Pasi
që me kauj dhe me deve, në ditën e mërkurë, u futën në sheshin Tahrir
në Kajro, dhe më pas u përleshën me akvistët të cilët protestonin kundër
regjimit, ka shumë që pyesin se kush janë, në të vërtetë, mbështetësit e
presidentit egjiptian Hosni Mubarakut.
Një ditë pasi që Mubaraku lajmëroi se nuk do të kandidohet sërish
president në zgjedhjet e ardhshme në shtator, dhe se nuk planifikon ta
lë postin, mbështetësit e tij shkuan deri aty ku derdhën gjakun nëpër
rrugët e Kajros.
Nga kjo, menjëherë, dyshohet se këta individë nuk janë vetëm qytetarë
të thjeshtë, të cilët përkrahin liderin që udhëheq Egjiptin gjatë tre
dekadave.
Qytetarë të thjeshtë, të paguar apo të detyruar që të protestojnë?Në përleshjet e të dyja palëve, disa mbështetës të Mubarakut janë
marrë peng, ndërsa disa të tjerë janë lutur për t’i liruar, duke u thënë
atyre se qeveria i ka paguar që të dalin në protesta dhe ta përkrahin
presidentin, njofton CNN. Disa, me vete kishin marrë edhe kartelat
policore identifikuese, ndonëse kanë qenë të veshur si civilë.
Shadi Hamid, analist nga Katae, i ka thënë CNN-it se përdorimi i
policisë të veshur si civilë është një “strategji e moçme e regjimit”.
“Zakonisht këta janë të banditët, të cilët duken sikur qytetarë të
thjeshtë, por më pas i sulmojnë demonstruesit. Egjiptianët tani më këtë e
kanë të njohur dhe janë në gjendje shumë shpejt ta mësojnë se çfarë
është duke ndodhur”.
Organizata Amnesty International, me vite ka dokumentuar se, kur
mbaheshin zgjedhjet, forcat e këtilla i kanë përdorur për t’i shpërndarë
grupet antiqeveritare në Egjipt.
Disa gazetarë të CNN-it kanë dëshmuar se atyre u kanë treguar disa
nga mbështetësit e Mubarakut se janë duke i shërbyer qeverisë.
Punonjësit në kompaninë kombëtare petrokimike kanë treguar se si kanë
qentë të detyruar që të dalin në protesta.
“Tubimin e tyre e ka organizuar qeveria dhe Partia Demokratike
Nacionale e cila gjendet në pushtet”, mendon analisti Kemal Zaher. Ai,
gjithashtu, konsideron se punonjësit dhe gjyqtarët qeveritarë, nëse nuk
dalin në protesta, kërcënohen të humbasin vendin e punës.
Një zgjedhje e vështirë para qytetarëve të Egjiptit “U është urdhëruar të dalin në rrugë. Janë të organizuar shumë mirë,
ndërsa kjo është e dyshimtë, sidomos për shkak të prezencës së kuajve
dhe deveve. “Këto nuk janë mënyrë normale për të protestuar,” thotë
Zaher.
Analisti Emad Shahin, nga universiteti Notre Dame, beson se Mubarakut
i ndihmojnë biznesmenët, të cilët e përkrahin atë. Ai shton se
egjiptianët janë para një zgjedhje të vështirë – lirinë ose sigurinë.
Për Zaherin është i dyshimtë edhe fakti se forcat policore nuk ndërhynë gjatë përleshjes mes dy taborëve.
Gazetarja dhe protestuesja Reham Saeed për të televizionin CNN
deklaroi se ka parë shumë burra me uniforma policore duke hyrë në
hotelet që janë gjatë rrugës për në sheshin Tahrir, ndërsa të njëjtët
pastaj dilnin me veshje civile dhe iu bashkëngjitnin mbështetësve të
Mubarakut.
“Mubaraku është babai ynë”Televizioni shtetërorë citoi disa njerëz të cilët thonin se e përkrahin presidentin sepse ai u ka siguruar siguri dhe pavarësi
“Tridhjetë vite jetonim në paqe. Presidenti Mubarak na ka mbrojtur,
ishim të sigurt dhe nuk ishim nën urdhrin e fuqive të huaja, sikur që
janë SHBA-të. Këta duan që ne të bëhemi sikur Iraku, mirëpo kjo nuk do
të ndodh”, deklaroi Iman Abu Futuh për Tv Nilin.
Një mbështetës tjetër tha: “Nuk kam qarë kur më vdiq i ati. Por, qava
kur presidenti ynë fliste mbrëmë në televizion. Unë jam rritur duke e
konsideruar atë si liderin tonë dhe si president të shkëlqyer për këtë
popull.”
Një grua përkrahëse e Mubarakut deklaroi: “Presidenti është babai
ynë, ndërsa nuk do të lejojmë që dikush t’i ofendojë më të vjetrit. Nëse
këtë e lejojmë, do të nënçmojmë veten tonë. Në këtë mënyrë ne
shkatërrojmë vendin tonë.”
(Breziiri)