Gjatë pasdites dhe në orët e vona të mbrëmjes së kaluar ka vazhduar të jetë e tensionuar situata në lagjen e Radishanit, raporton Alsat-m. Rreth 20 të rinj maqedonas vazhdojnë të mbajnë të bllokuar rrugën që çon drejtë fshatit Luboten ndërsa raportohet t’i është vënë flaka edhe një objekti të pronarit shqiptar në këtë lagje. Policia në një rast, gjithnjë sipas mediumit të njëjtë, ka penguar të vijë edhe deri tek kontakti i drejtpërdrejt i një grupi tjetër të banorëve shqiptarë të lagjes Butel me ata maqedonas të Radishanit. Prania e Policisë në këtë pjesë të qytetit është evidente, por shqiptarët e paktë që jetojnë në këto vendbanime kërkojnë mbrojtje dhe kanë frikë për fatin e tyre. Ndryshe, tre nga pesë viktimat e vrasjes makabre, që ndodhi të enjten në mbrëmje, janë pikërisht nga lagja Radishan e Shkupit. Bllokim të rrugës në orët e vona ka pasur edhe në Draçevë me çka ishte pamundësuar lëvizja e qytetarëve shqiptarë të Komunës Studeniçan, por për momentin raportohet se policia ka debllokuar këtë rrugë, njofton Alsat-m.