Serbët që kanë bllokuar rrugën në Rudarë, afër Zveçanit, KFOR-i i ka
paralajmëruar. Atyre u ka dhënë afat 2 orë për ta zhbllokuar rrugën,
përndryshe, siç raporton B92, “KFOR-i do të ndërhyjë me dhunë”.
Ndërkaq, raportohet se afër Leposaviçit, është bllokuar një konvoj i
KFOR-it gjerman, ndërkaq në vend të ngjarjes është duke qëndruar edhe
komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler.
Buhler më herët ka kërkuar nga serbët që kanë bllokuar rrugën që ta
lirojnë atë, dhe vetëm atëherë do të rinisin bisedimet për gjendjen e
krijuar në kufirin me Serbinë. Ndërkaq, shefi i delegacionit serb të
bisedimeve me Kosovën, Borko Stefanoviq, ka deklaruar se askush nuk mund
t’i bindë serbët lokalë që ta zhbllokojnë rrugën.
Ndryshe, zyrtarët në Beograd e kanë lutur komandantin e KFOR-it që të
bëjë gjithçka është e mundur në mënyrë që të qetësohet situata dhe të
vazhdojë dialogu.
Nga ana e tij, Buhler ka deklaruar disa herë se është i gatshëm të
bisedojë, mirëpo vetëm nëse përmes Rudarit kalon konvoji i ushtarëve
gjermanë të KFOR-it. Sipas tij, është e papranueshme që njësitet e
KFOR-it nuk kanë liri të lëvizjes.
(Zeri)