Në shtetin më katolik të Evropës, brenda mureve gjeografike të një qyteti, i cili qysh prej vitit 1929 mban në zemër të tij shtetin zyrtar të besimit të krishterë, Vatikanin, në horizontin e kryeqytetit italian Romë, përveç kupolës së Shën Pjetrit bën sfond xhamia më e madhe e Evropës. Është instituti më i madh, më i rëndësishëm e më i organizuar i kultit islamik në Evropë, i përuruar më 1995, por më një ide realizuese qysh më vitin 1969, por dhe e vetmja xhami e madhe pa zërin e hoxhës që me altoparlant duhet të ftojë çdo ditë besimtarë për orën e faljes.
Menjëherë sapo kalon lagjen Parioli, një nga më luksozet e Romës, në pjesën veriore të këtij qyteti, tabela rrugore “Rruga e Xhamisë”, të orienton drejt një hapësire të gjelbër, krejtësisht të qetë ku herë pas here bëjnë sfond fusha sportive të boshatisura në këtë mëngjes nëntori. Është e premte, një ditë e rëndësishme për besimtarët myslimanë, që me veshjet e tyre karakteristike popullojnë pas çdo hapi “Rrugën e Xhamisë”. Pothuajse në një ritëm e në një heshtje imponuese, burra, gra, fëmijë të çdo etnie e moshe, nxitojnë për diku. Ky vend është xhamia e tyre, më e madhja në Evropë, vendi më i shenjtë i myslimanëve në Romë, vendi i faljes, i takimit me bashkëkombësit e tyre, vendi i halleve, i vdekjes, i festave, i martesës.
Aroma e erëzave, e kafesë, e qofteve, e sheqerit të djegur, e majasë, tymi etj., tezgat e shumta që mbushin trotuarin e rrugës, shumëngjyrat e veshjeve, llojshmëria e produkteve të ekspozuara, muzika e vargjeve të Kuranit që dalin nga magnetofonat e pozicionuar ku munden japin idenë e një tregu të vërtetë oriental. Është një e premte e bukur nëntori, plot diell, që gëzon më shumë këtë atmosferë, është e premtja e shenjtë e faljes për besimtarët myslimanë, po dhe e premtja e tregut, e pazarit, e blerjes së specialiteteve kulinare të vendeve myslimane, bakllava, kadaif, qofte, mish të pjekur, kuskus, kos, tapete, sixhade Sirie, objekte faljeje, veshje tradicionale, gjen në këtë merkatë gjithçka. Egjiptianë, marokenë, pakistanezë, afrikanë, indianë, shqiptarë, por dhe italianë, të gjithë të besimit mysliman kalojnë çdo të premte nëpër tezgat e kësaj merkate, orët e para të mëngjesit, derisa të nisë falja e kësaj dite. Nga një tezgë në tjetrën nuk mund të rrish pa provuar diçka, era e brumit, e mishit të pjekur, e rigonit të përzier me aromën e qepës së fërguar të kujtojnë edhe nuhatjen brenda mureve në një kuzhinë shqiptare.
Jo shumë larg, mes një pyllëzimi, dallohet kupola ngjyrë plumbi e një ndërtese të bardhë. Lë pas zhurmën e tregut e gjendesh mes bardhësisë së tullave travertino që e veshin dhe jeshillëkut të pemëve rreth e qark. Sapo kapërcen portën e hekurt, të mirëpret një hapësirë e pafund, e mbuluar nga ky diell nëntori ku vende-vende hijezojnë palmat e shparsura. Pak më tutje disa shkallë të drejtojnë në një korridor të gjerë plot kolona të larta e elegante në mbarim të së cilave gjendet një holl i mbuluar e përballë dera e hyrjes në këtë vend të shenjtë.
Mbi një nga muret lexohet shkruar në dy gjuhë, arabisht e italisht: “Në emër të Zotit të urtë e të mëshirshëm, Hijesia e tij, mbreti Faisal i Arabisë Saudite, gjatë një vizite të tij më vitin 1973 në Itali u shprehu autoriteteve italiane dëshirën për të realizuar në Romë, një tempull islamik për Qendrën Kulturore Islamike në Itali. Për të realizuar këtë dëshirë e nën nxitjen e Presidentit të Republikës, Giovanni Leone, Këshilli i Përgjithshëm i Romës vendosi më 15 maj të vitit 1974 t’i dhurojë Qendrës Islamike terrenin prej 30 mijë metra katrorë. Më 11 dhjetor 1984 (1405 me kalendarin mysliman) u vendos guri i parë në praninë e Presidentit të Republikës italiane Sandro Pertini, ministrit të Pelegrinazhit të Arabisë Saudite, ambasadorit të Mbretërisë së Arabisë Saudite e Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes Islamike… përurimi u krye më 21 qershor 1995 në praninë e Presidentit të Republikës Italiane, Luigi Scalfaro. Falënderojmë Zotin e urtë e të mëshirshëm e të gjithë që na ndihmuan në realizimin e këtij monumenti të madh islamik”.
