Dhjetë porosi për gruan, bashkëshorten, shtëpiaken, nënën e fëmijve e cila do që në shtëpinë e saj të bëhet jetë e qetë dhe të mbizotërojë; siguria, dashuria, bashkimi dhe mëshira.
O besimtare! Po vendos në duart e tua dhjetë porosi që të kënaqësh me to Zotin tënd, të lumturosh me to bashkëshortin tënd dhe të mbrosh me to fronin e pozitën tënde.
Porosia e parë: Devotshmëria ndaj Allahut i Madhëruar dhe lënia e gjynaheve
Po deshe të prishësh harmoninë në shtëpinë tënde, bëji padrejtësi Allahut (bëj gjynahe). Gjynahet shkatërrojnë qeveri dhe prishin mbretëri, ndaj mos e prish shtëpinë tënde e mos u bëj si ajo që bëri gjynahe dhe duke qarë pasi ishte penduar dhe pasi ishte ndarë nga burri i saj tha: " Na bashkoi bindja ndaj Allahut dhe na ndau padrejtësia që i bëmë Atij."
O robëreshë e Allahut! Bindju Allahut që të të ruajë Ai ty, bashkëshortin tënd dhe shtëpinë tënde. Bindja ndaj Allahut i bashkon zemrat, ndërsa padrejtësia ndaj Tij i përçan ato. Ndaj edhe një grua e mirë kur shikonte se burri i saj sillej pak ashpër me të thoshte: " Kërkoj falje prej Allahut, kjo është pasojë e ndonjë gjynahu që kam bërë unë."
Pra ki kujdes motër e nderuar dhe mos bjer në gjynahe dhe sidomos:
Lënia apo vonesa e namazit ose kryerja e tij pa rregull.
Vendet e gibetit, thashethemeve, syfaqësisë, vetëkënaqësisë etj.
Nënçmimi i të tjerëve dhe tallja me ta. Allahu i Madhëruar thotë në Kur'an:- "O ju besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata që përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin (duke nënçmuar njëri-tjetrin) ..." Huxhuratë 11.
Edukimi i fëmijve me edukatë joislame.
Imitimi i mosbesimtareve në veshje e zakone. Profeti (alejhi selam) thotë:- "Ai që i përngjan një populli ai është prej tyre".
Shikimi i filmave jo edukativë dhe dëgjimi i muzikës.
Leximi i revistave të shthurura.
Mosrespektimi i bashkëshortit.
Të shoqëruarit me femra jobesimtare dhe të pasjellshme. Profeti (alejhi selam) thotë:- "Personi ka fenë e atij me të cilin rri - simpatizon."
Mosveshja e hixhabit.
Porosia e dytë: Njohja e bashkëshortit
Duhet që gruaja të njohë burrin e saj,të dijë çfarë i pëlqen atij në mënyrë që të veprojë ashtu, e të dijë çfarë urren në mënyrë që të distancohet nga ajo punë, por me kusht që këto veprime apo distancime të mos jenë shkak për të rënë në gjynah sepse nuk lejohet t'i bindesh krijesave kur i bëhet padrejtësi Krijuesit.
Dëgjoje historinë e kësaj gruaje të mençur e cila deshi të njohë huqet e bashkëshortit të saj.
I thotë një burrë shokut të tij: "Që prej njëzet vjetësh nuk kam parë gjë të mërzitshme nga gruaja ime."
I thotë shoku i habitur: - "Si ka mundësi?"
Burri i thotë: - Që natën e parë të martesës kur u takova me të , zgjata dorën drejt saj.
Ajo më tha: - O Ebu Umejje, prit pak- e pastaj vazhdoi: - Falenderimi i takon Allahut dhe salavatet janë mbi profetin e Tij (alejhi selam) ... . Unë jam grua e panjohur për ty dhe nuk di shumë gjëra rreth moralit tënd. Të lutem më trego se çfarë të pëlqen që unë ta veproj dhe çfarë urren që unë të mos e veproj. E më pas tha: - E mbyll me këto fjalë dhe i kërkoj falje Allahut për vete dhe për ty.
I tha burri shokut të tij: - Për Zotin më hutoi me ligjeratën që mbajti dhe pikërisht në këtë gjendje. I thashë: - Falenderimet i takojnë Allahut dhe salavatet profetit të Tij... . Ti më the disa fjalë që nëse i realizon do të kesh fatin t'ia kalosh mirë me mua e nëse i thua këto fjalë për t'u dukur dije se ato do të jenë si argument kundër teje... . Dua këtë e këtë... dhe urrej këtë e këtë... Çdo të mirë që sheh përhape dhe çdo të keqe që sheh mbuloje.
Më tha: - Çfarë mendimi ke për vizitën e njerëzve të mi?
