Ndërtimet e befasishme në sheshin e qytetit të Shkupit nuk ndalojnë.
Do të shpenzohen mbi 350 mijë euro para të qytetarëve për ndërtim të
pushimores, objekt i paraparë në projektin “Shkupi 2014”. Në ueb faqen e
Entit për furnizime publike është publikuar kontrata e bërë e Komunës
Qendër me firmën ndërtimore “Beton” për ndërtimin e pushimores.
“Pushimorja do të ndërtohet në pjesën e sheshit ‘Maqedonia’ në afërsi
të ndërtesës ‘MEPSO’, ndërsa afër tij do të gjendet hoteli. Nga ana
tjetër rezidenca e kryeministrit, gjegjësisht shërbimi amë, objekte
gjithashtu të parapara në projektin ‘Shkupi 2014’, bëjnë të ditur nga
Komuna Qendër-Shkup.
Në shikim të parë ndërtimi i pushimores kishte shqetësuar qytetarët e
shumtë, sidomos ata të konfesionit islam se po e prekë tokën mbi të
cilën duhet të ndërtohet xhamia “Burmali”, por sipas Komunës Qendër kjo
nuk ka të bëjë me vendin ku kërkohet të ndërtohet xhamia “Burmali”.
Kryetari i Këshillit koordinativ për ndërtimin e xhamisë “Burmali”,
Ramadan Ramadani, pohon se këshilli nuk është kundër, dhe nuk i
interesojnë ndërtimet e projekteve tjera, por nuk duan të cenohet vendi
ku duhet të ndërtohet xhamia “Burmali”.
“Ne si këshill kemi kërkuar që toka e cila i takon historikisht
xhamisë Burmali t’i kthehet. Ne nuk do të lejojmë të ndërtohet asnjë
objekt nëse ajo do ti cenonte, ose prekë parcelën e cila i takon, dhe i
ka takuar historikisht xhamisë ‘Burmali’, dhe në këtë ne nuk do të
bëjmë asnjë lëshim, sepse kjo është e drejtë të cilën nuk mund ta mohon
askush”, tha Ramadan Ramadani, kryetarë i Këshillit iniciativë për
ndërtimin e xhamisë “Burmali”.
Pushimorja do të ndërtohet sipas planit vendimtar të firmës “Mgaron”
ndërsa firma “Beton” është përgjegjëse për realizimin e këtij plani.
Hapësira veçse është e caktuar dhe njëkohësisht e rrethuar për shkak se
shumë shpejtë pritet që të vendosen themelet. Në pushimoren me siguri
do të ketë edhe ulëse të cilat me siguri do të shërbejnë për pushim dhe
relaksim./Koha e Re/