Mesnevi: “Nëse e dini se kush është në këtë shtëpi të shpirtit, përse e bëni këtë gjë të pahijshme përpara derës?”
“Njerëzit që nuk arsyetojnë, respektojnë mesxhidin për nga natyra njerëzore, por nuk tregohen të kujdesshëm ndaj besimtarëve duke u thyer zemrat”. (v 2 3108 – 3109)
Shpirti është vendi ku hedh shikimin Allahu.
Krimi më i madh i epshit është thyerja e një zemre,prandaj edhe Mevlana në një tjetër varg thotë:
Qabeja është një ndërtesë që e ka ndërtuar i biri i Azerit, Halil Ibrahimi, ndërsa shpirti është vendi ku më i Larti i të Lartëve, Allahu, hedh shikimin.
Për këtë arsye, të shembësh shpirtin që është vendshikimi hyjnor, është një dëm shumë i madh, si të shembësh Qaben.
Edhe Junus Emre thekson të njëjtën gjë duke thënë:
Mësuesi i moshuar mjekërbardhë
Nuk mund t’i dijë sa e sa halle ka
Mësuesi i vjetër,
Nëse shemb një shpirt...
Njeriu është krijesa më e mrekullueshme, kurse zemra e tij është vendi ku hedh shikimin Zoti.
Në një transmetim në Hadithi Kudsi thuhet:
“Mua nuk më nxë toka dhe qielli. Mua më nxë zemra e një robi besimtar”. (Axhluni,Keshfu’l Hafa II 195)
Të gjitha këto shprehin atë se ç’faj i rëndë është t’i thyesh zemrën dikujt, apo kur shpreh
pozicionin e dikujt. Pozicioni dhe vlera e njerëzve me zemër të thyer është e lartë në syrin e Allahut. Ata që
dëshirojnë të arrijnë kënaqësinë hyjnore, duhet t’i gëzojnë shpirtrat e lënduar.
Lidhur me këtë, edhe Hz. Musai një ditë i bëri një dua të tillë Zotit:
- O Zot!Ku të kërkoj Ty?Allahu Teala iu përgjigj:
- Mua më kërko te ata që kanë zemrat e thyera.(Ebu Nuajm,Hilje,II 364)
Edhe në një hadith Kudsi të transmetuar nga Ebu Hurejre,Pejgamberi (a.s.)ka thënë:
Në ditën e gjykimit Allahu i Lartë do të thotë:
- O biri i Ademit! Unë u sëmura dhe ti nuk më erdhe të më vizitoje?
Robi do të përgjigjet:
- O Zoti im! Si mund të të bëj vizitë unë Ty, kur Ti je Zoti i botëve?
Allahu i Lartë do të përgjigjet:
- A nuk e dije ti që filani ishte i sëmurë dhe nuk i shkove për vizitë? A nuk e dije që nëse
do ta kishe vizituar atë, do më kishe gjetur edhe Mua pranë tij?
Allahu Teala do të thotë:
- O biri i Ademit! Unë kërkova prej teje për të ngrënë, por ti nuk më dhe!
Robi do të pyesë:
- O Zoti im! Si të të ushqej dhe të të ngop unë Ty, kur Ti je Zoti i botëve?
Allahu i lartë do të përgjigjet:
- Robi im kërkoi ushqim prej teje. Ti nuk ia ofrove. A nuk e dije se, sikur t’i jepje për të ngrënë atij, do të më gjeje edhe Mua aty?
Zoti do të thotë:
- O biri i Ademit! Unë kërkova prej teje ujë dhe ti nuk më dhe!
Robi do të pyesë:
- O Zoti im! Si mund të të jap ujë Ty? Ty që je Zoti i botëve!
Allahu i Lartë do të përgjigjet:
- Një robi im kërkoi ujë prej teje, por ti nuk i dhe.A nuk e di se sikur ti jepje ujë, do më gjeje Mua pranë tij?(Muslim,Birr,43)
Duaja e një robi që ka zemrën dhe shpirtin e lënduar dhe që ka mbetur i vetmuar, pranohet te Allahut pa parë nëse është besimtar apo jo. Sepse nuk ka perde mes duasë së të përvuajturit dhe Allahut.