I thashë: - Nuk i kam qejf të jenë të shumta.
Tha: - Kë prej komshinjve do që të lejoj të hyjnë në shtëpi e kë jo?
I thashë: - Bijtë e filanit janë njerëz të mirë, kurse bijtë e filanit janë njerëz të ligj.
I tha burri shokut të tij: - Dhe fjeta atë natë si mos më kurrë, e jetova me të një vit duke shikuar tek ajo veç gjëra të mira. Kur u mbush një vit plot, erdha nga puna dhe gjeta të ëmën e gruas në shtëpinë time dhe ajo (nëna e gruas) më tha: - Si të duket gruaja?
I thashë: - Grua shumë e mirë.
Më tha: - O Ebu Umeje! Për Zotin nuk ka më keq për burrin se sa të mbajë në shtëpi një grua të përkëdhelur.
Burri tha: - Jetova me atë grua njëzet vjet, nuk i tërhoqa vërejtjen asaj për ndonjë gabim veçse një herë ku fajtori isha unë."
Çfarë jetë e lumtur! Për Zotin nuk di, a të habitem me gruan dhe sjelljen e saj apo me nënën e saj për edukatën që i kishte dhënë apo me burrin për zgjuarsinë që kishte. Kjo është mirësia e Allahut që ia jep kujt të dojë.
Porosia e tretë: Durimi dhe sjellja e mirë me burrin
Të drejtat që ka gruaja ndaj burrit janë të shumta. Gruaja duhet që me çdo kusht të sillet mirë me bashkëshortin e saj dhe nuk duhet t'ia thyejë fjalën atij. Profeti (alejhi selam) thotë:- "Dy lloj njerëzve nuk u pranohet namazi: robit - skllavit - që nuk i bindet pronarit të tij derisa të pendohet dhe gruas që nuk i bindet burrit të saj derisa të pendohet."
Ti mund të bëhesh prej grave më të mira duke iu bindur burrit tënd dhe duke u përpjekur ta gëzosh dhe respektosh atë. Profeti (alejhi selam) është pyetur se cilat janë gratë më të mira, dhe ai tha:- "Ajo që e gëzon burrin kur e shikon, i bindet kur ai e urdhëron dhe nuk vepron ato gjëra që ai i urren."
Dhe dije se ti -me lejen e Allahut- ke për të qënë prej banorëve të xhenetit, po pate frikë Allahun dhe po iu binde bashkëshortit tënd. Profeti (alejhi selam) thotë: "Nëse gruaja fal pesë vaktet e namazit, agjëron Ramazanin, ruan nderin dhe i bindet bashkëshortit të saj do të hyjë në xhennet nga cila derë të dëshirojë."
Porosia e katërt: Të kënaqurit...
Kërkohet prej femrës muslimane që të kënaqet me atë që i ka rënë për pjesë shumë a pak qoftë... Të mos kërkojë prej bashkëshortit të saj gjëra që ai s'ka mundësi ti kryejë. Është transmetuar në një hadith:- "Gratë më të bereqetshme janë ..."
Kush mendon ti se janë ato gra?! Mos vallë janë ato gra që shpërdorojnë pasurinë duke plotësur tekat dhe qejfet që kanë?! Apo janë ato që veshin rroba nga më të shtrenjtat që rrezik burri ia ka blerë duke hyrë në borxhe?! Jo, për Zotin! "Gratë më të bereqetshme janë ato që kanë më pak shpenzime." Vëreje me kujdes edukatën që kishte një grua selefëve.
Ajo, sa herë që burri i saj donte të dilte nga shtëpia i thonte atij:- Kujdes, se mos fitosh diçka haram sepse ne e durojmë urinë, por nuk e durojmë zjarrin e xhehenemit. Po gratë e sotme çfarë porosie u japin burrave të tyre kur dalin nga shtëpia?!
Po e lë përgjigjen e kësaj pyetjeje sepse jam i sigurtë se ti e di përgjigjen më mirë se unë.
Porosia e pestë: Rregullimi dhe mirëmbajtja e shtëpisë
Prej mirëmbajtjes së shtëpisë është edukimi i fëmijëve, pastrimi dhe rregullimi i saj, përgatitja e ushqimit në kohën e caktuar. Po kështu edhe ruajtja e lekëve të burrit në një vend të caktuar dhe shpenzimi i tyre me ekonomi.
