Bolivia kishte shpallur se e njihte Palestinën si një shtet sovran brenda kufijve të vitit 1967.
Ashtu siç ka njoftuar agjencia e lajmeve palestineze “Maan”,
presidenti bolivian, Evo Morales, këtë e ka bërë të njohur gjatë samitit
afrikano-jugor të bllokut tregtar në Mercosur të Brazilit.
Presidenti palestinezë, Mahmud Abbas, e ka përshëndetur një vendim të
tillë, duke e falënderuar Moralesin për përkrahjen e tij ndaj
palestinezëve.
Nga ana tjetër, Ministria izraelite e punëve të jashtme e ka gjykuar
vendimin për njohje, duke paralajmëruar se një gjë e tillë nuk ndihmon
në procesin e paqes.
Disa shtete të tjera afrikano-jugore, gjatë disa javëve të fundit, e
kanë njohur Palestinën si shtet të pavarur, ndërkohë që, Uruguai ka
njoftuar se një veprim të këtillë do të ndërmarr në fillim të vitit të
ardhshëm.
Kjo ka ndodhur në kohën e ndërprerjes së bisedimeve për arritjet e
paqes, pasi që pala palestineze nuk dëshiron të negociojë përderisa
Izraeli nuk i përmbahet moratoriumit për ndërtimin e vendbanimeve
hebraike në Bregun e okupuar perëndimor.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës më herët hoqën dorë nga përpjekjet
për ta bindur Izraelin që t’i përmbahet moratoriumit dhe tani përpiqen
që të ndërmjetësojnë në bisedimet indirekte, mirëpo këto i ka refuzuar
pala arabe, përderisa nuk merr garanci nga Uashingtoni se bisedimet do
të bazohen në kufijtë e vitit 1967.
Ndërkohë, Izraeli e ka kritikuar ashpër Norvegjinë për shkak se e ka
transformuar statusin e përfaqësuesve palestinezë në Oslo, duke e njohur
si përfaqësi diplomatike. Kështu kanë vepruar edhe disa shtete të
tjera, gjatë disa muajve të fundit, duke e transformuar statusin e
përfaqësuesve palestinezë.
Të parët që këtë e bënë ishin Shtetet e Bashkuara, e janë ndjekur edhe nga Franca, Spanja dhe Portugalia, raporton Haartz.
Pala palestineze, me sa duket, kërkon alternativa për t’u kyçur në
bisedime sërish, ndër të tjerash, është edhe ajo që në OKB të shpallet
pavarësia e Palestinës, ka thënë shumë hapur Mahmud Abbas.
Pavarësia e Palestinës u shpall në mënyrë të njëanshme në vitin 1988
në Algjeri, dhe prej atëherë atë e kanë njohur mbi 100 shtete.