Dashurohen me njëri-tjetrin në internet. Ai dhe ajo “takohen” në chat
dhe pasi shkëmbejnë disa fjalë, futen menjëherë në kofidencë dhe kalojnë
orë e orë duke folur për martesën e secilit. Të dy i quajnë martesat e
tyre të mërzitshme e mbase edhe të dështuara. Virtualisht ajo është
“Ëmbëlsira”, kurse ai quhet “Princi i kënaqësisë”. Pas shumë “takimeve” e
fjalëve të ëmbla në internet, ata të dy vendosin përfundimisht takimin e
vërtetë, të shumëpritur. Por... magjia e chat-it përfundon në takimin
real, kur kuptojnë se janë burrë dhe grua. Nuk është drama e një filmi,
por ngjarja e vërtetë që i ka ndodhur një çifti nga Zenica, qytet i
Bosnjës qendrore. Sana Klariks, e quajtur “Ëmbëlsira” dhe bashkëshorti i
saj Adnan, i quajtur “Princi i kënaqësisë”, tani janë duke u divorcuar,
sepse e akuzojnë njëri-tjetrin për mungesë besnikërie e për tradhti
bashkëshortore. Lajmi është bërë i ditur nga britanikja “Daily
Telegraf”. Për më tepër, Sana, 27 vjeçe, pothuajse e tmerruar nga ajo që
ka ndodhur, thotë që në chat çdo gjë ishte aq fantastike. “Jam
dashururar papritur. Ishte mahnitëse”. Ndërsa Adnani, 32 vjeç, thotë:
“Akoma nuk mund ta besoj se Ëmbëlsira, që ka shkruar gjëra të
mrekullueshme, është në të vërtetë e njëjta grua e cila është martuar me
mua dhe që, në shumë vjet martesë, nuk më ka thënë kurrë një fjalë të
këndshme”.