Disa Vepra Që Të Shpiejnë Në Xhenet
1. Leximi i Ajetit Kursi pas çdo namazi
Transmetohet nga Ebu Hurejra [radijallahu anhu] se i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kush e lexon ajetin Kursi pas çdo namazi nuk e pengon këtë njeri për t’u futur në xhenet përveç se vdekja.” [transmeton Nesaiu]
2. Thënia e Shehadetit pas çdo abdesi
Transmetohet nga Omer Ibën Hatabi [radijallahu anhu] se i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Çdonjëri prej jush, që merr abdes e më pas thotë “أشهد أن لا إله إلا الله , وأن محمدا عبده ورسوله (Esh-hedu En La ilahe il-lallah ve Enne Muhammeden Abduhu Ve Resuluhu) Dëshmoj se nuk ka të adhuruar meritor tjetër pos Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Allahut, do t’i hapen tetë dyert e xhenetit e do të futet nga cila derë dëshiron.”
3. Të kërkuarit nga Allahu xhenetin
Transmetohet nga Enesi [radijallahu anhu] se i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:“Kush kërkon nga Allahu [subhanehu ve teala] tri herë xhenetin, xheneti do të thotë: “O Zot, fute këtë njeri në xhenet!” Ndërsa kush kërkon tri herë mbrojtje prej zjarrit të xhehenemit, xhehenemi do të thotë: “O Zoti im, largoje këtë njeri nga zjarri!”
4. Kërkimi i diturisë
Transmetohet nga Ebu Hurejra [radijallahu anhu] se i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Ai i cili merr rrugën për të kërkuar dituri, Allahu do t’ia lehtëson rrugën për në xhenet.”
5. Mësimi përmendësh dhe të vepruarit me kuptimin e Emrave të Allahut
Transmetohet nga Ebu Hurejra [radijallahu anhu] se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu [subhanehu ve teala] posedon nëntëdhjetenëntë emra. Ai i cili i mëson përmendësh dhe vepron me kuptimin e këtyre emrave do të hyjë në xhenet.”
6. Falja e namazit të natës
Transmetohet nga Abdullah ibën Selami [radijallahu anhu] se i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Përhapeni selamin, shpërndani ushqim, vizitoni farefisin dhe faluni gjatë natës kur njerëzit janë në gjumë do të futeni në xhenet me siguri dhe paqe.”
7. Ndërtimi i xhamiave
Transmetohet nga Othmani [radijallahu anhu] se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] duke thënë: “Kush e ndërton një xhami për hir të Allahut, Allahu [subhanehu ve teala] do t’ia ndërtojë një shtëpi në xhenet.”
8. Haxhi i pranuar
Transmetohet nga Ebu Hurejra [radijallahu anhu] se i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Umreja deri në umre i shlyen mëkatet, ndërsa nuk ka shpërblim tjetër për Haxhin e pranuar vetëm se xheneti.”
9. Largimi i një pengese nga rruga
Transmetohet nga Ebu Hurejra [radijallahu anhu] se i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “E kam parë një njeri duke u shëtitur në luginat e xhenetit, që shkak për hyrjen e tij në xhennet ishte një pemë që e kishte prerë ngase iu pengonte myslimaneve.”
10. Falja e namazit
Transmetohet nga Ebu Musa el-Eshari [radijallahu anhu] se i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kush e falë namazin e sabahut dhe ikindis do të hyjë në xhenet.”
Përgatiti:
Abdyl Fuga