Nëse Mitrovica i kalon Serbisë, Kosova nuk do të mjaftohet vetëm me Preshevën, por do të kërkojë njësinë historike të ish vilajetit të Kosovës me kryeqendër Shkupin. “Mendoj se ndryshimi i kufijve të Kosovës, qoftë edhe këmbimi reciprok i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë (propozim i bërë) do të hapë ‘kutinë e Pandorës’, dhe më së pari, kërkesën ligjore e historike të Kosovës për njësinë historike të ish vilajetit me kryeqendër Shkupin”, ka shkruar në kolumnën e vet për “Lajm”, nënkryetari i Parlamentit të Kosovës Xhavit Haliti, i cili është dhe zyrtar i lartë i PDK-së të kryeministrit Hashim Thaçi.
Mendimit të Halitit për njësinë historike të ish vilajetit me kryeqendër Shkupin, i bashkëngjitet edhe Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Fazli Veliu, i cili thotë se ndryshimi i kufijve të Kosovës do të sillte ndryshime të paparemendueshme. “Jo vetëm kjo, por do të ketë ndryshime të tilla që nuk mund ti paramendojë Ballkani dhe Evropa. Ne s’kemi ç’të humbasim, ne vetëm do të fitojmë. Nëse ata prekin gjëra të tilla prekin trupin e kombit shqiptar. Ne duam që këtë bazament që e kemi në trojet e lashta, por me këta kufij gjeografik ta kemi për tu integruar të gjithë në familjen e madhe evropiane”, tha Veliu për “Lajm”.
Ndërkaq, Ismail Kadare del hapur kundër copëtimit të Kosovës, këmbimit të territoreve, ri përcaktimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha këto propozime dhe hipoteza për shkrimtarin e madh Ismail Kadare nuk janë të panjohura. Duke i quajtur këto ide dhe spekulime, ai i konsideron edhe si lojë me zjarrin për destabilizimin e rajonit. Në një intervistë për agjencinë kombëtare të lajmeve “Presheva jonë”, shkrimtari pajtohet plotësisht me komunitetin ndërkombëtar dhe u bashkohet zërave të tyre për paprekshmërinë e kufijve të cilët sipas Kadaresë “janë jo vetëm gjëra të ndjeshme në Ballkanin e përzier, por edhe të rrezikshme për perspektivën e rajonit pas gjithë atij mundi, pas gjithë atij investimi e energjie nga ndërkombëtarët për promovimin e paqes dhe vënien e stabilitetit në rajon, pas gjithë atyre vuajtjeve dhe tmerrit që ka përjetuar gadishulli ballkanik këto vitet e fundit”.
Kadare: Ndryshimi i kufijve, lojë me zjarrin
Të gjitha këto propozime dhe hipoteza për shkrimtarin Ismail Kadare nuk janë të panjohura. Duke i quajtur këto ide dhe spekulime, ai i konsideron edhe si lojë me zjarrin për destabilizimin e rajonit. “Ndryshimet e kufijve janë jo vetëm gjëra të ndjeshme në Ballkanin e përzier, por edhe të rrezikshme për perspektivën e rajonit”, ka thënë Kadare.
(LP)