PRISHTINE- Grupi "Armata Kombëtare Shqiptare", e përfshirë në listën e zezë të organizatave terroriste nga ana e SHBA-së, kërcënon se do të përdorë forcën për të ndaluar Serbinë të zhvillojë zgjedhje në Kosovë, nëse vetë ndërkombëtarët nuk do ta ndalojnë.
Grupi misterioz ushtarak, i cili kërkon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ka dërguar një email në agjencinë online të lajmeve Balkan Insight dhe në disa redaksi të tjera ku thotë se “ka vendosur të riaktivizojë strukturat e saj për të mbrojtur Kosovën nga një tjetër pushtim i Serbisë.
“Drejtuesit e Armatës Kombëtare Shqiptare, AKSH në takimin e 17 marsit, kanë vendosur të riaktivizojnë të gjithë strukturat e saj ushtarake dhe të përballen me Serbinë dhe bandat e saj në Republikën e Kosovës” shkruhet në mesazh.
Policia deklaron se nuk ka dijeni në lidhje me këtë ngjarje ndërsa do të nisë veprimet paraprake.
Lëvizja Armata Kombëtare Shqiptare është dënuar nga qeveria e Kosovësdhe komuniteti ndërkombëtar si shkelje e integritetit territorial dhe pavarësisë.
Ushtarakë të AKSH janë parë në Kosovë që në përfundim të konfliktit në 1999 madje janë filmuar teksa patrullonin të armatosur. Grupi mori përgjegjësinë dhe për disa incidente me bomba në Kosovë që prej 1999.
Në letrën e saj AKSH thotë se që me pavarësinë e Kosovës, në 2008, I kishte dhënë fund aktivitetit të saj, duke shpresuar se Kosova do të lihej të ecte para nga fqinjët serbë.
Por për 4 vjet, që nga pavarësia, Serbia kurrë nuk ka ndalur sabotimin e Republikës së Kosovës. Ne ju kërkojmë ju, komunitetit ndërkombëtar, që para se të nisë lufta, ndërhyni të parandaloni luftën në Ballkan.
(sg/shqiptarja.com)