Admin Administrator
Numri i postimeve : 8520 Data e regjistrimit : 02/07/2009 Mosha : 42 Nacionaliteti-Sheti : Tetovë-Maqedoni
| | Telashet e Malit me Gaddafin e vdekur | |
Kryengritësit tuaregë nga Mali dhe Nigeri, mbrojtën deri në fund, si mercenarë besnikë, regjimin e diktatorit tashmë të vrarë të Libisë, Muammar Gaddafi. Ani ata janë kthyer në atdhe dhe po luftojnë për pavarësi.
Amadou Sanogo është kryekomandant i ushtrisë së Malit-dhe me gjasë puçisti i parë në historinë e puçeve ushtarake, i cili as që kishte për synim përmbysjen e presidentit. Nëse mund t’i besohet dëshmive nga kryeqyteti i Malit, Bamako, ushtarët e rebeluar me gjasë rastësisht kanë përfunduar para pallatit presidencial, duke i dhënë fund demokracisë aq të lavdëruar nga ana e perëndimit të Malit.
Për ardhmërinë e Sanogos dhe të Komitetit Kombëtar për rivendosjen e Demokracisë dhe të shtetit, të themeluar me nguti nga Sanogo, tani për tani vetëm mund të spekulohet. Por shumë gjëra tjera mund të thuhen për një aktor tjetër qendror-ndoshta edhe pikërisht për shkak të faktit që ka vdekur që gjashtë muaj: për Muammar Gaddafin.
Mali për dekada me radhë ka qenë nën sferën e ndikimit të “Mbretit” dikur të vetëshpallur të Afrikës. Me këtë rast duhet të theksohet se qarku i miqve të Gaddafit ka qenë mjaft i larmishëm: Në mesin e tyre ishte edhe Nelson Mandela, lëvizjen për çlirim të së cilit, ANC, Gaddafi e kishte mbështetur. Gjithashtu në këtë mes ishte edhe ish-presidenti i Liberisë, Charles Teylor, diktatori i Ugandës, Idi Amin, e gjithashtu edhe udhëheqësit e kryengritësve në Darfur. Por askush nuk ka pasur një respekt më të madh për Gaddafin, se sa tuaregët në Mali dhe Niger. Ata për dekada me radhë ishin luftëtarët e tij më besnikë dhe e mbrojtën atë deri në fund të diktaturës.
Tani, pas përmbysjes së Gaddafit, mercenarët tuaregë janë kthyer në vendlindjet e tyre-të furnizuar me armë moderne, nga arsenali i Libisë. Në veri të Malit, disa kryengritës tuaregë themeluan një lëvizje të re kryengritëse, e cila nga janari ka marrë nën kontroll shumë territore në këtë pjesë të Malit.
Dhe ishte kjo pikërisht arsyeja e rebelimit të Sanogos dhe ushtarëve të tij: ata nuk dëshirojnë të hyjnë në një konflikt, të cilin nuk mund ta fitojnë dhe të cilin presidenti i lodhur nga pushteti, Amadou Toumani Toure, është dashur ta zgjidh me mjete politike.
Kjo ishte edhe arsyeja se pse Sanogo fillimisht ju ofroi tuaregëve biseda paqësore. Në mediet perëndimore tuaregët përshkruhen si “djemtë e shkretëtirës”. Në të vërtetë, ata gjithmonë kanë vuajtur, gjë që ka bërë që ata të mos zgjedhin aq shumë aleatët e tyre. Sikurse edhe kurdët në Lindjen e Mesme, edhe tuaregët pas përfundimit të periudhës së kolonializmit, u ndanë në disa shtete.
Gaddafi ju premtoi atyre jo vetëm punësim, por edhe mbështetje për kërkesat e tyre politike. Në vend të kësaj, ai i shfrytëzoi tuaregët si mercenarë për luftëra dhe kryengritje, të cilat i nxiste në shtetet tjera.
Në periudhën afatgjatë, me Gaddafin nga Afrika është larguar një faktor i krizës, mirëpo në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, ende po ndihen pasojat e përmbysjes së tij në Libi. Por ç’është e vërteta, mercenarët tuaregë, të cilët janë kthyer në Mali, nuk janë shkaktarë të krizës, por vetëm sa e kanë përshpejtuar atë. Elita politike në Mali është e korruptuar. Në veri të vendit, territor ky i injoruar për një kohë të gjatë, sot po lulëzon biznesi me drogë dhe me pengmarrje. Përveç kësaj, këtu rrënjë ka lëshuar edhe dega e Al Qaedës në Magreb, e cila me gjasë ka lidhur aleancë edhe me disa udhëheqës tuaregë. | |
|