Artisti i
talentuar britanik i cili ka ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë në
programin “Profeti Muhamed a.s, – Krenaria e Njerëzimit”, zhvilloi një
vizitë në Medresenë e Tiranës, ku u takua me drejtuesit e saj. Pasi fali namazin e xhumasë në xhaminë historike “Et’hem Beu”
destinacioni i tij i radhës ishte Medreseja e Tiranës, ku u njoh më
këtë shkollë me nivelin e saj të lartë të mësimdhënies si dhe me
nxënësit.
Më pas Yusuf ndoqi programin artistik që nxënësit e kësaj shkolle
organizuan posaqerisht për të. Programi përmbante lexim Kurani,
vjersha, ilahi të tjera dhe këngë të vetë Sami Yusufit, i cili mbeti
shumë i kënaqur që po dëgjonte këngët e tij të kënduara nga nxënëset e
medresesë.
Në fund të programit fjala iu dha Sami Yusufit, i cili shprehu
falenderimet e tij më të përzemërta për organizimin e bërë dhe për
mikpritjen e ngrohtë. Ai tha që ishte shumë i emocionuar prej gjithçkaje
që pa në këtë shkollë. “Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Fondacion
Sema, stafi akademik, nxënësit kanë bërë një punë të mrekullueshme”, tha
ai, duke i sugjeruar nxënësve që të vazhdonin në këtë rrugë.“Ju jeni
ata që do të formojnë të ardhmen”, theksoi Yusuf.
Gjithashtu ai shtoi që kur të ketë një fëmijë, padyshim që do të
dëshironte ta sillte të studionte pikërisht në këtë medrese. Në fund e
mbylli fjalën e tij duke thënë: “Duatë (lutjet) e mia janë gjithmonë me
ju dhe jam shumë krenar për ju”.
Programi përfundoi me një ilahi të kënduar nga Sami Yusufi i
shoqëruar gjithashtu nga nxënësit që ndodheshin në sallë. Drejtori i
shkollës i dhuroi z. Yusuf një tabllo në të cilën ishte gdhendur
Xhamia histrike e Et’hem Beut.
Pas shumë buzëqeshjes, autografesh, fotografish e ndjenjave të
përzemërta, Sami Yusuf u largua nga Medreseja e Tiranës shumë i kënaqur.
Më parë gjatë ditës ai zhvilloi edhe një vizitë në Komunitetin
Mysliman të Shqipërisë dhe në Universitetin Hëna e Plotë – BEDËR.
/dritaislame/