)burmalia xhamia.jpg" border="0" alt=""/>Në sheshin qendror të Shkupit kanë nisur punimet për ndërtimin e një hoteli luksoz në lokacionin ku më parë ka qenë Xhamia Burmali.
Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni (BFIM) ka alarmuar kundër këtyre veprimeve dhe punimeve, duke bërë thirrje për masivizimin e tërë spektrit politik dhe civil në vend për të kundërshtuar ndërtimin e hotelit si pjesë e projektit “Shkupi 2014”, që realizohet mbi themelet e Xhamisë Burmali, e rrënuar dikur dhe që mbi të ishte ndërtuar shtëpia e oficerëve serb gjatë periudhës së pushtimit serb midis dy luftërave botërore.
Lidhur me punimet e nisura kanë reaguar edhe shoqatat fetare dhe joqeveritare në Maqedoni.
Forumi Rinor Islam reagon ashpër për mospërfilljen e thirrjeve dhe kërkesave të sektorit civil në Maqedoni, sa i përket iniciativës për ndërtimin e Xhamisë Burmali.
“Përkundër të gjitha thirrjeve dhe kërkesave, sot qeveria e RM-së në sheshin e Shkupit ka vendosur të vëjë gurthemelin e një hoteli, që është i paraparë në kuadër të projektit Shkupi 2014. Duke e pasur parasysh faktin se Forumi Rinor Islam ka qenë pjesë e OJQ-ve të cilat kërkonin rikthimin e Xhamisë Burmali si një objekt fetar, kulturor dhe tempull i cili do të forconte multi konfesionalitetin në RM, edhe më tej insistojmë që ky objekt i rëndësishëm historik dhe kulturor të ndërtohet në vendin ku ka qenë, pasi se është konform historisë, kulturës dhe strukturës demografike të Shkupit”, thekson FRI.
Afër 100 OJQ vitin e kaluar dolën në mbështetje të ndërtimit të Xhamisë Burmali në sheshin e Shkupit, duke i bërë me dije Qeverisë së mospërfillja e kërkesës së gati gjysmës së popullatës së Maqedonisë, si dhe shkelja dhe nëpërkëmbja e trashëgimisë kulturore në vend, automatikisht do të thotë edhe mosrespektim i demokracisë dhe vullnetit të popullit.
Për ndërprejen e punimeve ka dalur edhe Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) në Shkup, e cila shpreh shqetësimin e vet me fillimin e punimeve për ndërtimin e një hoteli në sheshin e Shkupit, në vendin ku dikur gjendej Xhamia Burmali, duke e konsideruar këtë veprim si një provokim të rëndë ndaj besimtarëve myslimanë, me pasoja të paparashikueshme në fushën e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare.
“Shpërfillja e vazhdueshme që ka bërë qeveria e Republikës së Maqedonisë ndaj kërkesave të Bashkësisë Fetare Islame, Këshillit të OJQ-ve për ndërtimin e Xhamisë Burmali dhe besimtarëve myslimanë në përgjithësi, duke kulmuar këtyre ditëve me këtë veprim të turpshëm të uzurpimit të kësaj prone të Vakëfit, është edhe një goditje e rëndë mbi marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare në vend. QMBI, me këtë rast, kërkon nga Qeveria e RM që të ndalojë të gjitha punimet e filluara për ndërtimin e hotelit në truall të huaj, si dhe të miratojë një vendim të drejtë për kthimin e pronës së Vakëfit dhe për rindërtimin e Xhamisë Burmali në vendin e vet, aty ku me shekuj të tërë ajo ka hijeshuar këtë pjesë të qytetit të Shkupit”, thekson QMBI. (INA)