Kështu i këshillonte Pejgamberi (a.s.) ashabët e tij, që të kishin kujdes nga duaja e pranuar e të përvuajturit:
“Bëni kujdes nga duaja e të përvuajturit. Pasi mes duasë së tij dhe Allahut nuk ka perde”.(Muslim, Iman, 29)
Ka tri kategori personash, duatë e të cilëve Allahu nuk i kthen:
1.Duaja e agjëruesit - deri sa të bëjë yftar.
2.Duaja e të përvuajturit.
3.Duaja e kryetarit të shtetit që është i drejtë.
(Tirmidhi,Davud,48, Ibn-i Maxhe,Dua,2)
Sa bukur e shpreh ky hadith faktin se Allahu i Lartë nuk është i kënaqur kur
nënvlerësohen robërit e Tij:
I dërguari i Allahut tha:
- Një burrë foli në mënyrë të prerë duke thënë:
- Betohem për Allahun se Ai (Allahu) filan person nuk do ta mëshirojë.
Ndërsa Allahu i Lartë tha:
- Kush është ai që betohet se filanin nuk do ta fal? Unë atë e mëshirova, ndërsa punën
tënde e anullova! (Muslim, Birr, 137)
Mesnevi: “Allahu nuk turpëron asnjë popull për sa kohë të mos lëndohet shpirti i një Pejgamberi dhe i një miku të ngushtë të Zotit”.(V 2 3112)
Këto rreshta shprehin se njëra nga arsyet kryesore të poshtërimit të popujve është kur lëndohet një Pejgamber apo një mik i ngushtë të Allahut. Një individ apo një popull që nderon dhe vlerëson një rob, shpërblehet sa herë që nderon dhe vlerëson atë.
Në një hadith Kudsi thuhet:
- Kush shpall armiqësi ndaj robit Tim, unë i shpall luftë atij. Robi im nuk mund të më qëndrojë afër më shumë sesa me namazet farz që ia kam urdhëruar.
Robi im më afrohet pa ndërprerje më adhurimet nafile (ata që ka bërë përveç farzeve). Unë atë e dua dhe kur ta dua
robin Tim, Unë bëhen thuajse veshi, syri, dora dhe këmba e tij. Atij i jap ç’të dëshirojë.
Nëse mbështetet tek Unë, e mbroj. (Buhari, Rikak, 39)
Nëse duam të japim shembuj nga historia, për këtë na vlen pikërisht shembulli i Hz Musait me Faraonin:
Magjistarët e Faraonit, duke parë fuqinë e Hz Musait, e pyetën atë:
- O Musa, ti do ta hedhësh i pari shkopin tënd, apo po e hedhim ne?
Ata u udhëzuan me begatinë e këtij urimi të bërë mikut të ngushtë të Allahut. Megjithatë, si shpagim për mos-bërjen e kompromisit me një Pejgamber, ata morën dënimin e duhur, një dënim shpirtëror ky.
Siç dihet, ata u bënë viktimë e Faraonit dhe më pas atyre iu prenë këmbë e duar, duke arritur kështu gradën e dëshmorit.
Magjistarët, të cilët në të njëjtën ditë arritën në dy pole të kundërta - nga shkalla e mosbesimit, duke dalë në dyluftim me një Pejgamber, dhe nga ana tjetër, duke dalë kundër Faraonit - më në fund arritën një besim të sigurtë kur, përkundrejt dhunës së Faraonit, në vend të kësaj bote të përkohshme, zgjodhën mirësinë e përhershme.
“(Magjistarët) thanë -Nuk mund të të zgjedhim ty në vend të atyre mrekullive tepër të qarta dhe në vend të Atij që na ka krijuar. Prandaj ti bëje atë që dëshiron të bësh! Ti vetëm në këtë botë mund të kuvendosh!” (Taha/72)
Ndërkohë që Faraoni po i dënonte rëndë, duke u prerë këmbë e duar, ata, me ankthin se mos po humbasin besimin e tyre, iu lutën Zotit që t’ua pranonte këtë besim.
