AKTUALE
KFOR: HEQJA E BARRIKADAVE DERI TANI KA REZULTUAR ME SUKSES
Operacioni i KFOR-it, sipas zyrtarëve të kësaj force, ka qenë i suksesshëm ndërkohë që, nga gurët që kanë përdorur serbët lokal që po kundërshtojnë heqjen e barrikadave janë plagosur dhjetëra ushtarë....
Postuar: 10:22:50 / 20.10.2011
Trupat paqeruajtëse të NATO-s kanë nisur sot heqjen e barrikadave nëpër rrugët e bllokuara në veri të Kosovës të vëna nga serbët lokal që nga 25 korriku.
Zyrtarët e KFOR-it kanë thënë se operacionet e filluara në mëngjes në Zupq, Jegenicë dhe Bërnjak janë kryer me sukses dhe këto pjesë janë vënë nën kontroll. Ndërkohë që është raportuar për 8 ushtarë të KFOR-it të lënduar.
Trupat e KFOR-it kanë larguar tri barrikada që qojnë për në pikën kufitare 31 në Bërnjak të Zubin Potokut.
Operacioni i KFOR-it, sipas zyrtarëve të kësaj force, ka qenë i suksesshëm ndërkohë që, nga gurët që kanë përdorur serbët lokal që po kundërshtojnë heqjen e barrikadave janë plagosur dhjetëra ushtarë.
Sipas zëdhënësit të KFOR-it, Uve Nowicki, KFOR-i ka vënë nën kontroll të plotë pjesën në luginën e epërme të Ibrit dhe rrugët që janë përdorur për kontrabandë. Ai ka thënë se qëllimi i këtij operacioni është përmirësimi i sundimit të ligjit në këtë pjesë të Kosovës.
Policia e EULEX-it, sipas një komunikate për media të këtij misioni, ka ndaluar për një kohë të shkurtër disa serbë që po sulmonin forcat paqeruajtëse afër Pikëkalimit 31, por ata u liruan më vonë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti ka thënë se
KFOR-i ka nën kontroll të plotë një perimetër të zgjeruar edhe në pikat kufitare.
Që nga java e kaluar, KFOR-i ka paralajmëruar se nuk do të tolerojë më mbajtjen e barrikadave nëpër rrugët e veriut.
Aksioni i KFOR-it vjen pas dështimit të bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të serbëve të veriut dhe atyre të misionit të NATO-s lidhur me heqjen e barrikadave, këto bisedime rezultuan të pasuksesshme të mërkurën.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, përmes një deklarate për media, u kërkoi serbëve kosovarë të mbesin të qetë, ndërsa NATO-s t’i shmanget përdorimit të dhunës.
(Serbeze Haxhiaj)