Mijëra
persona janë larguar nga Siria duke kaluar në Turqi nga frika e sulmeve
ushtarake ndërkohë që sot janë paralajmëruar më shumë protesta të
dhunshme kundër regjimit të presidentit Bashar Al Asad.
Kryqi i Kuq i Turqisë ka deklaruar se ka ngritur një kamp afër
kufirit për të strehuar njerëzit që po vazhdojnë të kalojnë kufirin.
Ministri i jashtëm turk, Ahmet Davutoglu tha se 2.400 sirianë tashmë gjenden në Turqi.
Ushtria nis aksionin në Xhisr Shugur
Ushtria siriane ka nisur operacionet për “vendosjen e sigurisë” në
qytetin Xhisr Shugur dhe në rrethinat e tij, bëjnë të ditur mediat
lokale.
Më herët gjatë javës, qeveria siriane deklaroi se 120 agjentë
sigurie mbetën të vrarë në qytetin në fjalë, në veri-perëndim të vendit.
Njoftimi dhe pozicionimi i trupave në këtë zonë ka shkaktuar një valë eksodi të banorëve drejt Turqisë.
Qeveria ka fajësuar për vrasjet grupe të armatosura, por raportohet
se edhe mes forcave të sigurisë ka agjentë të rebeluar ndaj regjimit.
Televizioni publik sirian tha se persona të armatosur kanë marrë nën
kontroll qytetin dhe kanë ngritur barrikada për të penguar
ushtrinë./ora/