- ... Zoti ynë! Na dhuro durim të mjaftueshëm dhe na merr shpirtin si myslimanë! (el- A’raf/126)
Mevlana, kuptimin e këtij hadithi e shpjegon në këtë mënyrë:
Faraoni i pashpirt, duke i kërcënuar me vdekje magjistarët e tij për shkak të besimeve të tyre, u tha:
- Do t’ua pres kryq duart e këmbët dhe më pas do t’ju var!
Faraoni kishte pandehur se magjistarët do të frikësoheshin në atë çastt, do të dridheshin dhe do t’i përuleshin nga frika, por ai nuk e dinte se ata kishin shpëtuar tashmë nga frika dhe mëdyshja, ishin pajtuar me të vërtetën dhe me të fshehtat hyjnore. Edhe sikur të rriheshin njëqind herë dhe të dërmoheshin, tashmë ata ishin treguar të
mençur dhe të shkathët për të dalluar qoftë edhe hijet e tyre.
Pra, ata tashmë e kishin kuptuar se e vërteta është shpirti,ndërsa trupi është hije dhe se duke sakrifikuar arrijnë deri në shkallën “Fenafillah”.
O njeri, kjo botë është gjumë dhe ëndërr. Ki kujdes dhe mos u mashtro nga shfaqjet e kësaj bote. Edhe sikur në ëndërr të të priten duart dhe të copëtohet trupi, mos u frikëso!
Pejgamberi (a.s.) tha: - Kjo botë është veçse një ëndërr.
Mesnevi: “Disa u ngritën të luftonin me Pejgamberët.Ata i panë trupat e tyre dhe pandehën se janë njerëz të thjeshtë”. (v 2 3113)
Ata të cilët i kujtojnë Pejgamberët si njerëz të zakonshëm dhe që nuk shohin aty dukuri hyjnore, urtësi apo pjesë të Zotit, nuk mund ta shpëtojnë unin e tyre nga rrënjosja në imoralitet dhe mungesë respekti. Kështu ka ndodhur edhe në histori.
Ata të cilët nuk arritën t’i konceptonin Pejgamberët në aspektin e detyrës së tyre hyjnore dhe botës së tyre shpirtërore, nuk kanë arritur bindjen dhe dorëzimin e plotë dhe janë trupëruar për shkak të mungesës së etikës.
Ebu Xhehli dhe Ebu Lehebi e menduan Pejgamberin nga ana fizike thjeshtë një kallëp mishi,sikurse ishin vetë,dhe ngaqë nuk e dinin vlerën e tij ata u shkatërruan.
Ashabët, të cilët e njihnin më nga afër Pejgamberin, e admironin shumë. Kurse Ebu Bekri që ishte edhe miku më i ngushtë i tij, duke i qëndruar vazhdimisht pranë mbetej i mahnitur nga ai diell i dy botëve.
Ndërsa kryemuezini i të Dërguarit të Allahut dhe njëkohësisht bilbili i mesxhidit të Profetit, Bilali, ishte shumë më ndryshe. Kur i Dërguari i Allahut u nda nga kjo botë, ai thuajse i kishte humbur fare ndjenjat.
Çdo gjë në mendjen e tij filloi të mjegullohej.
Halifeja Hz Ebu Bekri iu lut shumë Bilalit, që ai të këndonte ezanin.
Bilali, i dashuruari i Pejgamberit, tha:
- O Ebu Bekër! Nëse pyet për dëshirën time unë nuk kam më forcë dhe fuqi të thërras ezanin pas të Dërguarit të Allahut. Mos më detyro, të lutem më lër të qetë!
Por Ebu Bekri kërkoi me insistim të dëgjojë ezanin nga zëri i kumbueshëm i Bilalit, duke thënë:
- Bashkësia Muhamedane mbeti pa të Dërguarin e Allahut, tani duhet të mbesë edhe pa muezinin e Tij?
Bilali nuk arriti t’i bënte ballë insistimeve: edhe pse trup-përulur dhe me lotë në sy, hipi në minare, por për shkak të një bllokimi të brendshëm në krahëror nuk arriti të thërriste ezanin, dhe u kthye prapa.
Ebu Bekri nuk insistoi më tepër. Bilali nuk mundi të qëndronte më shumë në Medinën plot me kujtimet e magjishme të Dërguarit të Allahut, dhe menjëherë pas atij namazi të sabahut u nis për rrugë.
