Në vazhdën e publikimit të informatave sekrete diplomatike nga
“Wikileaks”, është publikuar edhe informata ku diplomatët e SHBA-së
përshkruajnë një botë plot seks, drogë dhe rokënrol pas devotshmërisë
zyrtare të familjes mbretërore saudite. Zyrtarët e konsullatës së Xhedës
përshkruajnë një ndejë sekrete me rastin e “Natës së Shtrigave”
(“Halloween”), të organizuar vitin e kaluar nga një pjesëtar i familjes
mbretërore, ku u thyen të gjitha tabutë islamike të këtij vendi. Aty
kishte prostituta dhe alkool me bollëk.
Me gjithë ndalesën, alkooli ishte i pranishëm në ndeja
Kjo ndejë ishte organizuar nga një princ i pasur i familjes së madhe
Al-Thunajan. Diplomatët kishin thënë në informatat e tyre, se identiteti
i këtij princi duhej të mbetej sekret. Një kompani amerikane e pijeve
energjetike kishte financuar pjesërisht këtë ndejë.
“Përkundër faktit se alkooli ndalohet rreptësisht nga ligjet dhe
doganat saudite, ishte shumë i pranishëm në tryezën e kësaj ndeje.
Banakierët e angazhuar filipinas shërbenin një koktej që përmbante
‘sadiqi’, një pije ilegale alkoolike, që bëhet në Arabinë Saudite”. Po
ashtu, nga të pranishmit në atë ndejë, ishte marrë vesh se një numër i
mysafireve, në fakt ishin prostituta, gjë që është e rëndomtë për ndeja
të tilla”.
Depeshja e ambasadorëve amerikanë, e nënshkruar nga konsulli i
Xhedës, Martin Kuin, vazhdon: “Edhe pse nuk kemi informata nga dora e
parë, merret vesh se kokaina dhe hashashi zakonisht janë të pranishme në
ndeja të tilla”.
Skena e ndejave sekrete është duke lulëzuar në Arabinë Saudite, falë
mbrojtjes nga ana e familjes mbretërore saudite, thuhet në depeshe. Por,
në ndejat e tilla mund të marrin pjesë vetëm më të pasurit dhe
gjithmonë pas dyerve të mbyllura. Në ndejën e përfolur ishin të
pranishëm më shumë se 150 meshkuj dhe femra sauditë, kryesisht të moshës
20-30 vjeçare. Patronazhi i princit nënkuptonte faktin se policia
fetare nuk do të ndërhynte në ndejë. Hyrja ishte tepër e kontrolluar dhe
lejoheshin brenda vetëm ata që ishin në listë. “Skena e kësaj ndeje
shëmbëllente shumë me ndonjë klub nate në vendet e tjera: me plot
alkool, çifte të reja duke vallëzuar, një DJ në një kënd dhe të gjithë
me kostume”.
Ndejat, trend i kohës
Në depeshe thuhet se në barin e kësaj ndeje kishte shishe të pijeve
të njohura alkoolike, por ato ishin të mbushura me pije alkoolike
lokale. Në tregun e zi, një shishe e vodkës “Smirnoff” kushton 1.500
rialë ( rreth 300 euro), krahasuar me 100 rialë (rreth 20 euro) sa
kushton vodka e prodhuar (ilegalisht) në vend. Duke u lëshuar në një
analizë më të thuktë të sociologjisë saudite, diplomatët amerikanë
shpjegonin pse shumë princër sauditë kanë truproje nigeriane. Në fakt,
ata i kanë këto truproje që nga mosha më e re, prandaj bëhen aq të afërt
me ta, sa që krijohet një shkallë e lartë besnikërie, për shkak të
jetës së kaluar bashkë. Në informatë më tej thuhet se, adhuruesit e
ndejave të tilla, e kanë të lehtë që të gjejnë ndonjë mbrojtës në mesin e
më shumë se 10.000 princërve të mbretërisë, ku disa janë pasardhës
direkt të mbretit Abdul Aziz, e disa të tjerë janë më të largët për nga
gjaku.
Një i ri saudit u kishte thënë diplomatëve se ndejat e mëdha ishin
trend i kohëve të fundit. Ai kishte treguar se, deri para disa vitesh,
aktiviteti i vetëm gjatë fundjavës ishin takimet në mesin e grupeve të
vogla, të cilat takoheshin në shtëpitë e të pasurve. Disa shtëpi në
Xheda, në bodrumin e tyre kanë bare, diskoteka dhe klube. Një saudit i
shtresës së lartë, deklaron: “Rritja e konservatorizmit gjatë viteve të
fundit, ka ndikuar që marrëdhëniet shoqërore të zhvendosen në shtëpitë e
njerëzve të caktuar”.
Për Portalin Breziiri.com:
Sabri Selmani