i shkojnë edhe jargët. Mendoj se shqiptarët nuk duhet të diskutojnë për shaminë (mbulesën) islame. Ata nuk duhet të ngushtohen që të shtrojnë tema që kanë të bëjnë me komplekset e tyre kombëtare: ata duan të flasin në temën se a duhet shqiptarja e shek XXI të mbajë shami, e që të mos e thonë këtë prapë për ndonjë kompleks tjetër psikik, shtiren se duan të flasin për një çështje ideologjike fetare. Ata në fakt duhet të flasin për kompleksin e tyre të inferioritetit të tyre ndaj botës pse janë muslimanë, pra për krizën e tyre të identitetit dhe frikën prej këtij identiteti, i cili para së gjithash meriton një trajtim psikologjik, ngase kjo gjendje, shprehur me fjalorin e psikologëve, do të thotë frustracion i dyfishtë dhe situatë konfliktuoze për shkak të inferioriteti kolektiv ndaj “të tjerëve – të qytetëruarve”. Mendoj se këtu është meselja, andaj të mos llomotisim duke interpretuar tekste nga Kurani, por le të bëhemi të sinqertë dhe pa turp e shtrëngime psikike t’i shërojmë komplekset tona.
Sinqerisht u them kjo nuk është turp!