Pasi
kanë ndaluar lundrimin drejt Gazës të anijes “Guximi i Shpresës”,
autoritetet greke e kanë detyruar të ankorohet në portin e Pireut dhe më
pas kanë arrestuar kapitenin e saj. Xhon Klasmir, i cili akuzohet se donte të largohej me anijen që ai
drejtonte pa leje nga porti duke vënë në rrezik jetën e pasagjerëve, ka
kaluar gjithë natën në një qeli pa krevat deklarojnë pjesëtarët e
ekuipazhit.“Guximi i Shpresës” me 36 aktivistë dhe 10 gazetarë amerikanë
është një prej dhjetë anijeve të “Flotës së Lirisë 2”, me 350 aktivistë
nga 22 shtete të botës, që kërkon të lundrojë për të çuar ndihmë
humanitare në Rripin e Gazës, duke thyer në mënyrë simbolike bllokadën
izraelite.
Aktivistët që janë kryesisht qytetarë amerikanë janë të vendosur
pavarësisht pengesave të qeverisë greke për të çuar misionin deri në
fund.
“Ne nuk do të ndalemi. Ne do të shkojnë në Gaza. Nëse jo këtë javë,
do të shkojmë javën e ardhshme. Këto praktika frikësimi nuk do të
funksionojnë”, shprehet Jane Hirschmann, organizatore amerikane.
“Ndjehemi shumë të fyer nga qëndrimi i qeverisë greke e cila ka
pranuar në realitet të sjellë rrethimin e Gazës deri këtu në brigjet
greke”, shtoi një aktivist grek.
Nga portet greke do t’i bashkohen “Flotës së Lirisë 2”, pesë anije të
tjera, dy në portin e Pireut, dy në Kretë dhe një në Korfuz. Ndalimi i
lundrimit të tyre ka ngjallur reagimet e organizatës palestineze Hamas
që e ka konsideruar këtë akt si një veprim çnjerëzor që shkel ligjet
ndërkombëtare.
“Askush nuk duhet të lejojë Izraelin të detyrojë qeveritë e tjera të
bëjnë punët e ndyra që ai dëshiron. Dhe unë jam dakord me faktin se
askush nuk duhet të lejojë qeverinë izraelite të transferojë rrethimin e
Gazës”, deklaroi Mustafa Barghouti, anëtar i parlamentit palestinez.
Kuarteti i ndërmjetësuesve të paqes për Lindjen e Mesme: OKB, SHBA,
BE dhe Rusi, ka kërkuar ditën e shtunë nga të gjitha qeveritë që
implikohen në këtë çështje të përdorin presionin tyre për të inkurajuar
dhe për më tepër, për të ndaluar lundrimin e flotës së dytë brenda një
viti drejt Rripit të Gazës që ndodhet nën bllokadën e Izraelit qysh prej
vitit 2007./TCH/