Zënia rob e komandove angleze nga ana e kryengritësve libianë e la në pozitë të vështirë ambasadorin e Anglisë në Tripoli, Richard Northern.
Biseda telefonike e ambasadorit Northern, i cili momentalisht gjendet në Londër për shkak të kaosit në Libi, me kryengritësit u transmetua mbrëmë në televizionin shtetëror të Libisë.
Forca të njësive speciale angleze dhe diplomatët që mbronin ata përbënin një grup paraprak që qeveria angleze dërgoi për të kontaktuar me kryengritësit në Libi.
Por, operacioni i ashtuquajtur sekret dështoi me arrestimin e grupit në fjalë të premten në darkë në qytetin Bengazi, që njihet edhe si kalaja e kryengritësve.
Kryengritësit anglezët e kapur i mbajnë në arrest shtëpie dhe u kanë konfiskuar edhe telefonat celularë.
Bisedimet mes Londrës dhe kryengritësve dhanë rezultate dhe 8 shtetas anglezë u dërguan në Maltë me një fregatë britanike.
Njoftohet se kryengritësit kanë marrë helikopterin dhe armët e njësive speciale angleze.
Ministri i jashtëm i Anglisë, William Hague, deklaroi se ekipi i dërguar për të kontaktuar me kryengritësit “u përball me disa probleme” dhe shtoi se janë të mendimit të dërgojnë një ekip tjetër me qëllim të forcimit të marrëdhënieve me grupet kundërshtare të Kaddafit.
Por kryengritësit refuzojnë të bisedojnë me grupet që hyjnë fshehurazi në Libi dhe bëjnë të ditur se janë vetëm për bisedimet që do të zhvillohen me anë të kanaleve normale diplomatike.
(TRT)