Në ditët e sotme të jesh futbollist profesionist nuk është aspak e lehtë, pasi që duhet t’i nënshtrohesh një regjimi të madh disiplinor
Një prej tyre është edhe ushqimi i rregullt, një çështje e cila privon shumë futbollistë myslimanë që të kryejnë obligimet e tyre për agjërimin e Ramazanit për shkak të futbollit.
Siç shkruan e përditshmja nga Shkupi në gjuhën shqipe, Lajm, disa nga futbollistët shqiptarë që luajnë në Ligën e parë të Maqedonisë pohojnë se agjërimin e Ramazanit e prishin vetëm atëherë kur kanë ndeshje. A mund të kenë pasoja nëse agjërojnë dhe cilat do të mund të ishin ato? Ja çfarë thotë Muzafer Ejupi, lojtar i Metalurgut.
“Nëse hynë me nijetin për të agjëruar, atëherë nuk është problem. Krejt është te nijeti. Unë vetëm në ndeshje nuk agjëroj, sepse ato luhen në orët e pasdites dhe është vështirë të agjërohet. Ato ditë që i prishi i agjërojë pasi të mbaroj Ramazani. Te Metalurgu e dinë se është Ramazan dhe askush nuk më përzihet pse agjëroj në stërvitje. Kjo është e drejtë e imja”, tha ai.
“Jam munduar të agjëroj edhe në ndeshje, por s’kam mundur. Më kujtohet njëherë në Shtip isha duke agjëruar, mirëpo pas ndeshjes nuk u ndjeva mirë. Po t’i luanim ndeshjet në mbrëmje me siguri se do të agjëroja. Problem kryesor është uji”, theksoi Ejupi, duke shtuar se ka filluar të agjëroj nga mosha e duhur.
“Vitin e kaluar e kam agjëruar, ndërsa sivjet nuk e di sa do të mund t’i qëndrojë. Çdo ditë kemi stërvitje dhe kjo e vështirëson agjërimin e Ramazanit. Unë e di se feja e kërkon dhe se Ramazani është i obligueshëm, por ne jetojmë prej futbollit dhe shpresoj se Zoti do të na i falë gabimet. Koha do të tregojë a do të mund të agjërojmë, ne do të mundohemi”, tha Muharrem Bajrami, mesfushori i Renovës.
“Ramazani ta humb freskinë, sepse s’mund të japish maksimumin në ndeshje. Kemi problem me ujin, ngase është shumë nxehtë dhe të qëndrosh dy orë në stërvitje është zor. Nëse s’mundemi të agjërojmë atëherë ditët e humbura do t’i kompensojmë pas Ramazanit”, tha ai.
Kapiteni i Shkëndijës, Nebi Mustafi thotë se Ramazani e forcon atë shpirtërisht. “Unë si i ri e agjëroj Ramazanin. E respektoj këtë muaj shumë, sepse më jep forcë. Edhe në Zvicër e Finlandë kur isha kam agjëruar. Vetëm në ndeshje e kam prishur, ndryshe jo.
Problem paraqet uji, sepse nuk qëndrohet pa ujë”, tha Mustafi. Ai propozon që në klubet ku shumica e lojtarëve i takojnë fesë myslimane të ndryshohet orari i stërvitjeve, sepse sipas tij, ekziston një mundësi e tillë. /gazetatema/