Protestuesit në Libi vazhdojnë të mbajnë në dorë kontrollin e pjesës më të madhe të vendit. Ndërsa lideri i Libisë, Muamer Kadafi, vijon rezistencën e tij në kryeqytetin Tripoli.
Kurse në qytetin Misurata, ku ende vazhdojnë përleshjet, bëhet e ditur se manifestuesit kanë rrëzuar një avion luftarak.
Kontrolli i Bengazit është prej tashmë 1 jave në duart e protestuesve, megjithatë shumë biznese dhe dyqane në këtë qytet janë akoma të mbyllur.
Burime të ndryshme theksojnë se këtë qytet ka vështirësi në sigurimin e ushqimeve, çmimet janë dyfishuar, protestuesit mund të rezistojnë maksimumi 2-3 javë, ndërsa më pas do të shfaqet uria.
Nga ana tjetër, manifestuesit e bashkuar për të përmbysur Kadafin, kanë filluar të përçahen mes tyre.
Pas deklaratës së ish-ministrit të drejtësisë se ka formuar një qeveri të përkohshme në Bengazi, një tjetër grup protestuesish bënë të ditur se kanë krijuar Këshillin Kombëtar të Libisë. Që të dyja këto palë pretendojnë se janë përfaqësues të protestuesve.
Ndërsa në qytetin Zavije, edhe ky nën kontrollin e protestuesve, sundon shqetësimi se çdo çast mund të fillojë një kundërsulm i forcave përkrahëse të Kadafit. Ky qytet 50 km larg Tripolit, mbahet i rrethuar nga rreth 2 mijë forca të sigurisë nën urdhrin e Kadafit.
Nën kontrollin e demonstruesve gjendet edhe një pjesë e kryeqytetit Tripoli. Për të penguar hyrjen e forcave të qeverisë, në rrugët e këtyre lagjeve janë ngritur barrikada.
Ndërkaq Kadafi po i shpërndan para banorëve të lagjeve që kontrollohen nga qeveria. Populli ka formuar radhë të gjata përpara bankave për të marrë 400 dollarë për familje.
Kurse në qytetin Misurata vazhdojnë përleshjet e dhunshme ndërmjet protestuesve dhe forcave të sigurisë nën urdhrin e Kadafit. Mësohet se manifestuesit kanë shtënë në dorë kontrollin e aeroportit të qytetit, kanë rrëzuar një avion luftarak dhe kanë marrë peng pilotët.
Nga ana tjetër, Arabia Saudite ka ndërhyrë për të mos lejuar rritjen edhe më shumë të çmimeve të naftës, pas përgjysmimit të prodhimit të saj në Libi.
Autoritetet e kompanisë saudite shtetërore të naftës njoftuan se do të rrisin prodhimin për të ulur çmimet e arit të zi.
(TRT)