Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka
deklaruar të enjten në Prishtinë se forca paqeruajtëse do të reagojë
nëse vjen deri te rrezikimi i sigurisë dhe paqes në veri të Kosovës.Këto komente, Rasmusen i ka bërë gjatë konferencës për media, pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin Hashim Thaçi.
Në interesimin e gazetarëve se si do të sillet forca e KFOR-it nëse
strukturat paralele në veri do të përpiqen që me forcë të mos lejojnë
zbatimin e planit për rihapjen e doganave në veri dhe dërgimin e
doganierëve e policëve kufitarë të Kosovës atje, Rasmusen tha se detyra
dhe mandati i KFOR-it në Kosovë është i qartë.
“Është mandat i KFOR-it që të sigurojë një ambient të qetë dhe
paqësor”, tha Rasmusen, duke shtuar se “KFOR-i do të ndërmarrë veprime
nëse kjo siguri dhe paqe do të vihet në rrezik”.
Ai nuk ka dhënë detaje të operacionit që pritet të zhvillohet për
zbatimin e planit për rihapjen e pikave doganore nga 16 shtatori, por
tregoi vendosmërinë e KFOR-it që nuk do të lejojë të cenohet paqja në
Kosovë.
“Nuk do të komentoj për operacionin, detajet e tij, por trupat e
KFOR-it do të veprojnë në vetëmbrojtje dhe në atë që e thashë, për të
garantuar një ambient të qetë dhe sigurt”, theksoi Rasmusen.
Gjatë kësaj konference, Rasmusen rikujtoi se për 12 vjet NATO-ja ka
arritur që në Kosovë të garantojë paqe e siguri për të gjithë dhe i
paralajmëroi të gjithë se se nuk do të tolerohet kthimi prapa në dhunë
dhe tensione të reja.
Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi ka ripërsëritur se nga 16
shtatori zbatohet marrëveshja për doganat dhe se pjesë e planit do të
jenë edhe EULEX-i dhe KFOR-i.
Veriun i barrikaduar nga serbëtTë gjithë serbët në veriun e Kosovës prej nesër do të bllokojnë të
gjitha akset rrugore, për të parandaluar hyrjen e policisë së Kosovës
për të marrë nën kontroll pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinjë. Kjo është
konfirmuar për mediat serbe nga kryetari i komunës së Leposaviqit,
Branko Niniq.
Ai ka theksuar se serbët asnjëherë nuk do të lejojnë që në këto vendkalime të instalohen institucionet e Kosovës.
Situata në veriun e Kosovës është e tensionuar, ndërsa serbët janë
paralajmëruar që masivisht të dalin në barrikada. Ura kryesore e Ibrit
që ndanë Mitrovicën vijon të jetë e barrikaduar me zhavor dhe se deri
tani nuk janë bërë përpjekje për zhbllokimin e saj.
(INA)