Dëgjoje me vëmendje historinë e gruas së shoferit e cila thotë:- "Kur del im shoq ne pune , unë ndjej lodhjen dhe mundin që ai bën për të nxjerrë rrizkun, ndej etjen e tij në rruge dhe fyti sa nuk më digjet. I përgatis atij ujin e ftohtë që ta gjejë gati kur të vijë, rregulloj dhe sistemoj shtëpinë, i përgatis atij ushqimin pastaj rri dhe pres me rrobat më të mira që kam. Kur hyn tek dera e pres atë siç e pret nusja dhëndrin që e dashuron, i dorëzohem atij e gjitha. Nëse do të çlodhet e ndihmoj që të qetësohet, e nëse më kërkon mua, qëndroj mes duarve të tij si vogëlushja kur luan me babain e saj."
Porosia e gjashtë: Të sjellurit mirë me njerëzit e burrit dhe të afërmit e tij...
E në veçanti me nënën e tij, sepse ajo është prej njerëzve më të afërt për të. Ndaj duhet të krijosh afrimitet me të, t'i shfaqësh asaj mirësjelljen dhe respektin, t'i durosh gabimet që ajo bën e t'i zbatosh urdhërat e saj - n.q.s. nuk janë në kundërshtim me urdhërat e Allahut - sa të kesh mundësi.
Sa e sa shtëpive u ka hyrë përçarja për shkak të mos mirësjelljes së nuses me nënën e burrit të saj dhe mospërfilljes së të drejtave të saj.
Mendo o grua muslimane se është ajo nënë e cila ka gdhirë dhe ka edukuar këtë burrë që sot është bashkëshorti yt. Ndaj dija për nder asaj dhe vlerësoja punën që ka bërë.
-Zoti të ruajtë e të mëshiroftë- "A mund të jetë shpërblimi i të i veprës së mirë diç tjetër, pos së mirës" Rrahman 60.
Porosia e shtatë: Pjesëmarrja e gruas në problemet dhe hallet që ka burri
Nëse dëshiron të jetosh në zemrën e burrit tënd, jeto me problemet dhe hallet që ka ai. Dhe unë do të tregoj ty për një grua që vazhdoi të jetonte në zemrën e burrit edhe pas vdekjes së saj, nuk e harruan vitet kujtimin e saj dhe nuk i zhduku koha gjurmët që ajo la në zemrën e burrit të saj... Vazhdoi të kujtonte ... kujtonte se si ajo merrte pjesë me të në sprovat dhe vështirësitë që haste...vazhdoi t`a donte aq shumë sa që u bë xheloze prej saj gruaja me të cilën ai u martua më vonë. Dhe një ditë ajo tha:- "Nuk jam bërë xheloze për profetin (alejhi selam) nga ndonjë grua siç jam bërë prej Hatixhes, ajo vdiq përpara se unë të martohesha me profetin (alejhi selam)." Dhe në një transmetim tjetër thuhet:- "Nuk jam bërë xheloze nga gratë e profetit (alejhi selam) siç jam bërë nga Hatixheja, megjithëse nuk e kisha parë kurrë, ngase profeti (alejhi selam) e kujtonte atë shpeshherë." Një hërë ajo guxoi t'i thotë profetit (alejhi selam) pasi ai përmendi Hatixhen (Allahu qoftë i kënaqur prej tij):- "Sikur të mos kish pasur grua në këtë botë si Hatixheja"?! Ai (alejhi selam) tha:- "Ajo ishte ç’ishte". Në transmetim tjetër fjala "ishte ç’ishte" shpjegohet me thënien e profetit (alejhi selam):- "Besoi tek unë kur të tjerët më mohuan, pohonte se ç'thoja kur të tjerët më përgënjeshtronin, më ndihmoi me pasurinë e saj kur të tjerët më lanë në baltë, dhe Zoti caktoi të kisha me të fëmijë." Ajo është Hatixheja që askush nuk mund të harrojë se si i dha kurajë profetit (alejhi selam) kur i zbriti shpallja e më pas, dhe si e ndihmoi atë me pasurinë e saj për të përhapur këtë fe. Askush se harron fjalën e saj, e cila, qetësoi profetin (alejhi selam) pasi ishte i shqetësuar, e gëzoi pasi ishte i mërzitur; tek i tha:- "Për Zotin, Allahu nuk ta do të keqen kurrë, ti i viziton të afërmit, i jep hakun atij që i është bërë padrejtësi, ndihmon të varfërit dhe je gjithmonë me të drejtën."
Ndaj bëhu edhe ti motër muslimane si Hatixheja
- Zoti qoftë i kënaqur prej saj e prej nesh të gjithëve-.
Porosia e tetë: Falenderimi i burrit për çdo të mirë që ai të bën
Ai që nuk falenderon njerëzit nuk falenderon as Allahun i Madhëruar , ndaj mos u bëj si ajo që pasi i kishte bërë i shoqi tërë ato të mira tha:- Nuk kam para asnjë të mirë prej teje. Profeti (alejhi selam) thotë:- "O gra jepni sadaka sepse unë kam parë që ju jeni shumica e banorëve të zjarrit!" Ato thanë:- O i dërguari i Allahut pse do të ndodhë kjo?! Tha:- " Mallkoni shumë, nuk ua dini për nder kur ju bëjnë të mira burrat tuaj dhe nuk u jepni atyre të drejtat që ata kanë ndaj jush."
