Profeti Muhammed Alejhi ue Selam njeriu më i thjeshtë.
Ai i cili hedh vështrimin në historinë e Profetit Muhamed gjen se ai ka qenë njeri i thjeshtë edhe pse Allahu e kishte nderuar me shpallje. Profeti ka jetuar një jetë normale, bile mund të thuash që shpesh herë edhe të vështirë, ai nuk jepej pas kësaj bote dhe nuk i bënin përshtypje bukuritë e saj.
Kur vinin njerëzit në Medine për të pranuar Islamin, hynin në xhaminë e Profetit që ta takonin atë dhe nuk e dallonin atë nga të tjerët, saqë shumë prej tyre pyesnin: Kush është Muhamedi. Ai vishej si visheshin njerëzit, kur kish ndonjëherë grumbullim ulej atje ku gjente vend. Nuk jetonte nëpër pallate përrallore e as që kishte frone madhështore. Nëse dikush hynte në shtëpitë e tij kish mundësi ta prekte tavanin e tyre.
Një herë Umeri hyri tek profeti, dhe kur pa gjurmët që kish lënë rrogozi në shpinën e profetit, sytë filluan ti pikonin lot dhe tha: O i dërguar i Allahut mbretërit e Romakëve dhe Persëve janë në kufër dhe jetojnë një jetë luksoze, përse nuk e lut Allahun të dhuroj dhe ty diçka të tillë? Profeti alejhi ue selam iu përgjigj:” Akoma je në dyshim o Umer, po a nuk dëshiron ti që ata të kenë dynjanë e ne Xhenetin?
Profeti alejhi ue selam nuk e kish frikë varfërinë. Një herë një arab vjen tek i Dërguari i Allahut, e kap prej këmishe e i thotë: Më jep nga ajo që të ka dhënë Allahu. Profeti buzëqeshi dhe i tha shko merr ç’të duash dhe lër ç’të duash.
Kur shkoi tek populli i tij ky arab u tha: o populli im kam ardhur nga një njeri që është shumë bujar dhe që nuk e ka frikë varfërinë.
Njëri prej sahabeve tregon e thotë: Para se të pranoja Islamin Profeti ka qënë njeriu që e urreja më shumë dhe ai më dha disa deve, porse unë akoma e urreja dhe ai përsëri më jepte derisa u bë njeriu më i dashur në zemrën time.
Profeti alejhi selatu ue selam sa herë që i binte në dorë pasuri e shpërndante atë tek të varfrit.