Njeriu më i madh që ka njohur historia është Profeti ynë, realitet ky të cilin e besojnë myslimanët, e pohojnë jo-myslimanët gjithashtu nuk mund ta kundërshtojnë armiqtë. Këtë burrë nga cilido kënd që dëshiron ta studiosh, të hulumtosh rreth tij dhe të njihesh më imtësisht do të hamendesh dhe nuk gjen tjetër veçse fjalë miradije për të karshi atij këndi të jetës që është studiuar. Ai është njeriu më madhështor, si në aspektin fetar, atë human, shtetëror, politik, të dijes... e vazhdo pa u ndalur. Çfarëdo që të teket nga drejtimet e ndryshme të jetës do të mjaftojë t’i futesh studimit të atij drejtimi duke e zbuluar Profetin tënd, sal-lallahu alejhi ue selem, nga ai kënd e në fund do të dalësh me rezultate aq të habitshme, sa ka pasur njerëz para nesh që në fund të studimeve të tyre të kësaj natyre kanë thënë: “Pas studimit tim që i bëra jetës së këtij njeriu mendova se ai nuk ka ditur dhe nuk ka bërë asgjë tjetër pos atij lëmi që unë hulumtova në të.”, pra kështu do të thotë kushdo pas studimit të vet, e për fatin e mirë tonin prijësi ynë dhe i dashuri i Allahut Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, ishte i tillë në çdo lëmi të jetës, me të cilin krenohemi para çdokujt dhe me këtë shpresojmë shpërblim nga Zoti.
Një pikë e rëndësishme në jetën profetike që ia vlen për t’u pasur parasysh është edhe sjellja e tij me fëmijët, edukata që kishte me ta, fjalët, lëvizjet, mësimet dhe çdo gjë tjetër, që ai vepronte karshi fëmijëve në përgjithësi, që nga lindja e tyre e deri në moshën e pubertetit. Tema në fjalë mund të ndahet në dy pika kryesore: se si sillej ai me fëmijët dhe pika tjetër si i mësonte dhe i edukonte shokët e tij të sillen me fëmijët. Në temën tonë do të flasim vetëm për llojin e parë, pra sjelljen e tij me fëmijët, duke spikatur shembuj nga jeta e tij se si vepronte me ta. Shembujt nga jeta profetike e këtij lloji janë ata që flasin më mirë se gjuha dhe përshkrimi i çdokujt tjetër që mund t’i bëjë jetës së tij, prandaj do të mjaftohemi me përmendjen e disa prej tyre:
-Kishte parasysh ndjenjat e tyre kur ishin të vegjël dhe lozte me ta, bile u jepte përparësi këtyre ndjenjave edhe atëherë kur ai ishte në namaz. Na përcillet se një herë duke u falur pasi ra në
dhe u vonua shumë shokët u frikësuan për të mos i ka ndodhur diçka e pas namazit u tha: “erdhi Hyseni dhe më hipi në qafë sa isha në
kështu e vonova sexhden ngase nuk doja t’ia prish lojën”.
-Futej në namaz me nijet që ta zgjaste namazin, porse kur dëgjonte britmat e fëmijëve nga mëshira për ta dhe nënat e tyre lexonte pak Kuran, duke e pëfunduar namazin sa më shpejt.
-I puthte, i përqafonte dhe i bartte në shpinë nipat e tij (Hasanin e Hysenin), duke lozur me ta dhe këtë e konsideronte në radhët e punëve dhe vetive të mira dhe shpresonte që duke i mëshiruar fëmijët të mëshirohej nga Allahu.
-Duke u falur e mbante në krah mbesën e vet, të cilën kur binte në ruku dhe
e lëshonte në tokë e prapë e merrte kur ngrihej në këmbë për reqatin e dytë dhe kjo nuk ishte për të pengesë aspak në namaz, sepse fëmija ishte gjë e rëndësishme për të në çdo rast dhe kohë.
-Urdhëronte mësimin e tyre sidomos të namazit por nga ana tjetër mësonte shokët e vet që ky edukim të bëhej në format më të lehta dhe të mira të mundshme, duke i ikur dhunës, ku për këtë arsye pat këshilluar që fëmijët të urdhërohen me detyrimin më të madh praktik atë të namazit, që në moshën shtatë-vjeçare, porse duke e ditur mentalitetin e tyre të vogël dhe logjikën që kanë e ndaloi të rrihen për këtë detyrim, derisa t’i mbushin dhjetë vjet. Kjo sikur aludon në faktin se deri në këtë moshë fëmijët mund të tolerohen më shumë se pas asaj moshe dhe përmes këtij mësimi bëhet ndarja e foshnjës në disa etapa, atë të fëmijërisë së hershme deri kur fillon të kuptojë, e dyta nga kjo moshë deri në dhjetë vite e treta deri në pubertet dhe e katërta pas pubertetit, të cilat pasohen secila me rregulla të posaçme.
