Sipas Radio Vatikanit, (20.01.2011 RV) Zëvendëspresidenti
dhe administratori i deleguar i Shtëpisë botuese italiane “Mondadori”
Mauricio Kosta dhe drejtori i Fondacionit “Lorenco Vala”, Pjetro Çitati
i paraqitën dje Papës Benedikti XVI një kopje të “Kuranit”, botim i ri
kolanës islamike. Lajmin e dha vetë Mondadori duke nënvizuar se Ati i
Shenjtë falënderoi dhe shprehu miratimin e tij për këtë nismë kulturore
dhe fetare.
“Jam shumë i nderuar që Ati i Shenjtë e pranoi këtë kopje të Kuranit
ashtu sikurse në vitin 2006 pranoi edhe një kopje të botimit të
posaçëm të Biblës.” – shpjegoi zëvendëspresidenti i Mondadorit, Mauricio
Kosta. “Për Mondadorin, kjo ngjarje përfaqëson një vlerësim të
mëtejshëm të traditës të botuesit të gatshëm të përfaqësojë të gjitha
shtresat e popullsisë dhe të mendimit, në respekt të plotë të
pluralizmit të ideve dhe të vlerave.”
“Përkthimet italiane, – nënvizoi drejtori i Fondacionit Vala, Pjetro
Çitati, ishin të pakta dhe të dobëta, e as komentet nuk ishin më të
mira.” Përkthimi në fjalë është tërësisht i ri dhe është bërë nga
pedagogia e Gjuhës dhe Letërsisë arabe pranë Universitetit të Venedikut
Ida Xilio-Grandi. Vepra është e pajisur me shpjegimet e duhura e me
kompetencë dhe ka si qëllim ta bëjë Kuranin të qartë dhe të kuptueshëm,
me një italishte moderne e pa arkaizma që përdoren zakonisht kur
përkthehen tekste fetare të lashta.
Komentet e gjera, “më të pasurat dhe më të kompletuarat që janë
shkruar ndonjëherë në gjuhët perëndimore”, janë bërë nga një grup
ndërkombëtar studjuesish si Xilio-Grandi, Mohamed Ali Amir-Moezi,
Mohidin Jahia dhe Alberto Ventura. Ato kanë si qëllim të shpjegojnë
vështirësitë e shumta dhe dykuptimësinë e tekstit, në mënyrë që lexuesi
të kuptojë domethënien e çdo vargu, mundësinë e interpretimeve të
ndryshme dhe të historive që ceken por pa u dhënë detajet e nevojshme.