Sa mund ta agjërojnë Ramazanin futbollistët?
8/2/2011 1:36:21 PM
(INFOSOT) - Të jesh futbollist profesionist sot nuk është aspak e lehtë pasi që duhet t’i nënshtrohesh një regjimi të madh disiplinor. Një prej tyre është edhe ushqimi i rregullt, një çështje e cila privon shumë futbollistë myslimanë që të kryejnë obligimet e tyre për agjërimin e Ramazanit për shkak të futbollit.
Mirëpo kur ekziston vullneti dhe dëshira atëherë mund t’i bësh të dyja. Kështu edhe rasti me sulmuesin e Sevillës, Freddie Kanoute, i cili përkundër faktit që ka vite që luanë në një ndër ligat më të forta në botë asnjëherë nuk e ka prishur agjërimin e Ramazanit edhe atëherë kur ka pasur ndeshje.
Kjo asnjëherë nuk i ka penguar atij që të jap maksimumin pasi që është në gjendje që të qëndrojë në lartësinë e duhur fizike përgjatë tërë muajit të shenjtë të Ramazanit. Çështja e Kanoutes, Lassana Diarras, Mahamadou Diarras dhe Karim Benzemas është folur shumë në botë në veçanti në Spanjë vitin e kaluar, të cilët e kishin agjëruar në tërësi muajin e shenjtë.
Madje atje kishte plasur edhe një debat i ashpër se a duhet të lejohen futbollistët profesionistë për të agjëruar Ramazanin? A mund të kenë pasoja nëse agjërojnë dhe cilat do të mund të ishin ato? Ja çfarë thotë Kanoute rreth kësaj. “Nëse me të vërtetë je i përkushtuar dhe dëshiron të agjërosh me tërë zemrën tënde, atëherë asgjë nuk mund të bëjë dëm. Edhe nëse bënë ushtrime nga tri herë në ditë. E tëra është në kokën tënde nëse e bind veten se mundesh atëherë nuk do të kesh probleme”, tha ai duke insistuar se e bënë me lehtësi këtë gjë dhe vetëm dëshiron që të vazhdoj ta bëjë.
“Unë mundohem ta respektoj besimin tim dhe ta përcjellë aq sa mundem. Ndonjëherë është shumë e vështirë që të agjërosh pasi që këtu në Spanjë është shumë nxehtë mirëpo unë mund t’ia dal, falë Zotit. Janë shumë futbollistë mysliman në Evropë që njerëzit nuk e dinë. Në Angli, Spanjë, Francë dhe shumë liga të tjera. Por agjërimi i Ramazanit dhe praktikimi i fesë është thjeshtë diçka që ata nuk dëshirojnë t’i tregojnë botës. Personalisht të besoj dhe të agjëroj më ndihmon shumë në futboll ndërsa futbolli më ndihmon që të jem i fortë dhe i shëndetshëm. Nuk ka konflikt ndërmjet njerëzve të cilët dinë rreth islamit pasi që ata e dinë se agjërimi vetëm e forcon dhe nuk e dobëson një mysliman”, tha Kanoute.
Real Madridi, Barcelona dhe Manchester City ndoshta janë shembujt më ideal që të shikohen se si disa futbollist mysliman të cilët agjërojnë mund të japin shumë edhe gjatë muajit të shenjtë.
Dyshja e Barcelonës, Eric Abidal e Seydou Keita kishin agjëruar vitin e kaluar duke qenë dy ndër futbollistët e 11-ës së par të blaugranëve të cilët fituan La Ligën dhe Ligën e Kampionëve. Yaya Toure dhe Kolo Toure të Manchester City po ashtu janë besimtarë të devotshëm të cilët agjërojnë rregullisht dhe asnjëherë nuk kanë shfaqur shenja dobësie në lojën apo fizikun e tyre.
Frytet e disa futbollistëve të cilët agjërojnë i ka marr edhe skuadra më e famshme në botë Real Madrid. Mahmadou Diarra në vitet që kaloi në Madrid asnjëherë nuk ka ndaluar së agjëruari. “Secili trajner e ka respektuar vendimin tim. Janë ditë të vështira kur ju nuk duhet të hani e të pini mirëpo kjo zgjatë vetëm një muaj. Unë kam edhe 11 muaj të tjerë kështu që e bëjë me dëshirë”, tha Diarra.
Në ndërkohë një shpjegim më shkencorë rreth asaj se a bënë të lejohen futbollistët të agjërojnë apo ajo e jep doktori Yacine Zerguni i cili është aftër i stafit mjekësorë të FIFA-së dhe CAF-it. Ai ka punuar së bashku me disa nga doktorët e FIFA-së për rreth disa kërkimeve se sa ndikon agjërimi i ramazanit te futbollistët mysliman. Dy klube në Algjeri kishin pranuar që tu nënshtroheshin analizave biologjike, klinike dhe psikologjike para gjatë dhe pas muajit të Ramazanit.
Kjo ishte një ndër analizat e para të këtij lloji në botë dhe shumë me rëndësi për të ardhmen. “Ky është muaj i disiplinës fizike dhe psikike i cili duhet të përcillet me sjellje jo të këqija dhe agresive është një muaj ku njerëzit pastrohen dhe rigjenerohen. Kështu është edhe me futbollistët. Agjërimi i Ramazanit është vërtetuar se nuk bën aspak dëm dhe është larg asaj. Këtë e kemi zbuluar në analizimin tonë të dy skuadrave profesioniste të Algjerisë. Megjithatë ka pasur edhe futbollistë të cilët nuk kanë mundur të japin maksimumin e tyre derisa agjëronin. mirëpo ata ishin më të pakët. Kjo është edhe çështje e forcës së tyre shpirtërore dhe psikike”, tha doktor Zerguni.