NORVEGJI… “TEMPULLARËT” SULMOJNË EVROPËN
HASAN SHUAJB
Pa u mbyllur mirë shpërthimet në Oslo gishti i akuzës – si zakonisht tregonte muslimanët. Asgjë për t’u habitur, sepse që nga 11 Shtatori, Perëndimi u mësua t’ia veshi “akuzën e terrorizmit islamik” çdo rasti apo operacioni shpërthyes, gjë e cila e shëmtoi keq imazhin e Islamit dhe muslimanëve, ndërsa grupimeve radikale të krishtera u dha shansin e shtrirjes dhe të shtimit.
Sulmi në Norvegji filloi me shpërthimin e një veture të minuar në zemër të lagjes së ministrive në kryeqytetin Oslo, afër selisë së kryeministrisë. Që aty autori i sulmit u paraqit në kampin veror në një ishull aty afër, Otoja për të vrarë dhjetëra të rinj nga Partia Laburiste, e cila është në pozitë. Rezultati nga këto dy sulme ishte 93 të vdekur, 100 të plagosur dhe disa të humbur (shtatë të vrarë dhe nëntë të plagosur rëndë nga aksioni i parë në Oslo, ndërsa të tjerët nga aksioni i dytë në ishull).
Kryqëzatë
Të çudit fjala e autorit të sulmeve Andreis Breivik, një i krishterë radikal me orientim të djathtën ekstreme, 32 vjeçar, i cili pohoi, se ai ishte përgjegjësi i të dy rasteve dhe pranoi tmerrin e krimit që bëri duke e përshkruar atë si “i egër, por i domosdoshëm”. Ky është një paralajmërim i fortë për vendet evropiane, që sqaron se terrorizmin nuk duhet kërkuar vetëm te muslimanët, por ai mund të shpërthejë edhe përbrenda tek ata. Ende më i neveritshëm është manifesti që u gjet te sulmuesi, ku ai thërret në një fushatë të re kryqëzate dhe e përshkruan veten si kryqtar i sinqertë, që po kryen rolin e tij për të shpëtuar Krishterimin në Evropë nga shtrirja islame. Multikulturalizmin e konsideron ndër termat më të shpifura dhe më të rrezikshme. Shumë e rrezikshme dhe më me rëndësi është ajo çfarë ai thotë në manifestin e tij: “Tempullarët (luftëtarët e kryqëzatave) u kthyen në Londër në vitin 2002”, duke shtuar se themeluesit e atij grupi vijnë nga Britania, Franca, Holanda, Greqia dhe Rusia dhe se misioni i tyre është veprimi si organizatë e armatosur për të mbrojtur të drejtat e banorëve autoktonë, si lëvizje kryqëzate kundër xhihadistëve.
Ironia qëndron në shpejtimin e disa medieve për të miratuar deklaratat e disa ekspertëve të kundër-terrorizmit, që besuan përfshirjen e muslimanëve në këtë aksion. Ndaj, gazeta britanike “Telegraf” parashtroi dilemën, nëse Al-Kaeda qëndron pas sulmit apo e djathta ekstreme, duke u argumentuar me refuzimin e kryeministrit norvegjez Jens Stoltenberg të spekulojë se pas sulmeve qëndron grup militant. Ndërkohë që disa ekspertë nuk përjashtuan përfshirjen e të djathtës ekstreme, edhe pse taktika e sulmeve dukej e ngjashme me metodën e Al Kaedës. Gazeta britanike citon zëdhënësin e një organizate, që merret me çështjet e zbulimit me seli në Britani: “Sulmuesi ka origjinë norvegjeze dhe kjo sinjalizon mundësinë e përfshirjes së ndonjë grupi nga e djathta ekstreme më shumë sesa të ndonjë grupi islamik, edhe pse qeveria e Partisë Laburiste mund të ketë qenë cak i mundshëm i grupeve islamike, për shkak se ajo dërgoi forca norvegjeze në Afganistan”.
“The Telegraf” përmendi se Al Keada ka një numër shkaqesh për ta sulmuar Norvegjinë; e që shkaku i parë mund të jetë prezenca ushtarake norvegjeze në Afganistan. Edhe pse forcat norvegjeze atje nuk janë më shumë se 500 ushtarë, lideri i ri i Al Kaedës Ejmen Zavahiri në 2007 kërcënoi se do ta sulmojë Norvegjinë, sepse “merr pjesë në luftë kundër muslimanëve”.
