Myslimanët në gjithë botën të hënën janë zgjuar me muajin e Ramazanit, muaji ku nga agimi e deri në muzg përballohet pa ushqim e pa pije.
Por, këtë vit, trazirat në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, i kanë dhënë një hije tjetër asaj që tradicionalisht është njohur si periudhë e marrëdhënieve të mira dhe të vullnetit të mirë ndaj njerëzve.
Disa vende në këto rajone janë përfshirë në protesta kundër sundimtarëve që për një kohë të gjatë i udhëhiqnin këto vende, si revolta në janar që rrëzoi presidentin tunizian Ben Ali, shkruan CNN në një artikull.
Në disa raste, këto demonstrata dhe lëvizje janë ballafaquar me forcën brutale e që në disa raste ka eskaluar në dhunë të paparë.
Egjipt
Gjatë muajit të Ramazanit, aktivistë që janë pro-demokracisë, të cilët kanë ngritur një kamp në Sheshin Tahrir në Kajro, do të pushojnë gjatë Ramazanit. Njëzet e gjashtë parti politike dhe lëvizje protestuese kanë lëshuar një deklaratë të dielën në mëngjes, duke njoftuar se përkohësisht do ta suspendojnë protestën. Në fund të Ramazanit, demonstruesit e pakënaqur do të kthehen në shesh.
Jemen
Në fjalimin e tij me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh, vuri në dukje se dialogu kombëtar është e vetmja mënyrë që vendi të dalë nga kriza.
Libi
Ndërkohë në Libi, autoritetet e atjeshme kanë thënë se janë duke përgatitur për atë, që ata e quajtën “një Ramazan të përgjakshëm”, kjo si pasojë e luftës civile në këtë vend të Afrikës Veriore. Një klerik mysliman mbështetës i liderit libian Moammar Gadafit, ka thënë për CNN se trupat besnike, do të jenë të autorizuar për të thyer agjërimin dhe për të luftuar në vijën e frontit.
Protestat në Libi filuan në shkurt, e që u përcollën nga një luftë civile që shpërtheu midis rebelëve dhe forcave të Gadafit. Nga fundi i marsit NATO filloi ndërhyrjen ushtarake ndërkombëtare ajrore. Këshilli i Sigurimit ka miratuar në mars një rezolutë që lejoi ndërhyrjen ushtarake për të mbrojtur civilët në Libi.
Siri
Nuk është sigurtë nëse protestat e planifikuara në kryeqytetin sirian do të vazhdonin të hënën, një ditë pasi tanket siriane sulmuan qytetin, ku më shumë se 70 persona mbetën të vdekur dhe më shumë se 100 të plagosur. “Sulmi duket të jetë pjesë e një përpjekje të koordinuar në një numër të
qyteteve në Siri, për të penguar popullin sirian për të protestuar para Ramazanit”, ka thënë Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague. “Sulmet janë shokuese në prag të muajit të shenjtë të myslimanëve”.
Afganistan
Ditëve të fundit në Afganistan janë shtuar sulmet ndaj forcave të NATO-s. Komandanti kryesor amerikan, Mike Mullen ka thënë nuk mund të parashikohet nëse dhuna do të vazhdojë gjatë muajit të Ramazanit. Në Afganistan, aktualisht ka 150.000 anëtarë të forcave të sigurisë nga shumë vende. /Indeksonline/
P.S. Rubrika "Shtypi" është krijuar për të sjellë tekstet që publikohen në mediumet e ndryshme, të cilat prekin çështjet e Islamit dhe të myslimanëve në përgjithësi. Redaksia e portalit "Breziiri.com" nuk qëndron prapa këtyre teksteve dhe jo çdo herë pajtohet me përmbajtjen e tyre.