Ligji i diskutueshëm kundër diskriminimit sot hyri në fuqi. Me këtë
ligj parashikohet ndalimi i çdo lloj diskriminimi të drejtpërdrejtë apo
indirekt. Ndërsa përfshin një numër të madh fushash duke filluar nga
arsimi, shkenca, sporti, marrëdhëniet e punës, sigurimi social,
anëtarësimi në sindikatë, parti politike, OJQ dhe të tjera.
Megjithatë ky ligj në periudhën e kaluar hasi në kritika të shumta të
opinionit ndërkombëtar por edhe vendas. Madje kritika të ashpra u
drejtuan edhe me raportin e fundit të Komisionit Evropian, ku sipas të
cilëve në fushën e anti-diskriminimit vendi ka arritur përparim të
kufizuar. Në raport thuhej: “Propozim ligji është miratuar dhe përfshin
një listë të gjatë të ndalimit të diskriminimit si dhe parashikon
formimin e komisionit për anti-diskriminim. Megjithatë ligji nuk
përfshin ‘orientimin seksual’ si bazë për diskriminim dhe ligji nuk
përputhet plotësisht me ‘acquis’. Kualiteti i dialogut për ligjin ishte i
ulët. Debatet në parlament ishin kundërthënëse kurse kritikat nga
shoqëria civile dhe komuniteti ndërkombëtar nuk u morën në konsideratë.
Nga ana tjetër shqetësuese janë stigmatizimi dhe incidentet e
diskriminimit të homoseksualëve.” Sipas KE-së qeveria duhej të
vetëdijësohet për nevojën e respektimit dhe tolerancën ndaj diveristetet
thuhej në raport.
Por, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ishin arsyetuar se
edhe homoseksualët mund të kërkojnë mbrojtje pasi ligji parasheh
‘diskriminim në baza tjera’ pavarësisht se nuk thuhet në mënyrë
eksplicite.
Ligji parashikonte edhe formimin e komisionit për anti-diskriminim.
Por, edhe gjatë formimit të tij opozita pati kritikuar se të zgjedhurit,
janë persona pa asnjë lloje përvoje në këtë fushë. Kurse OJQ-të kishin
reaguar se ligji sipas tyre nuk do të jetë efikase meqë nuk do të
shtrihet në gjithë rajonin por vetëm në Shkup dhe se komisioni do të
veprojë vetëm kur palët do të kenë fakte se kenë qenë të diskriminuar.