Gjatë
vizitës që një grup të rinjsh, përfaqësues të revolucionit egjiptian,
kanë zhvilluar këto ditë në Turqi, janë takuar edhe me kryeministrin
turk, Rexhep Taip Erdogan. Gjatë vizitës së kryeministrit, ky i fundit,
ndër të tjera u kërkoi të ndjekin modelin e profetit Muhamed a.s në
marrjen me politikë, zgjedhjen e kandidatëve dhe komunikimin me rrymat
e ndryshme dhe jomyslimanët. Ai theksoi rëndësinë e fokusimit të
përpjekjeve në zgjedhjet lokale, gjë e cila lehtëson funksionimin e
demokracisë në çdo fushë më vonë.
Pasi kishte qëndruar tre orë rresht para simpatizantëve të tij gjatë
një takimi elektoral, Erdogani bashkë me të shoqen dhe dy vajzat iu
drejtua delegacionit egjiptian, të cilët i përshëndeti në
arabisht:”Esselamu alejkum! Kejfe halukum (si jeni)?”
Gjatë fjalës me të rinjtë e revolucionit egjiptian, Erdogani u
tha:”Ne besojmë se regjimet diktatoriale nuk përkojnë me natyrën e
njeriut. Në këto regjime, njerëzit adhurojnë njerëzit, sakaq ne nuk
jemi robër të njerëzve, por të Zotit të njerëzve. Ne kemi qëndruar
pranë jush dhe pranë të gjithë revoltave që përfshinë botën arabe, të
cilat filluan në Tunizi, u shtrinë në Egjipt dhe që andej në vendet e
tjera.”
Lidhur me vizionin e tij për demokracinë, Erdogan tha: ”Demokraci e
vërtetë është ajo që i siguron të drejtat themeltare qytetarëve, u jep
të drejtat që u takojnë gruas dhe fëmijëve dhe garanton lirinë e fesë
të gjithë besimeve të tjera.”
Lidhur me marrëdhëniet me besimet e tjera, Erdogan shtoi: ”Duhet ti
respektojmë të gjithë besimet. Profeti Muhamed a.s mori edhe votat e
jomyslimanëve në Medine, jo sepse ishte i dërguari i Zotit, por sepse
njihej si “Muhamedi besnik”. Lidhur me respektin e mendimeve të
ndryshme të Profetit a.s, Erdogani u kujtoi hadithin: ”Mos ua shani
zotrat e tyre, që mos shajnë Zotin tonë.”
Përsa i përket politikanit të suksesshëm, Erdogani tha: ”Ai duhet të
mishërohet me moralet më të larta, amanet dhe pastërti. Ai duhet të
gëzojë besimin e njerëzve.”
Zgjedhjet vendore janë më të rëndësishmeKryeministri Erdogan u bëri thirrje të rinjve egjiptianë që ti
kushtojnë rëndësi zgjedhjeve vendore, pasi ato janë rruga e vetme për
zbatimin e demokracisë në vend dhe për kandidatë, të zgjedhin më të
mirët dhe të besueshmit.
Lidhur me këtë pikë, ai tha: ”Demokracia duhet të vijë nga poshtë,
pra të fokusohemi kryesisht tek nevojat e njerëzve dhe tek
infrastruktura e cila i shërben komunitetit. Duhet filluar me zgjedhjet
lokale, me qëllim që demokracia të ngrihet në baza të shëndosha.”
Edhe pse qëllimi i vizitës ishte njohja me përvojën politike turke,
Erdogani u tha të rinjve egjiptianë:”Duhet të prodhoni një përvojë
tuajën, pasi çdo shtet ka specifikat e tij të cilat e dallojnë nga
shtetet dhe vendet e tjera. Kjo, edhe pse përvojat e të tjerëve duhen
studiuar dhe duhet përfituar prej tyre.”
Lidhur me eksperiencën e tij me krerët e regjimit të mëparshëm në
Egjipt, Erdogan tha:”Një herë kam marrë pjesë në një konferencë në
Sharm Sheikh me krerët e disa shteteve. Një përfaqësues egjiptian më
pyeti:”Sa kohë u duhet të shpallni rezultatet e zgjedhjeve në Turqi?”
Unë i thashë se shpallen në të njëjtën ditë të votimit. Kurse ai shtoi:
”Tek ne na nevojiten disa javë derisa të shpallim rezultatin.” Kjo do
të thoshte se ata i manipulonin rezultatet.”
Mandej, Erdogan u tha të rinjve egjiptianë se po punonte për një
revolucion të ri në Turqi, revolucionin e ndryshimit të koncepteve dhe
zhvillimit shkencor e teknologjik.
Aktivistët egjiptianë u bënë thirrje autoriteteve turke që të hapin
një degë të universitetit të Ez’herit në Turqi, si dhe një universitet
turk në Kairo, me qëllim që të rriten shkëmbimet kulturore mes dy
vendeve.
Delegacioni i të rinjve të revolucionit është takuar edhe me
presidentin Gyl, si dhe me ministrin e jashtëm turk, Ahmed Dautoglu.
/ardhmeriaonline/