Kërkesa e Myftinisë së Manastirit për denacionalizimin e pronave të
nacionalizuara gjatë kohës së ish-sistemit, e parashtruar që më 25 maj
të vitit 2003, ndërsa vendimi i miratuar pas plotë pesë vitesh nga ana e
gjyqësorit të Maqedonisë, këto ditë rezultoi me dorëzim- pranimin në
pronësi të Myftinisë së Manastirit, me se u zgjidh edhe një nga kërkesat
e shumta të kësaj myftinie.
Sipas vendimit të Ministrisë së Financave dhe Komisionit për
vendimmarrje sipas kërkesës së Myftinisë së Manastirit “DN.
nr.19-509/03″, asaj i kthehen, respektivisht denacionalizohen tetë
lokale afariste e banesore në sipërfaqe prej gjithsej 156 metra katrorë.
Kërkesat e kësaj myftinie, njëra ndër më të pasurat në Ballkan, sipas
myftiut Pllumi Veliu, nga ana e Ministrisë së financave dhe Komisionit
përkatës, stërzgjaten edhe nga disa vite, siç është rasti edhe me tetë
lokalet e kthyera.
“Dihet se çfarë ndodh kur janë në pyetje kërkesat tona. Mirëpo,
durimi dhe këmbëngulësia e bëjnë të veten. Ne kemi parashtruar edhe
shumë kërkesa tjera, për të gjitha pronat për të cilat kemi siguruar
edhe dokumentacionin të nevojshëm dhe, edhe nga këto kërkesa nuk do të
tërhiqemi kurrë”, thotë Veliu. Lidhur me miratimin e Ligjit për
kompensim të pronave të nacionalizuara, Veliu shprehet se ai është i
papranueshëm.
“Ne kemi marrëveshje me Qeverinë se ky kompensim për çmim aq të ulët,
nuk vlen për bashkësitë fetare, sidomos për bashkësinë tonë fetare.
Pronat që fizikisht janë të pakthyeshme, do të kompensohen me hapësira
tokësore, por sipas pëlqimit tonë, do të kompensohen me hapësira
tokësore të kategorisë ndërtimore. Kështu që me këto hapësira do të
ekonomizojmë ne si institucion, e jo shteti”, thekson ai.
Lokalet e denacionalizuara që të gjithat janë të dhëna me qira. Me
kalimin e tyre në pronësi të Myftinisë, do t’u ofrohen kushte të reja
shfrytëzuesve, pa marrë parasysh përkatësinë të tyre. Nëse eventualisht
nuk do të pajtohen me kushtet e imponuara, do t’ju jepen shfrytëzuesve
tjerë.
“Ne kemi standardet tona për të përcaktuar lartësinë e qirasë dhe
shfrytëzuesve do t’u ofrojmë kushtet tona. Në të kundërtën, do të
shpallim ankand dhe do t’ua japim atyre të cilët do të pajtohen me
çmimin tonë. Ne shfrytëzuesit nuk i zgjedhim, siç veproi Kisha
ortodokse, sipas përkatësisë fetare e nacionale, por sipas korrektësisë
në bashkëpunim”, thotë Myftiu i Manastirit, Pllumi Veliu.
(Koha)