Shkoi në Damask.Me mallin e madh për të arritur sa më parë tek Pejgamberi (a.s.),merrte pjesë në luftimet në zonat kufitare dhe si domosdoshmëri e përcaktimit hyjnor çdo herë bëhej luftëtar në rrugë të Allahut.
Kështu kaluan vite.
Një natë, në ëndërr, pa Pejgamberin (a.s.)
I Dërguari i Allahut po i thoshte:
- O Bilal! Ç’është ky mundim, kjo ndarje? Akoma nuk ke gjetur kohë të më takosh Mua?
Bilali u zgjua i tensionuar. Menjëherë i hipi devesë dhe u nis shkretëtirave. Pas një rruge prej disa ditësh, i vetëm, më në fund arriti në Medinën e ndritshme. Vrapoi menjëherë drejt varrit të Pejgamberit - pa i buzëqeshur askujt në rrugë. Qëndroi aty i vetmuar. Me fytyrën e ngrysur dhe me sy të përlotur tha:
- Erdha o i Dërguari i Allahut, ja ku jam!
Në këtë moment u dukën nipërit e Pejgamberit (a.s.): Hasani dhe Hyseni. Bilali, sapo i vuri re, u ngrit dhe i përqafoi duke thënë:
- Ah! Drita e syve të Pejgamberit!
Hasani pyeti:
- O Bilal, kërkoj diçka prej teje. A e bën dot?
Bilai u përgjigj:
- Thuaje shpirti im, thuaje!
Ndërkohë, Hasani vazhdoi:
- Na ka marrë malli të dëgjojmë ezanin e Pejgamberit që këndove në Mesxhidi Sherif.
Duam ta dëgjojmë atë, a mund ta thirrësh?
- Për ju e bëj, tha Bilali.
Në kohën e drekës, Bilali hipi në vendin ku më parë kishte thirrur ezanin në Xhaminë e Pejgamberit.
Me mendime të thella dhe me një zë përvëlues filloi të thërriste ezanin, duke thënë aq fort “Allahu Ekber, Allahu Ekber”, sa që një Medinë e tërë u dridh nga zëri i tij: Malet dhe gurët kumbuan lehtësisht me këtë dashuri të djegur.
Kur tha “Eshhedu en la ilahe illallah”, Medineja u shkund. Ndërsa kur tha “Eshhedu enne muhammeden resulullah”, i gjithë populli doli nëpër rrugë.
Njerëzit pyesnin njëri-tjetrin, qanin dhe thërrisnin duke thënë:
- Ç’ndodhi? Mos vallë Pejgamberi erdhi përsëri në këtë botë?
Kurse Bilali po përpiqej t’u shmangej emocioneve të tij dhe ta përfundonte sa më mirë ezanin, por s’ishte e mundur!... Dukej sikur po mbytej nga këto emocione.
Nuk arriti ta mbante veten: ashtu siç ishte, i lodhur e i këputur dhe me lot në sy, u rrëzua përdhe.
Fatma, zonja e Xhenetit, që ishte mërzitur shumë nga ndarja e përkohshme e Pejgamberit të mëshirës dhe babait të bekuar, tha:
- Me ndarjen e Profetit nga jeta mua më ndodhi një fatkeqësi e tillë që, edhe sikur të pllakoste mbi errësirën, errësira do të ndryshonte ngjyrë.
Zoti ynë na i ndriçoftë zemrat dhe shpirtrat tanë me dashurinë e të Dërguarit të Allahut, të sahabëve të Tij dhe të gjithë atyre që ecën në rrugën e Tij!
Zoti ynë na e mundësoftë ta njohim nga afër Pejgamberin tonë dhe të marrim fryte nga morali dhe personaliteti i Tij!
Le të na e bëjë dashurinë e Tij të lartë një rrisk për zemrat tona, një rrisk që nuk konsumohet aspak dhe që shtohet pa ndërprerje!...
_____________________________________________
Ky tekst ësht marrë nga libri :
"PIKA ELIKSIRI" ( Nga deti i Mesnevisë)
Autor :Osman Nuri TOPBASH
Mundësoi dhe Përpunoi : Bujamin Salija