Ke lindur në këtë vend. Do të rritesh me bukën dhe me ujin e këtij populli. Mbase ke mësuar në shkolla që janë të investuara me bollëk. Investime të cilat ndoshta ia kanë prerë rriskun edhe ndonjë jetimi.
Si një garanci e së ardhmes tonë, ke për t’u bërë deputet i këtij populli. Ke për t’u përballuar me njerëz që të presin me zemër të hapur, që dinë se ç’është ndihma dhe njerëzimi. Ke për t’u përballuar edhe me njerëz që do të sillen ndaj teje njëlloj sikur të të kishin djalin e tyre… Më pas duke i harruar gjithë këto të mira, ke për t’i tradhëtuar në vendin ku ke ngrënë bukë…
Ç’kuptim ka kjo? Ç’mendim është ky?
Edhe një kafshë kundrejt një bujarie të kthehet me një mijë shërbime.
Përse vallë kundrejt gjithë këtyre të mirave, këta njerëz mosmirënjohës zgjedhin rrugën e tradhtisë?!
Si ka mundësi që ua lejon ndërgjegjja?!
Përgjigjen e kësaj po mundohem ta kujtoj nga një libër :
"Është e ditur se në qoftë se prishet një gjë e mirë, është më e prishur se sa kur prishet diçka e thjeshtë. P.sh. qumështi dhe kosi po u prishën, përsëri mund të hahen. Kurse gjalpi po u prish, nuk hahet më. Ndonjëherë bëhet si helm. Po kështu edhe njeriu që është krijesa më e përsosur dhe më e lartë, nëse prishet, bëhet më i prishur se sa kafshët e prishura. Ashtu si insektet që marrin lezet nga era e gjërave të prishura, si gjarpërinjtë që marrin lezet nga të kafshuarit, ashtu (edhe njerëzit e prishur) kënaqen dhe mburren nga moralet e pista dhe të këqija. Ata kënaqen nga zullumi, dëmet e tyre dhe nga krimet."
Tashmë po kuptohej dhe sqarohej kuptimi i këtyre shprehjeve që ishin shkruajtur gjysëm shekulli më parë. D.m.th. fara e hedhur në ato vite po i jepte frutet e saj tani.
Duke menduar se në ç’gjendje mund ta sjellin këtë popull të rinjtë, kur nga zemra e tyre shkulej besimi, sjellja dhe virtyti, me gjithë të nxehtin në stacionin e Tetovës, po dridhesha dhe po i luteja Zotit që këtë komb të madh ta ruajë nga e keqja dhe nga armiqësitë e njerëzve të tillë.
Vallë sa nevojë kemi për durim, vullnet e forcë, për të luftuar kundër kësaj shoqërie të mashtruar?
Duke ecur përpara për t’i hipur autobusit, po mundohesha të përsërisja duke pëshpëritur, fjalët e fundit të bashkudhëtarit tim, që e kishte zemrën copë-copë nga vuajtjet:
"Ata që shkatërrojnë janë shumë, ata që ndërtojnë pak. Kështu që ata që ndërtojnë duhet të punojnë ditë e natë për të rindërtuar atë që është shkatërruar".
---------------------------------------
Shkruar nga: Bujamin SALIJA