Të
shtënat para një xhamie në Kopenhagë kanë shkaktuar vdekjen e një
personi dhe kanë plagosur një tjetër, të martën, derisa besimtarët
pakistanezë po e kremtonin festën e Bajramit, ka bërë të ditur policia.
“Mund ta konfirmoj se një person është vrarë dhe një tjetër është
plagosur”, ka thënë kryeinspektori i policisë në Kopenhagë, Lau
Thygesen.
“Incidenti është i lidhur me njerëzit që ishin të pranishëm në xhami,
mirëpo nuk kishte domosdoshmërisht të bënte me xhaminë apo faljet.
Mbase është fjala për ndonjë zënkë të brendshme midis njerëzve me
origjinë pakistaneze”, i ka thënë Thygesen të përditshmes daneze,
“Politiken”.
Raportet bëjnë të ditur se të shtënat kishin ndodhur pasi që një
person kishte refuzuar të hyjë në veturë, gjatë një zënke para xhamisë
në Rrugën Amerikavej. Policia e ka bllokuar vendin rreth xhamisë, e cila
frekuentohet kryesisht nga pakistanezët.
Një dëshmitar i ka thënë TV2News se të shtënat kanë ardhur pas një zënke midis të rinjve.
“Ka pasur mosmarrëveshje midis një grupi të rinjsh dhe papritur ka
pasur të shtëna. Do të thosha rreth 20 të shtëna”, ka thënë Kuran
Qureshi.
“Të gjithë kanë kërkuar strehim dhe janë fshehur prapa veturave. Aty ka pasur edhe gra dhe fëmijë”, ka thënë Qureshi./koha/