-Deri në moshë të madhe ai lozte me ta edhe format më të thjeshta të lojërave, që dikush mund t’i konsiderojë jo të pëlqyera, si p.sh. ajo e hipjes në shpinë të fëmijës dhe shëtitja e tij nëpër dhomë, si shembulli i hipjes mbi kafshë, bartja e foshnjës në qafë dhe shëtitja e tij etj., forma këto që ndikojnë në shtimin e respektit dhe dashurisë për të vjetrin (qoftë prind apo dikush tjetër). Këto forma do të jenë ndikuese për fëmijën, që ta dojë dhe ta dëgjojë atë person sa është fëmija i vogël dhe ta respektojë e nderojë atë pasi të rritet, sepse do t’i kujtohen ato lloj lojërash që i ka bërë ai.
–Sillej me ta me të butë dhe i edukonte me fjalë të mira, bënte durim me ta dhe ndodhte që të kalonin dhjetë vite e kurrë të mos i bërtiste apo ta akuzonte edhe fëmijën që më së shumti rrinte me të. Nëse fëmija gabonte ai nuk e kritikonte duke i thënë: “Sikur të mos veproje kështu, por të veproje ashtu”, mirëpo e ledhatonte në kokë dhe i tregonte se cila është forma më e mirë e atij veprimi pa e prekur në ndjenja fëmijën që e mësonte. Enes ibën Malikun e pati shërbëtor tetë deri dhjetë vite, por kurrë nuk mbahet mend t’i ketë bërtitur apo kritikuar, sjellje kjo që ishte shkak që Enesi të mos i ndahej asnjë ditë Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem edhe pasi u rrit e deri në vdekje.
-Atëherë kur nuk e dëgjonin urdhrin e tij ai nuk përdorte forcën apo personalitetin e tij për t’i detyruar me atë që dëshironte, porse fillimisht bënte sabër e pastaj shkonte dhe e këshillonte në formën më të mirë, sa fëmijës fillonte t’i vijë turp nga ajo që ka bërë dhe kështu nuk e përsëriste herës tjetër të njëjtin gabim. Kjo ndikon që fëmija të fitojë respekt karshi atij personi dhe në anën tjetër kurrë të mos e kundërshtojë herën tjetër. Kështu pat ndodhur me Enesin, të cilin Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, e urdhëroi të shkonte diku për të kryer një punë e ai i tha se nuk dua të shkoj, por thotë se me vete e kisha vendosur për të shkuar, mirëpo doja ta shihja, se si do të sillej ai me mua. Duke ecur rrugës Enesi u habit me fëmijët e tjerë dhe me të vërtetë nuk shkoi për ta kryer atë urdhër të Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, e ky i fundit kur erdhi tek Enesi nga prapa ia lëmoi kokën dhe e pyeti me të butë: “O Enes, a nuk ke shkuar akoma?” duke i buzëqeshur, atëherë Enesi na tregon, se shkova ta kryej me vrap atë punë të caktuar. Prekja profetike ishte aq e butë dhe e këndshme, sa Enesi thotë se kurrë nuk kam prekur mëndafsh më të butë e as gjë më të freskët se dora e tij, gjithashtu ajo dorë e bekuar ishte shkak që Enesi, edhe pse i mbushi nëntëdhjetë e tri vite asnjë qime floku nga ajo pjesë e kokës nuk iu thinj.
