Dokumente të reja të platformës së internetit “Wikileaks” nxjerrin në
sipërfaqe të dhëna për shqetësimet e Perëndimit për rritjen e ndikimit
të Turqisë në rajonin e Ballkanit.
Në një bisedë të ndihmës sekretarit amerikan për çështje politike,
Uiliam Berns me nënsekretarin e Ministrisë së jashtme turke, Feridun
Sinirlioglu nënvizohet se Bashkimi Evropian (BE) kundërshton angazhimin e
fuqishëm të Turqisë në Ballkan dhe se SHBA me kujdes shohin këtë
zhvillim, informon agjencia e lajmeve INA.
Sipas dokumentit që ambasadori amerikan në Ankara e ka dërguar në
Uashington në shtator të vitit të kaluar, pasqyrohet vendosmëria e
Qeverisë turke për të kundërshtuar përpjekjet e vazhdueshme të BE-së për
të shmangur Turqinë nga Ballkani.
Në një korrespodencë drejtuar Uashingtonit, thuhet se shefi i
diplomacisë turke Ahmet Davutogllu ka shkaktuar një valë reagimesh dhe
rezistencës së hapur për praninë turke në Ballkan.
“Ky qëndrim që na rikthen në të kaluarën, i kombinuar me tendencën e
Turqisë për të zbatuar atë në bashkëpunim me politikanët vendorë me
orientim islam, vazhdimisht krijon probleme të reja,” paralajmërohet në
korrespondencën e Ambasadës në Ankara drejtuar Departamentit të Shtetit.
Shefi i diplomacisë turke, Ahmet Davutolgu ka theksuar se Turqia po
punon në ngritjen e një Ballkani të ri, i cili ka qenë një shembull i
suksesit në kohën e Perandorisë otomane.
“Ne duam një rajon të ri të Ballkanit, i bazuar në themelet e vlerave
politike, bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimit në harmoninë kulturore.
Ky ka qenë edhe Ballkani otoman. Ne do të përtërijmë këtë Ballkan,
sepse shekujt e këtij Ballkani kanë qenë një rrëfim i suksesshëm, por
tani duhet ta përtërijmë”, ka theksuar Davutogllu.
(INA)