Për
egjiptianët dhe miliona arabët që ndjekin me vëmendje çfarë ndodh në
Afrikën Veriore, këto janë kohë vendimtare. Pavarësisht shpresës për
ndryshim, përpara shihen rreziqe të mëdha. Për BBC-në janë tre skenaret
e mundshëm.
1. Në shumicën e pankartave, fjala që të bie në sy është “irhal”, që
do të thotë “ik”. Që ky skenar të realizohet, ushtria duhet të luajë
një rol vendimtar.
Presidenti është shkaktari i paqëndrueshmërisë në vend, por ai duhet
të detyrohet të largohet, sepse është i vendosur që të vazhdojë të
ruajë pushtetin e tij.
Një zhdukje kaq e shpejtë e Mubarak-ut nga skena politike e Egjiptit,
do të thotë katastrofë për disa qeveri perendimore dhe Izraelin në
veçanti.
Frika më e madhe është se vakumi institucional do të sillte kaos, nga
i cili mund të përfitonin grupet islamike dhe ushtria në këtë kushte
do të drejtonte shtetin.
2. Skenari i dytë lidhet me qëndrimin e mundshëm të Mubarakut. Deri
tani, megjithëse shumë njerëz kanë humbur jetën në përleshje, shteti nuk
u ka lëshuar pe.
Mubaraku mund të nxjerrë një urdhër për të shpërndarë demonstratën.
Për këtë, ai nuk ka nevojë për ushtrinë, sepse forcat speciale dhe ato
policore do t’i mjaftonin. Përmes një deklarate, ushtria bëri të qartë
se nuk do të përdorë dhunë kundër protestuesve.
Ushtarakët e dinë se nëse do të vendoseshin në krah të presidentit
Mubarak dhe kundër vullnetit të njerëzve, do të humbnin legjitimitetin
dhe pozicionin e privilegjuar në shoqërinë egjiptiane.
Dobësimi i sigurisë, nga ana tjetër dëmton ekonominë e vendit,
turistët do të qëndronin larg tij për një kohë të gjatë. Ky skenar nuk i
intereson as ndërkombëtareve, pasi çmimi i naftes ka nisur të rritet
si rrjedhojë e krizës egjiptiane.
3. Skenari i tretë është formimi i një qeverie të pajtimit kombëtar
dhe largimi gradual i Mubarak-ut. Ndoshta, këtë kupton dhe Uashingtoni
kur flet për një tranzicion të qetë.
Në këtë skenar, Mohamed El Baradei mund të shfaqet si një figurë
kompromisi për të mbikqyrur tranzicionin dhe për të vendosur rregullat e
reja për zgjedhjet, presidentin dhe parlamentin.
Në zgjedhje të lira dhe të ndershme, “Vëllazëria Myslimane” pritet të
fitojë një pjesë të madhe votash. Përkrahet dhe respektohet brenda
Egjiptit, kryesisht për veprimtaritë bamirëse.
Megjithatë, nuk është provuar në qeverisje dhe rreziku islamik
shqetëson veçanërisht perëndimin. Pikëpyetja është: Si mund të pajtojë
“Vëllazëria Myslimane” qëllimin për të krijuar një shtet bazuar mbi
ligjin islamik me parimet demokratike.
Pyetjet që shtrohen janë të natyrshme. A nuk përjashtohen këto dy
koncepte reciprokisht? A mundet të udhëheqë një organizate konservatore
një shoqeri, ku bëjnë pjesë edhe 10 milione të krishterë? Si do t’i
menaxhonte ajo marrëdhëniet e Egjiptit me SHBA-në dhe Izraelin?
(TCH)