-Mundohej ta studionte mentalitetin e çdo fëmije dhe ta veçonte me mësime, këshilla dhe punë, që i përshtateshin mentalitetit të tij nga njëra anë dhe i përgatiste për t’u bërë të zotët në ato fusha pasi të rriten nga ana tjetër. Usame ibën Zejdin e pa se kishte shpirt luftarak kështu e emëroi komandant suprem të forcave të tij në një betejë kur Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, ishte në shtratin e vdekjes e Usamja nuk kishte më shumë se tetëmbëdhjetë vite. Muadhin e bartte mbrapa në gomarin e tij dhe i mësonte çështjet bazë të besimit, duke i shpjeguar fshehtësitë e akides (besimit) dhe duke ia besuar atij këto dije, si rasti i të drejtës së Zotit karshi robërve të Vet dhe e kundërta, ku e veçoi me këtë dituri vetëm Muadhin, duke mos i treguar as Ebu Bekrit, Omerit, Osmanit etj. Këtë djalë e këshillonte edhe me çështjet se si ta ruajë ai Allahun e pastaj Allahu si do ta ruajë atë etj., ku më vonë Muadhi pas këtij edukimi direkt bëhet misionar dhe prijës i një shteti të tërë, pra Jemenit (së bashku me Ebu Musa Eshariun). Ibën Abasin e pa se ka prirje meditimi e logjike, që i përshtateshin nxjerrjeve dhe përfitimit të dispozitave nga Kurani dhe Suneti për të cilin bëri një lutje të veçantë, që nuk e bëri për të tjerët: “O Zot shtoja dijen e dispozitave fetare (fikhut të nxjerra nga Kurani dhe Suneti) dhe mësoja komentimin (e Kuranit).”, dhe me të vërtetë ashtu ndodhi: komentuesi më i mirë i Kuranit ishte Abdullah ibën Abasi. A thua pse u lut vetëm për këtë njeri, dhe pse nuk u lut me diçka tjetër? Themi për shkak se Profeti i nuhaste personalitetet e të rinjve, prirjet e tyre dhe i edukonte gjithsecilin në lëmin e vet. Kur pa aftësitë e Zejd ibën Thabitit e stimuloi, që të mësonte gjuhën e çifutëve për të mundur t’i lexonte letrat e tyre dhe t’u kthente përgjigje, këshillë kjo e cila e nxiti Zejdin ta mësonte shkrimin, leximin, kuptimin dhe të folurit e kësaj gjuhe për më pak se dhjetë ditë (sipas disa transmetimeve historike). Pra, e bëri këtë gjë për një kohë të shkurtër që ndoshta tjetërkush nuk do ta bënte, kjo sepse tek ai vëreheshin ambicie të tilla.
-Mundohej që të rinjtë myslimanë t’i edukonte për artet luftarake dhe aftësi fizike, këshillonte ushtrimin e gjuajtjes me shigjetë, të notimit, vrapimit me kuaj, mundjes, vrapimit në gara etj.
-Atë e donin edhe fëmijët e qafirëve, sepse sillej mirë me ta, bile kishte raste kur edhe i shërbenin. Gjithë kjo për shkak të edukatës që Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, kishte me ta dhe respektit që kishte fituar. Përmendet se ai e vizitoi një djalë të ri çifut, i cili ishte i sëmurë dhe e ftoi në Islam me ç’rast nga respekti që kishte ky djalë dhe nderi që ndienin prindërit e tij për këtë vizitë e këshilluan djalin që të pranonte Islamin, i cili menjëherë pasi pranoi fenë edhe vdiq, por vdiq si mysliman me dëshminë e shehadetit si fjalë të fundit të tij.
Tërë këta shembuj dhe të tjerë të pa përmendur këtu u bënë shkak që ky edukim kaq madhështor i këtyre të rinjve të jetë pikënisje, që këta djelmosha kur të bëheshin burra të dinin si t’i bartnin mbi supet e tyre detyrimet dhe detyrat që u ishin besuar nga shteti dhe myslimanët e tjerë. Dikush u bë dijetar, tjetri komandant, prijës, i urtë, asket, luftëtar, bujar etj., dhe gjithsecili prej tyre luajti rolin e vet në jetë, ashtu si i ka hije, duke mos lënë pas vetes vërejtje, të cilat mund t’i përmend sot dikush, si argument kundër tyre apo kundër mësuesit të tyre, sal-lallahu alejhi ue selem. Askush prej këtyre të rinjve që kaluan në duart e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, nuk devijoi, apo mbeti pa e dhënë kontributin e vet për këtë fe, ose nuk sakrifikoi, apo nuk ishte i dobishëm. Shembuj të tillë negativë që prishin imazhin e këtyre të rinjve nuk ka shënuar historia e as nuk ka pasur mundësi të gjejë të tillë, porse kushdo prej tyre ka lënë gjurmë pozitive në këtë Umet për pasardhësit e tij, aq të mëdha, sa nuk mund të shlyhen dhe janë e do të mbesin shembull e frymëzim për të gjithë të rinjtë deri në Kiamet. Tërë kjo falë sjelljes dhe strategjisë së Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, që ai përdori me ta (e jo abuzimeve) pas ndihmës dhe mëshirës së Allahut Fuqiplotë.