Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan në një fjalim të mbajtur sot paralajmëroi Izraelin, ndërsa palestinezëve u bëri thirrje për bashkim.
Në mbledhjen e vlerësimit dhe konsultimit mbajtur sot në selinë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) me pjesëmarrjen e deputetëve të kësaj partie Kryetari i kësaj partie dhe njëherësh Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan i bëri një vlerësim vendimit historik që u mor në OKB për ndryshimin e statusit të Palestinës.
Erdoan vuri theksin në rëndësinë që ka statusi i shtetit vëzhgues jo-anëtar për Palestinën, ndërsa e paralajmëroi edhe një herë Izraelin.
“Izraeli duhet ta dijë që situata, mënyra e sotme e mendimit politik dhe shoqëror në rajon ndryshon dhe dallon shumë nga ajo e djeshme. Izraeli duhet ta marrë në konsideratë këtë situatë dhe është i detyruar që ta braktisë tashmë politikën e të ‘ushqyerit’ nga gjakderdhja dhe lotët. Kryesisht duhet të heqë dorë nga mashtrimi i popullit të vet dhe nga tiranizimi i popullit të vet”, - u shpreh Erdoan.
Kryeministri Erdoan tha se Izraeli i sjell dëme rajonit dhe vijoi: “Izraeli dëmton paqen e rajonit, por nga ana tjetër Izraeli po aq dëm sa shkakton jashtë, dëme të mëdha shkakton edhe brenda vetes, i shkakton popullit të tij, qytetarëve të vet. Urojmë sinqerisht që procesi që ka nisur me Palestinën të fillojë edhe për Izraelin, që Izraeli tani ta mbledhë mirë mendjen”.
Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan u drejtoi një thirrje edhe palestinezëve.
“Ne nuk duam që të shikojmë ndarje në Palestinë. Ne nuk e një copëtim brenda Palestinës. Ne nuk duam kurrë të shikojmë përçarje në Palestinë. Ne nuk duam të jemi dëshmitarë të një hasmërie të vëllait me vëllanë mbi territoret palestineze, ndërsa një konflikt nuk duam ta shikojmë kurrën e kurrës”, nënvizoi kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim.
Lidhur me projektbuxhetin e vitin e 2013 Kryeministri Erdoan tha: “Buxheti i vitit 2013 në fakt është përgatitur me një koncept që vërteton edhe qëndrimin kryelartë të Turqisë përballë krizës financiare globale, në veçanti qëndrimin e qartë të saj në një periudhë kur kjo krizë vazhdon të ketë ende ndikimin e saj”./trt/kohaislame