Në shtetin më katolik të Evropës, brenda mureve gjeografike të një qyteti, i cili qysh prej vitit 1929 mban në zemër të tij shtetin zyrtar të besimit të krishterë, Vatikanin, në horizontin e kryeqytetin italian Romë, përveç kupolës së Shën Pjetrit, bën sfond xhamia më e madhe e Evropës. Është instituti më i madh, më i rëndësishëm e më i organizuar i kultit islamik në Evropë, i përuruar më 1995, por më një ide realizuese qysh më vitin 1969, por dhe e vetmja xhami e madhe pa zërin e hoxhës që me altoparlant duhet të ftojë çdo ditë besimtarë për orën e faljes.
Xhamia e Romës, më e madhja në Evropë, është dhe e vetmja xhami pa thirrjen e hoxhës në horizont, që duhet të ftojë besimtarët në orën e faljes. Por besimtarët e dinë kur duhet të hyjnë, të premten ora e faljes është më 13:30. Përballë hollit të mbuluar që të drejton në portën e tempullit të shenjtë, shtohen njerëzit që braktisin shëtitjen mes tezgash për të kryer ritin e tyre të faljes. Gratë që nuk janë të mbuluar, lidhin mbi kokë shamitë shumëngjyrëshe e të gjithë lënë këpucët jashtë. Ndodhem brenda xhamisë më të madhe të Evropës.
Arkitekti i saj, italiani Paolo Portoghesi, ka mundur të realizojë një përzierje mendimi modern e fetar, përcjellë me linjat e buta të strukturës, kolonat që të kujtojnë një oaz paqeje e lojën e dritës në një klimë meditimi me ngjyrat e materialet delikate.
Tema e Kuranit “Allahu është dritë” mbizotëron në ambientin e saj, drita është elementi sekret zbukurues i saj, që hyn gati fshehurazi brenda sallës. Jashtë shndrit në bardhësinë e ndërtesës e brenda në mozaikun me gurë marokin të kupolës.
Është një bukuri sublime që të humb fjalët. Kaligrafia arabe ka mbushur muret me fjalët e Kuranit, vetëm pak dritë e ngjyra blu mbretëron në sallë, është kaq mikpritëse e shpirtërore. Në dy krahë gjenden dy shkallë që udhëheqin në katin e dytë, vendi i faljes së grave, që si në çdo xhami tjetër është i ndarë nga ai i burrave. Kjo është salla qendrore e faljes, e hapur veç të premteve e që mban mbi 2000-3000 myslimanë që falen. Në ditët normale, besimtarët falen në atë që ata quajnë “xhamia e vogël”, e hapur çdo ditë e në çdo orë, mjaft e këndshme me zbukurimet e mozaikëve të ardhur nga Turqia. Sot është e premte dhe salla qendrore është e tejmbushur.
E përuruar më 1995, xhamia e Romës është njëkohësisht një pikë referimi për të gjithë besimtarët myslimanë në kryeqytetin italian. Është jo vetëm vendi i shenjtë ku falen të premteve apo gjatë ditëve të tjera të javës, por dhe vendi i takimit mes besimtarëve më të njëjtën kombësi, është vendi i martesave sipas ritit mysliman, vendi i asistimit të ceremonisë së vdekjes, i riatdhesimit të të ndjerëve ne atdheun e tyre, është vendi i konsultimeve me imamin e mbi të gjitha një vend strehimi shpirtëror për çdo mysliman.
Brenda mureve të saj gjendet Qendra Kulturore Islamike e hapur në Romë që më vitin 1969, me një rrjet akademik të koordinuar në nivel italian e evropian, një shkollë për mësimin e gjuhës arabe dhe biblioteka fetare.
Është ora 13:30. Imami egjiptian Ala al-Din Muhammad Isma’il al-Ghobashi, ngjitet në vendin e tij, mbi sallë mbretëron heshtja e nis ritit i faljes të së premtes së shenjtë në një atmosferë që pëshpërin “Allahu është drita”.