Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës myftiu Naim Ternava, ka thënë sot se lënda fetare nëpër shkollat e vendit do të fillojë të mësohet në shtatorin e vitit të ardhshëm. Ai këtë deklaratë e bëri gjatë hutbes së namazit të xhumasë në xhaminë e lagjes “Dardania”.
Ai tha se popullsia e Kosovës është shumicë absolute dhe lënda fetare do të mësohet nëpër shkolla, sepse qytetarët shumicë janë që vendosin për këtë çështje. Por ai ftoi xhematin që për çdo iniciativë të presin këshillat e imamëve dhe Bashkësisë Islame të Kosovës.
Myftiu Ternava para xhematit të kësaj xhamie foli edhe për ndërtimin e xhamisë së madhe. “Xhamia e madhe do të ndërtohet, dhe do të ndërtohet këtu afër jush”, tha Ternava, duke lënë të kuptohet se një nga lokacionet e mundshme ku mund të ndërtohet xhamia e madhe është lagjja “Dardania”.
Ai tha se duke marrë parasysh shtimin e qytetarëve të vendit që falin namaz është e nevojshme që të ndërtohen edhe disa xhami, në mënyrë që besimtarëve t’iu ofrohet hapësirë e mjaftueshme për tu falur.
“Gjithashtu do të ndërtohen edhe 10 xhami të tjera, sepse besimtarët kanë nevojë për këto xhami. Unë duke hyrë në këtë xhami i pash besimtarët duke pritur për t’u falur jashtë xhamisë në këtë diell
përcëllues. Nuk është e drejtë që në ditët e sotme xhemati jonë të falët në këtë temperaturë të nxehtë apo dimrit në temperaturë nën zero, prandaj ndërtimi edhe i disa xhamive është i nevojshëm dhe Bashkësia Islame e Kosovës është duke u angazhuar për këtë çështje”, tha ndër të tjera myftiu Ternava.
(RI)