Fakti: Ditëve të fundit është krijuar një situatë e tendosur lidhur
me “kishën“ që tentohet të ndërtohet në kalanë e Shkupit. Që nga viti
2001 Maqedonia filloi te “pyllëzohet” me kisha. U ndërtua kryqi i madh
në Vodno, pastaj shumë e shumë kishëza nëpër tërë territorin e vendit
madje edhe edhe spitalin shtetëror ne Shkup. Ky fenomen vazhdon edhe me
tentimin për të kishëruar edhe kalanë e Shkupit, hap ky që ditëve të
fundit po krijon tendosje serioze në opinion. A është ky një provokim i
radhes për shqiptarët dhe muslimanët? Ali Pajaziti: Është
shumë evidente se në Maqedoni ekziston një tendencë institucionale për
të ortodoksizuar apo sllavizuar shoqërinë. Kjo më së miri vërehet nga
provokimet me kryqërit që vëndohen vend e pa vend për të treguar se
kush është Cezari i vërtetë i këtyre trojeve. Absurdi është më i madh
kur kisha është në krizë totale, kur numri i vizitorëve të tyre ka rënë
jashtëzakonsiht shumë dhe kur mbretëron një fetarizëm ortodoks pasiv,
ose një fetari e inatit dhe tregimit të dominancës politike edhe në
sferën religjioze. Establishmenti politik maqedonas, në veçanti ky
aktual po bën veprime fatale për këtë shoqëri, duke provokuar
komunitetet tjera fetare në sedër, në veçanti atë islamik. Thuajse të
gjitha objektet publike po shugurohen nga priftërinjtë, sikur të bëhej
fjalë për një shoqëri cezaro-papiste e jo laike-shekullare. Shteti
haptazi po tregon anshmërinë e vet duke favorizuar njërën fe karshi të
tjerave. Kjo fundit me kishën në kala më s’do koment. Thika ka hasur në
asht. Çmenduria ka treguar kulmin e vet me kishërimin edhe të kalasë
osmane. Mjaft që gjejnë kisha brenda xhamive të vjetra, tash kanë
filluar t’i gjejnë edhe nëpër kala, nesër mund t’i kërkojnë edhe brenda
oborreve tona. Hapësira jonë jetike po ngushtohet. Maqedonizimi si
ideologji sllavo-ortodokse po hap krahët si një lucifer i vërtetë.
Është një provokim edhe atë në sedër, tendencë për t'i rrethuar
shqiptarët dhe muslimanët në një getto dhe për t'u dhënë përshtypjen se
Maqedonia dhe kisha janë një, se edhe antikiteti dhe objektet osmane më
do të pasqyrojnë ortodoksizëm. Irracionalitet se ç'e do. Vërtet ky
maniakalizëm kulturor dhe tërbim fetar i tejkalon përmasat e një
fundamentalizmi orotodoks dhe kalon në terrorizëm panoramik dhe optik.
Dhunë cezaro-papiste-qeveritare bile mund të quhet kjo.