Dije ti motër muslimane se falenderimi i burrit mund të bëhet edhe me një buzëqeshje që bie e zë vend në zemrën e tij ose me një fjalë të ëmbël magjike që bën ta harrojë lodhjen e punës e të rifreskojë dashurinë mes jush. Formë tjetër e falenderimit të tij është edhe justifikimi i tij për ndonjë gabim që mund të bëjë ndaj teje, po ku e ku është ky gabim në atë det të mirash që të ka bërë ai ty?! Profeti (alejhi selam) thotë:- "Nuk e shikon Allahu atë grua që nuk e falenderon burrin e saj ndërkohë që ajo nuk bën dot pa të."
Porosia e nëntë: Ruajtja e sekreteve të burrit dhe mbulimi i gabimeve të tij
Gruaja është njeriu që jeton më pranë burrit dhe është njeriu që i di më mirë veset e tij ndaj edhe di shumë të fshehta të tij. Nxjerrja dhe përhapja e sekreteve është një veprim i shëmtuar prej kujtdo qoftë, por prej gruas ai është akoma edhe më i urryer.
Në vendet ku mblidhen gratë nuk është e habitshme të dëgjosh se si serviren sekretet e burrit të njërës apo tjetrës. Dhe për këtë gjynah të shëmtuar ka dënim mjaft të madh.
Ibrahimi (alejhi selam) kur vajti të vizitonte birin e tij Ismailin (alejhi selam), trokiti por nuk e gjeti të birin në shtëpi, ndaj edhe pyeti gruan e tij për të.
Ajo tha: - Ka dalë që të punojë që të fitojë.
Pastaj e pyeti për jetesën dhe gjendjen e tyre ekonomike. Ajo tha:- Ne jemi njerëz, jemi pak ngushtë ekonomikisht, e vazhdoi të ankohet... Ibrahimi (alejhi selam) i tha:- "Kur të vijë yt shoq, jepi atij selam prej meje dhe thuaji të ndërrojë pragun e derës." Kur erdhi Ismaili (alejhi selam), gruaja e lajmëroi për vizitën e Ibrahimit (alejhi selam) dhe fjalët e tij. Ismaili (alejhi selam) i tha:- "Ai është babai im dhe më ka urdhëruar të të ndaj, prandaj nisu për tek njerëzit e tu " dhe e ndau atë.
Ibrahimi (alejhi selam) pa se ajo grua ia nxirrte sekretet burrit të saj dhe ankohej prej tij në një formë të atillë që nuk e meritonte të ishte grua e një profeti, ndaj edhe urdhëroi të birin që ta ndante atë.
Ruaje motër e nderuar sekretin e burrit tënd dhe mbuloja të metat atij dhe mos i shfaq ato veçse kur është e domosdoshme si p.sh. ankesa tek gjykatësi apo pyetja që i drejton një dijetari për të mësuar.
Kështu veproi Hindi kur pyeti profetin (alejhi selam) se si të vepronte me burrin e saj kurnac...
Motër muslimane mjafton për ty të dëgjosh fjalën e profetit (alejhi selam) i cili thotë:- "Njerëzit më të këqinj tek Allahu në ditën e Gjykimit janë ai burrë dhe ajo grua që i besojnë sekretet njëri-tjetrit pastaj nxjerr secili prej tyre sekretet e njëri-tjetrit. "
Porosia e dhjetë: Zgjuarsia dhe kujdesi nga rënia në gabime.
Prej gabimeve është:
Përshkrimi i grave të tjera përpara burrit tënd. Profeti (alejhi selam) ka ndaluar një veprim të tillë dhe ka thënë: " Të mos i përshkroajë ndonjë grua burrit të saj ndonjë grua tjetër sikur me e pasur përpara syve."
Eshtë ajo që bëjnë shumë prej grave sapo hyn burri në shtëpi.
Pa pritur që ai të qetësohet pak nga lodhja e punës gjendet përpara tij një listë kërkesash dhe problemesh. Natyrisht që burri nuk mund t'i lerë këto punë pas dore, ama lind si detyrë për gruan që të gjejë çastin e volitshëm për këto probleme.
Veshja e rrobave dhe stolive më të mira kur gruaja del nga shtëpia, kurse para burrit...!!! e të tjera e të tjera gabime si këto që bëjnë të mos i ngelet i kënaqur burri prej gruas së tij. Por gruaja e zgjuar dhe e kujdesshme i mënjanon të tëra këto gabime