Objektiva politike
Në anën tjetër gazeta britanike “Guardian” shkroi se metoda e sulmit që kishte cak ndërtesën e kryeministrisë dhe kampin e të rinjve, që i përkasin Partisë Laburiste në pozitë ka shenja për ngjyrime dhe objektiva politike, edhe në këtë rast më kollaj është drejtimi i akuzës nga cilido organizim xhihadist islamik, në mënyrë që të përhapej panik në vend. Vazhdon “Guardian” duke thënë se të dhënat për sulmuesin e kampit, që thonë se është flokëverdhë dhe me karakteristika norvegjeze japin të kuptojnë, se ajo që bëri mund të burojë nga ndonjë ideologji e zemëruar ndaj qeverisë, duke e ngjasuar atë me amerikanin, i cili kishte sulmuar selinë e FBI-së në Oklahoma në SHBA në vitin 1995, meqë ai ishte i prekur dhe i pakënaqur me sistemin politik amerikan atëbotë, siç u shpreh një nga zyrtarët e policisë norvegjeze: “Vërehet se sulmi nuk ka asnjë lidhje me asnjë organizatë islamike, por më shumë i ngjason sulmit të vitit 1995 mbi Byronë Federale të Hetimeve”.
Islami është fajtor derisa të vërtetohet pafajësia
Gazeta amerikane “Los Angeles Times” shkroi për rrebeshin e reagimeve të ueb-faqeve djathtiste ekstremiste, që drejtonin gishtin e akuzës nga “xhihadistët”. Pronarja e ueb-faqes “Atlas” dhe drejtorja e lëvizjes “Ndaleni islamizimin e Amerikës” shkroi: “Ju mund të injoroni xhihadin, mirëpo nuk do të mundeni të anashkaloni pasojat e vazhdimit të këtij injorimi”; ashtu edhe u përfshinë ekspertë të kundër-terrorizmit në akuzat e shpejta kundër xhihadistëve, ndërsa e kuptuan që gabuan pasi u arrestua Breiviku, të cilin policia e përshkroi: “fundamentalist i krishterë, që i përket të djathtës ekstreme”.
Vlen të përmendet, se një ngarkesë e madhe u shkarkua nga gjokset e muslimanëve, kur panë se sulmuesi nuk ishte prej tyre, mirëpo ndjenja e paqetësisë nuk iu largua, sepse ndjejnë se çdoherë trajtohen si dele për t’u sakrifikuar, prandaj sekretarja e përgjithshme e Shoqërisë Islame në Amerikën Veriore, Safa Zurzur do të shprehej: “Është vërtetë gjë e keqe, por e pritur” dhe do të shtojë,- “kjo përforcon atë që ndjejnë shumica e muslimanëve, se ata janë fajtorë fillimisht derisa të vërtetohet pafajësia e tyre”.
Ndërsa drejtoresha ekzekutive e avokatëve muslimanë Ferhane Hajra tha se gatishmëria për t’i akuzuar muslimanët mund të çojë në nxitjen e ndjenjave anti-muslimane dhe përforcimin e idesë për t’i numëruar si kriminelë, ajo shtoi: “Ky është zë paralajmërues, por dhuna mund të vijë nga gjithkush, sepse caktimi i një feje si objektiv dhe paraqitja e tërë atij komuniteti si përgjegjës, na bën të prekemi”.
Gazeta amerikane Los Angeles Times përcjell se drejtoresha ekzekutive e avokatëve muslimanë thekson se kur realizuesi i shpërthimeve nuk është musliman, ai nuk përshkruhet si terrorist, por mjaftohet me fjalët: “është veprim individual, ose veprim i armatosur nga një i çmendur, ndërsa kur sulmuesi është musliman, me shpejtësi të paparë nisen akuzat kundër fesë dhe besimit islam”. Pas këtij trajtimi dhe sipas asaj që kanë theksuar shumë ekspertë, duket se e gjithë Evropa së shpejti do të ballafaqohet me më shumë sulme, që do t’i kryejnë djathtistët ekstremë nën flamurin – siç kishte shkruar sulmuesi i Norvegjisë – e kryqëzatave kundër shtrirjes islame në Evropë, apo siç e quajti ai “kthimi i kalorësve tempullarë".
Përktheu