Është inauguruar të mërkurën Xhamia e Qylit në Gjakovë, njëra ndër xhamitë më të vjetra të qytetit. E ndërtuar në vitin 1817 – xhamia e dytë pas asaj të Hadumit – Xhamia e Qylit është shkatërruar disa herë meradhë nga luftrat e shumta që u zhvilluan në Kosovë e deri te lufta e
fundit, me ç’rast pothuajse u bë e papërdorshme.
Në inaugurimin e saj, përveç shumë besimtarëve, morën pjesë edhe
zyrtarët më të lartë të Bashkësisë Islame dhe të Komunën së Gjakovës.
“Nga hapësirat e kësaj xhamie do të edukohen dhe do të arsimohen
brezat e rinj në vazhdimësi dhe nga ky vend do të thirret për paqe,
tolerancë, harmoni dhe bashkëjetesë në mes të të gjithë shqiptarëve”, ka
thënë në fjalën e tij kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të
Gjakovës, Fatmir Iljazi.
Nga ana tjetër, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim
Ternava, tha se ndërtimi i xhamive është nevojë e besimtarëve, por është
edhe e drejtë e tyre kushtetuese që ta kërkojnë një gjë të tillë.
“Kërkesa e besimtarëve në Prishtinë që ta kenë edhe ata një xhami në
qendër të qytetit, nuk po bëhet për asnjë inat e asnjë xhelozi, por po
bëhet sepse me të vërtetë ndërtimi i saj është një domosdoshmëri e
kohës. Ne do t’i qëndrojmë gjithmonë besnikë kërkesave të besimtarëve,
por njëkohësisht kërkojmë që edhe institucionet qendrore e lokale t’i
realizojnë këto kërkesa të besimtarëve, të cilat tek e fundit janë edhe e
drejtë e tyre kushtetuese”, ka thënë Myftiu Tërnava.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, tha se investime të tilla
janë shërbim shumë i mirë për qytetarët, ndërsa foli edhe për
bashkëjetesën dhe tolerancen fetare në mes të popullit shqiptar.
“Ne shqiptarët jetojmë me parimin shumë fisnik: ta respektojmë
njëri-tjetrin dhe të besojmë te një Zot. Përkundër shumë tentimeve të
armiqve tanë për të na përçarë, ne edhe sot vazhdojmë të respektojmë
njëri-tjetrin dhe të jemi shembull për të mirë e për lakmi nga të
tjerët”, ka thënë Lekaj
Xhamia e Qylit është bashkëfinancim i Qeverisë së Kuvajtit,
Bashkësisë Islame të Kosovës, Komunës së Gjakovës dhe vetë besimtarëve
gjakovarë. Si objekt arkitektonik, kjo xhami veçori të saj ka dy minaret
e larta, që e bën xhaminë e vetme të tillë në komunën e Gjakovës.
(Zeri)