Admin Administrator
Numri i postimeve : 8520 Data e regjistrimit : 02/07/2009 Mosha : 42 Nacionaliteti-Sheti : Tetovë-Maqedoni
| Titulli: FRI: Manifestim me rastin e Vitit të Ri hixhri, 1432 Wed 8 Dec 2010 - 10:59 | |
| Me 6 dhjetor të vitit 2010, në një atmosferë impozante të krijuar në sallën Universale në Shkup, Forumi Rinor Islam edhe njëherë e përkujtoi ngjarjen madhështore të hixhretit, shpërnguljen e Pejgamberit Muhammed a.s. nga Meka në Medine. Ishte ky viti i dhjetë me rradhë, jubilar, që kjo organizatë rinore përkujton këtë ditë të rëndësishme të kalendarit islam, përmes organizimit të një programi të mrekullueshëm me rastin e Vitit të Ri të kalendarit islam – Hixhri 1432, nën moton “10 vite me më të mirët”.Hapjen e këtij manifestimi solemn e bëri hafizi i njohur Xhemal Nuhiu përmes këndimit të disa ajeteve kur’anore, kurse pastaj fjala përshëndetëse iu dha kryetarit të Forumit Rinor Islam, z. Sali Shasivari, i cili foli mbi përvjetorin e dhjetë të themelimit të Forumit Rinor Islam dhe të organizimit të Manifestimit të Hixhrit. Theks të veçantë në fjalimin e tij ai i dha nevojës së edukimit dhe arsimimit, si dhe nxitjes së përfitimit të diturisë nga ana e gjeneratave të reja. Fjalë përshëndetëse në këtë manifestim pati edhe zëvendëskryeministri në qeverinë e RM, z. Abdilaqim Ademi, i cili vlerësoi lartë punën që po bën Forumi Rinor Islam në kultivimin e vlerave pozitive në shoqëri.Pastaj para të pranishmëve u emetua dokumentari filmik i përgatitur nga Forumi Rinor Islam dhe Produksioni M7, “10 vite në shërbim të shoqërisë”, i cili ngërtheu në vete disa nga aktivitetet që ka realizuar FRI brenda këtyre 10 viteve, si dhe prononcimet e disa personaliteteve të njohura në shoqëri mbi këtë asociacion rinor dhe kontributin e tij në shoqëri.Programi kulturor-artistik i manifestimit të sivjetëm ishte i pasuruar me këndimin e disa ilahive nga interpretuesi i mirënjohur Burhan Shaban nga Shkupi, karriera profesionale e të cilit e ka marrë formën e vërtetë në Bosnje e Turqi, me nxjerrjen e një numri të konsiderueshëm të albumeve të mirëpritur në rajon dhe më gjerë. Në skenë po ashtu u ngjit edhe aktori i njohur Bajrush Mjaku, i cili u paraqit para publikut me monologun “E ujin e mori etja” të autorit Fatmir Muja.Edhe këtë vit Forumi Rinor Islam bëri dekorimin e disa personaliteteve dhe institucioneve të cilët me veprën e tyre kanë lënë gjurmë në fusha të ndryshme të jetës, apo në forma të caktuara kanë kontribuar për aktivitetet që ka realizuar Forumi Rinor Islam. Të dekoruarit e sivjetmë ishin: Prof. d-r. Pajazit Nushi, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë; z. Ilmi Selami, kryetar i Komisionit Shtetëror për Antikorrupsion, per angazhimin e palodhshem per lufte kunder korrupcionit; TVM – Programi në Gjuhën Shqipe, për bashkëpunimin korrekt; Universiteti FON, sponsor gjeneral i manifestimit të sivjetmë të hixhrit. Po ashtu, Forumi Rinor Islam e dekoroi Post Mortum edhe ish-drejtorin e gjimnazit “Zef Lush Marku” në Shkup, Ramë Haskajn, për angazhimin dhe kontributin e tij madhor në fushën e arsimit. Për të dytën herë me rradhë, Forumi Rinor Islam ndau edhe Dekoratën “Shkencëtari i ri i vitit”, e cila sivjet i takoi doktorit të ri të shkencave juridike, Doc. d-r. Afrim Osmani, ligjërues pranë Universitetit FON.Sipas traditës pozitive të vendosur tanimë plot një dekadë me rradhë, edhe gjatë manifestimit të sivjetmë të Hixhrit u bë shpallja e nxënësve më të mirë të një numri të konsiderueshëm të shkollave të mesme të disa qyteteve të Maqedonisë, si dhe shpallja e studentëve më të dalluar të disa fakulteteve nga Universiteti i Shkupit, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti FON. Të veçantë dhe emocionuese e bënë këtë mbrëmje suksesi dhe të arriturat e gjashtë studenteve me notë mesatare maksimale të studimeve – 10. Ato ishin:Nga Universiteti i Evropës Juglindore:- Gjeraqina Leka, Fakulteti Administratë Publike, drejtimi Shkencat Politike.- Zera Asani, Fakulteti i Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, drejtimi Informatikë.- Egzona Hani, Fakulteti Administrim Biznesi.Nga Universiteti Shtetëror i Tetovës:- Egzona Iseni, Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, Drejtimi Matematikë.- Bukurije Etemi, Fakulteti Juridik, drejtimi Marrëdhënie Ndërkombëtare.Nga Universiteti FON:- Flutra Ademi, Fakultetit Juridik.Krahas Lavdëratave dhe dhuratave tjera nga Forumi Rinor Islam dhe donatorët, të gjitha studenteve me notë mesatare 10 Universiteti FON iu ndau bursë postdiplomike për të studiuar pranë këtij universiteti, gjest ky i cili u mirëprit me shumë emocione nga studentet në fjalë dhe të gjithë të pranishmit në sallë.Përndryshe, manifestimi i sivjetmë me rastin e Vitit të Ri të kalendarit islam – Hixhri 1432 u emetua drejtpërdrejt përmes televizionit ERA dhe shumë televizioneve lokale në vend. | |
|