Ish-nënkryetari i Qeverisë së Serbisë, József Kasza, ka deklaruar se
Serbia duhet të pranojë realitetin për humbjen e Kosovës, sepse
preokupimi i përhershëm me këtë çështje çon në shkatërrim të vendit.
“Marrja e përhershme me çështjen e Kosovës, në vend të ekonomisë,
është shkatërrim për Serbinë”, ka thënë Kasza për të përditshmen e Novi
Sadit, “Dnevnik”.
“Serbia njëherë duhet të kuptojë se Kosova është humbur, ashtu siç në
kohën e vet e kishte kuptuar Hungaria, kur pas Luftës së Parë Botërore
kishte humbur dy të tretat e territorit”, ka thënë ai.
Kasza ka vlerësuar se duhet të punohet në mbrojtjen e përmendoreve
kulturore dhe historike, si dhe në trashëgiminë e popullit serb në
Kosovë, sepse “të gjitha të tjerat kaherë janë vendosur”.
“Natyrisht, respektoj marrëdhëniet sentimentale të serbëve ndaj
Kosovës. Hungarezët edhe sot e kësaj dite, njëqind vjet pas marrëveshjes
së Trianonit, këtë me vështirësi emocionale e pranojnë. Mirëpo, nëse do
të merreshin vetëm me këtë, atëherë Hungaria do të shkatërrohej”, ka
thënë Kasza.
Sipas fjalëve të tij, Serbia duhet të kthehet kah zhvillimi ekonomik
dhe të kërkojë partnerë në bashkësinë evropiane dhe botërore.
Kasza ka thënë se nuk mund të kuptojë pse Beogradi e pengon Vojvodinën që të realizojë autonominë e gjerë.
“Nuk mund ta kuptojë se Beogradi e pengon këtë, dhe pse edhe më tutje
ekziston fama se Vojvodina do secesion. Më në fund Beogradi duhet të
kuptojë se vendi i Vojvodinës është në Serbi dhe se Serbia bashkë me
Vojvodinën duhet të jenë në Evropë. Kjo është e ardhmja”, ka thënë
Kasza.
(Koha)